1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka alternativë tjetër- zgjatet mandati i bundesverit në Afganistan

Nina Werkhäuser17 Tetor 2008

Parlamenti gjerman miratoi zgjatjen e afatit të mandatit të bundesvehrit dhe shtimin e numrit të ushtarëve në Afganistan, megjithëse ka shumë pyetje dhe paqartësi.

https://p.dw.com/p/Fblu
Salla plenareFotografi: AP

Dje parlamenti gjerman aprovoi zgjatjen e mandatit të ushtarëve të bundesvehrit edhe për 14 muaj të tjerë, të cilët i përkasin trupës ndërkombëtare të NATO-s, ISAF, në Afganistan. Në të njëjtën kohë u miratua edhe shtimi me 1000 ushtarë të tjerë që do të thotë se Gjermania do të ketë gjithsej 4500 ushtarë, të cilët do të operojnë, ashtu si deri tani, në Kabul dhe në Afganistanin e veriut. Shpenzimet llogariten deri në fund të dhjetorit 2009 në 688 milion euro.
Nina Verkhauser informon:

Për ndërhyrjen e bundesverit në Afganistan, nuk ka alternativë tjetër. Shumica e deputetëve janë të vetëdijshëm për këtë, prandaj votuan për zgjatjen e mandatit deri në dhjetor 2009. Një tërheqje e shpejtë e trupave do të ishte një largim nga përgjegjësia përballë Afganistanit thotë socialdemokrati Valter Kolbov: “Në qoftëse ne do të largoheshim, kjo do të ishte një shkelje e solidaritetit përballë atyre që qëndrojnë atje. Kjo do të thotë që ne mos ta arrinim qëllimin për të cilin kemi shtatë vjet që po punojmë. Që vendit t'i garantonim një të ardhme të mirë dhe siguri për vete“.

Në Afganistan duhet luftuar droga dhe kriminaliteti
Shumë diskutues në parlament theksuan se e ardhmja e sigurtë nuk po duket akoma në Afganistan.Talebanët po e bëjnë vendin akoma më të pasigurtë. Shtatë vjet pas nisjes së ndërhyrjes në Afganistan, qeveria federale është për dërgimin e 4500 ushtarëve atje, që do të thotë 1000 më tepër se deri tani. Megjithatë, kristiandemokrati, Andreas Shokenhof paralajmëroi se nga ndërhyrjet ushtarake është vetëm një pjesë e vogël e punës që mund të bëhet. E rëndësishme është :„E para: lufta kundër drogës dhe kriminalitetit, e dyta: lufta kundër korrupsionit dhe përmirësimi i udhëheqjes së qeverisë dhe e treta: Pakistanin ta afrojmë që të luftojë kryengritësit.“

Plan konkret për tërheqjen

Këto deficite janë të njohura dhe përsëri veprohet pak. Zhgënjimi u pa edhe në debatet e shumë deputetëve gjermanë në parlament. Liberalët nuk ishin vetëm kur kërkuan që të vazhdohej me trajnimin e policisë afgane. Sa më shumë që Afganistani të mos jetë i aftë vetë të arrijë sigurinë, aq gjatë do të rrijë edhe bundesvehri në Hindikush. Një plan tërheqjeje, qeveria nuk e ka. Kjo gjë e shqetëson deputetin e Të Gjelbërve, JyrgenTritin. Ai kërkoi nga qeveria një plan konkret kohor: për çfarë dhe deri kur do të realizohet ky plan. “Ne nuk dëshirojmë parrulla. Por ne presim nga juve një plan realist se me çfarë hapash dhe me çfarë përgjegjësie do të punohet në Afganistan.“

Gati 3 miliard euro i ka kushtuar bundesvehrit gjerman nga viti 2001 ndërhyrja në Afganistan. Kjo është shumë më tepër se sa ndihmat për zhvillim. Kjo ishte dhe arsyeja që shumë deputetë nga Të Gjelbërit abstenuan. Partia e Të Majtëve shkoi edhe më tej duke votuar së bashku kundër, sepse, sipas tyre, misioni në Hindukush është i dështuar.

Deputeti Paul Shefer kërkon nga NATO që t'i tërheqi ushtarët menjëherë nga Afganistani: „Një e vërtetë e pashmangshme është se deri në fund të vitit 2006 NATO kishte 32 mijë trupa në Hindukush dhe tani këto janë rritur në 53 mijë. Por dhuna nuk është zvogëluar.“

Këtë e ka provuar dhe bundesvehri gjerman në zonat veriore ku ato operojnë, ku shpesh ushtarët janë sulmuar. Shtimi i forcave ushtarake është edhe një ndihmë për vetë mbrojtjen e ushtarëve gjermanë. Por kjo nuk do të thotë që do të nisen menjëherë 1000 ushtarët, ka bërë të ditur ministri gjerman i mbrojtjes.