1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka konflikte në parlamentin sa për sy e faqe

14 Mars 2012

Përfundon Kongresi Kombëtar Popullor kinez me miratimin e raportit vjetor të kryeministrit Jiabao dhe procedurën e re penale. Kina demonstron unitet, konfliktet e brendshme as nuk lihen të dalin në sipërfaqe.

https://p.dw.com/p/14KI5
Pamje nga kongresi
Pamje nga kongresiFotografi: Reuters

Në Kinë gjithçka është e përmasave të mëdha. Kjo vlen edhe për parlamentin kinez. Me 3.000 delegatët e tij, ky parlament është më i madhi në botë.

Në Kinë gjithçka është ndryshe. Kjo mund të thuhet edhe për parlamentin kinez: Megjithëse me kushtetutë ai është organi më i lartë shtetëror, kjo nuk do të thotë gjë. Në të gjithë historinë e tij nuk kemi ndonjë rast ku të jetë rrëzuar ndonjë projektligj. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të kthehet për rishqyrtim një raport vjetor. Në vend të debateve në plenum sundon mërzia dhe gogësima. Thënë shkurt: Kongresi Kombëtar Popullor është një parlament sa për dukje.

Ndoshta është rastësi: Këtë vit periudha e seancave të Kongresit Popullor filloi pikërisht në "Ditën e Lei-Fengut". Lei Feng është një ikonë e fallsifikuar e propagandës komuniste. Për shkak të gjoja vetëmohimit dhe thjeshtësisë së tij, ushtari më i ri në vitin 1960 është kthyer në figurë kombëtare. Por gjithkush e di: Lei Fengu i propagandës nuk ka jetuar kurrë ashtu sipas parullave propagandistike, ndërsa ditari i tij është një produkt i stisur. Megjithatë kjo nuk u bë pengesë që këtë vit të fillonte një fushatë e pashembullt, ku agjitohet për "mësimet e Lei Fengut".

Ashtu si Lei Fengu edhe përfaqësia popullore në hollin e popullit është fallsifikim: Nga rreth 3.000 deputetë vetëm një duzinë janë fermerë. Nga ana tjetër të 70 deputetët më të pasur kanë një pasuri mbi 80 miliardë dollarë. Në këtë pikë vërtet mund të flitet për "socializëm me tipare kineze".

Matthias von Hein komenton
Matthias von Hein komenton

Një ortek statistikash vërshoi drejt deputetëve të Kongresit Popullor, shtypit dhe popullit kinez. Megjithatë transparenca është ndryshe. Një shembull për këtë e dha presidenti i Gjykatës së Lartë Popullore Kineze me raportin e tij vjetor. Edhe ai përmban një sërë statistikash. Aty mund të shohësh një të re interesante, që në vitin e shkuar janë trajtuar ligjërisht rreth 66.000 raste të shkeljes së drejtave të autorit, një rritje me 40% krahasuar me vitin 2010. Apo që ka pasur rreth 70.000 raste të krimeve të rënda, përfshi edhe dënimin e 105.000 kriminelëve.

Se sa dënime me vdekje janë dhënë apo janë zbatuar, nuk dihet. Kjo mbetet një sekret shtetëror i ruajtur mirë. Dihet vetëm se janë më shumë se në të gjithë pjesën tjetër të botës, disa supozime bëjnë fjalë për 4.000 raste. Së paku është mbyllur një kanal province, në të cilin intervistoheshin të dënuarit me vdekje pak para ekzekutimit, - edhe ky vendim u mor rastësisht gjatë seancave të kongresit.

"Shoqëria harmonike" e propaganduar nga kryeministri Ven Jiabao dhe presidenti Hu Jintao shpenzon më shumë për sigurinë e brendshme se sa për ushtrinë - edhe kjo bën pjesë ndër shifrat interesante të këtij kongresi.

Për kryeministrin dhe presidentin ka filluar viti i fundit i mandatit të tyre. Në prapaskenë zhvillohet një luftë e ashpër për pushtetin në dhomat e përhershme të byrosë politike. Shtatë nga nëntë vendet e përhershme të qarkut më të ngushtë të pushtetit do të zëvendësohen në vjeshtë. Por në kongresin popullor sigurisht që u retushua çdo lloj konflikti. Regjia e kongresit ishte konceptuar e tillë që gjithmonë të nxirrte në dritë një pamje të pacënuar uniteti. Përfshi këtu edhe deputetët e minoriteteve. Ata u lejuan të paraqiteshin me kostumet e tyre shumëngjyrëshe dhe të sillnin në kongres një frymë ekzotike. Por për t'u angazhuar për të drejtat që kërkojnë minoritetet sigurisht që nuk lejoheshin. Vala e vetëdjegieve të tibetianëve u tematizua vetëm kur një funksionar nga Sishuani i kategorizoi ato si krime. Populli e di se që këto inskenime nuk sjellin gjë, prandaj është i painteresuar. Populli e di edhe se vendimet në Kinë merren diku tjetër, dhe ai nuk pyetet.

Autor: Matthias von Hein

Redaktoi: Lindita Arapi