1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Pakistan ekziston rreziku i shpërbërjes së rendit shtetëror.

28 Dhjetor 2007

Me vrasjen e Butos Musharrafi humbi vërtet një kundërshtare politike, por armiqtë e vërtetë vazhdojnë të jenë të pranishëm në Pakistan.

https://p.dw.com/p/ChbZ
Trupat policore përdorin gaz lotsjellës ndaj demonstruesve në PakistanFotografi: AP

Zhvillimet e rrezikshme që mund të ndodhin në Pakistan pas vrasjes së Benazir Butos janë në qendër të shtypit të sotëm gjerman:

"Schwäbische Zeitung" (Leutkirchen) shkruan:

"Me vrasjen e Butos fanatikët kanë arritur përfundimisht një gjë. Në Pakistan ekziston rreziku i shpërbërjes së rendit shtetëror. Një seri atentatesh si ndaj personave të besuar të presidentit aktual Musharraf edhe ndaj përfaqësuesve të opozitës po çojnë vendin drejt një gremine, gjë që bëhet edhe më e rrezikshme po të mendosh se Pakistani shtrihet në një rajonet më të ndjeshme të botës sa u përket çështjeve të sigurisë dhe të politikës. Të gjitha këto duhet t'u shkaktojnë shqetësime të gjithëve."

Gazeta "Westfälische Nachrichten" vëren:

Vrasja e Butos është goditje edhe për presidentin e Pakistanit Pervez Musharraf, pozitat e të cilit janë të lëkundura. Vetëm para pak kohësh ai e kishte argumentuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme me shtimin e terrorit islamik në vend. Por Musharrafi nuk duket të jetë në gjendje që ta vërë nën kontrroll këtë problem, edhe pse ai mund t'i besojë mbështetjes së trupave të ushtrisë, shef i përgjithshëm i së cilës ishte deri para disa kohësh. Islamistët me sa duket ka kohë që nuk janë duke luajtur si macja me miun me qeverinë pakistaneze vetëm në rajonin kufitar me Afganistanin. Me vrasjen e Butos Musharrafi humbi vërtet një kundërshtare politike, por armiqtë e vërtetë vazhdojnë të jenë të pranishëm në Pakistan. Perëndimit nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se t'i vijë në ndihmë presidentit Musharraf, sepse në fuçinë e barutit me emrin Pakistan nuk ka alternativa të tjera.

Gazeta "Cellesche Zeitung" shkruan:

Perëndimi dhe në radhë të parë SHBA-të humbën një nga shpresat e tyre në luftën në politikën globale. Shpesh perëndimi heq dorë nga këmbëngulja për respektimin e të drejtave të njeriut prej qeverive të shtete mike, kur vjen fjala për çështje dhe probleme "praktike" si furnizimi me naftë dhe gaz, apo si në rastin e Pakistanit, ku kreu i shtetit ka në dorë edhe butonin për ndezjen e raketave atomike. Pikërisht ky fakt do të jetë në qendër të vëmendjes së kryeqyteteve në botë dhe do t'i garantojë pushtetmbajtësit Musharraf mbështetjen e mëtejshme të perëndimit. Por perëndimi mund ta fitojë luftën kundër terrorit fundamentalist vetëm në rast se demokratët distancohen bindshëm prej aleatëve të dyshimtë, që shkelin në vendet e tyre me këmbë vlerat e demokracisë.