1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

210409 Obama CIA

21 Prill 2009

Administrata amerikane publikoi javën e kaluar dokumenta që tregojnë për metodat e diskutueshme të marrjeve në pyetje të bashkëpunëtorëve të CIA-s. Prandaj, vizita e Obamës dje në rezidencën e CIA-s u ndoq me vëmendje.

https://p.dw.com/p/Hb9m
Rezidenca kryesore e CIA-s në Langley.
Vizita e djeshme e Obamës në rezidencën kryesore të CIA-s në Langley, u ndoq me vëmendje të madhe.Fotografi: dpa


Javën e kaluar, administrata e Barak Obamas publikoi dokumenta të klasifikuara deri atë moment si sekrete. Në to bëhej fjalë për metoda të diskutueshme marrjesh në pyetje të bashkëpunëtorëve të CIA-s, për shembull për të ashtuquajturin Waterboarding. Obama u kritikua pse i publikoi këto materiale. Prandaj, vizita e tij e djeshme në rezidencën kryesore të CIA-s në Langley, Virginia u ndoq me vëmendje të madhe.


Aktivistë të të drejtave të njeriut demostrojnë në Uashington, 6 nëntor, 2007.
Aktivistë të të drejtave të njeriut demostrojnë në Uashington kundër metodave të marrjeve në pyetje të CIA-s, për shembull Waterboarding. 6 nëntor, 2007.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Për pak të krijohet përshtypja se presidenti i SHBA, është "i preferuari i të gjithëve". Kur Barak Obama doli para bashkëpunëtorëve të Zyrës Qendrore të Shërbimit të Fshehtë në Langley, ai u përshëndet me duartrokitje të fuqishme. Dhe kjo megjithëse fundjavën e fundit ai u kritikua ashpër nga ish-shefi i CIA-s, Hayden. Hayedeni e akuzoi presidentin, se me publikimin e raporteve për metodat sekrete të torturave të përdorura, ai ka vështirësuar luftën kundër terrorizmit. Në një intervistë me kanalin televiziv VOX, Hayedeni tha: " Mendoj se këto informacione janë të dobishme para së gjithash për armiqtë tanë."


Por Obama nuk u turbullua nga kritika. Të hënën ai kaloi në ofensivë. Ai tha para bashkëpunëtorëve të CIA-s, se rrethana të jashtëzakonshme e kishin detyruar të lejonte publikimin e dokumentave sekrete. Në këtë kuadër, Obama foli për një aktpadije të organizatës së të drejtave të njeriut, American Civil Liberties Union. Presidenti mbrojti megjithatë edhe vendimin e tij, që bashkëpunëtorët e CIA-s të mos përndiqen juridikisht për shkak të ushtrimit të metodave të diskutueshme të marrjeve në pyetje. Ai tha se nuk ka gjë më të rëndësishme, se sa mbrojtja e identitetit të bashkëpunëtorëve të CIA-s. Prandaj ai do të mbrojë ata dhe garantojë sigurinë e tyre.

Michael Hayden, ish-shefi i CIA-s.
Michael Hayden, ish-shefi i CIA-s, akuzon presidentin, se me publikimin e raporteve për metodat sekrete të torturave të përdorura nga CIA, ka vështirësuar luftën kundër terrorizmit.Fotografi: AP


Obama, publikoi të enjten e kaluar dokumenta nga koha e paraardhësit të tij në post. Në to u paraqiten në mënyrë të detajuar kryesisht metodat e marrjes në pyetje të të dyshuarve terroristë, të miratuara nga presidenti Bush. Ndër to bënin pjesë lënia pa gjumë, vendosja në pozicione trupore që shkaktojnë dhimbje, goditje në fytyrë dhe nën bark si dhe zhveshja. U bë e ditur edhe se oficerët e CIA-s, në vitin 2003 kishin aplikuar 183 herë mbytjen e simuluar me ujë, kundër Chalid Sheik Mohamedit, të akuzuar për atentatet e 11 shtatorit 2001. Metodat e përshkruara në dokumente nuk do të praktikohen më në të ardhmen, tha më tej Obama.

Autor: Klaus Kastan / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama