1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290311 Obama Libyen-Rede

29 Mars 2011

Presidenti i SHBA-së përpiqet t'ua shpjegojë operacionin qytetarëve të tij. Në një fjalim televiziv Obama theksoi, se rreziku i masakrës së pushtetmbajtësit Gadafi kundër popullit të tij e bëri të ndërhyjë.

https://p.dw.com/p/10jed
Obama flet për Libinë në Uashington
Obama flet për Libinë në UashingtonFotografi: AP

Fjalimi i presidentit Obama për gjendjen në Libi u drejtohej në radhë të parë bashkëatdhetarëve të tij. Para nxënësve të një shkolle të lartë ushtarake në periferi të kryeqytetit amerikan ai bëri një bilanc të sukseseve të ndërhyrjes në Libi dhe u mbrojt nga kritikat në rritje ndaj politikës së Shteteve të Bashkuara në Libi. Ai renditi arsyet për pjesëmarrjen amerikane.

"Sikur të kishim pritur një ditë më shumë, Bengazi mund të kishte përjetuar një masakër, që do të ishte përhapur në të gjithë rajonin dhe që do të kishte rënduar ndërgjegjen e të gjithë botës. Nuk ishte në interesin tonë që ta lejonim këtë..."tha Obama dhe kritikoi indirekt edhe Gjermaninë, pa e përmendur me emër.

"Disa shtete mbyllin sytë para mizorive, por SHBA janë këtu ndryshe."

Hezitim për ta zgjeruar operacionin ushtarak

Si tjetër arsye për ndërhyrjen amerikane Obama përmendi pozicionin strategjik të Libisë, ndërmjet Egjiptit dhe Tunizisë: "Sikur Gaddafi të kishte vazhduar, vala e refugjatëve do të kishte rënduar këto shtete, të cilat ndodhen në tranzicionin dhe janë larg stabilitetit", tha presidenti amerikan.

Ai përsëriti hezitimin për të zgjeruar operacionin ushtarak, me qëllim që të arrihet ndërrimi i regjimit. Mendime të tilla janë të gabuara tha ai:

"Zgjerimi i operacionit tonë ushtarak për të arritur ndryshimin e regjimit do të ishte gabim."

Operacioni ushtarak duhet të ketë për qëllim sigurinë e popullsisë civile. Megjithatë edhe më tutje do të ndiqet qëllimi politik që Gadafi të largohet dhe populli libian të vendosë vetë për të ardhmen e tij, shtoi Obama.

Obama pas një deklarate për Libinë
Obama pas një deklarate për LibinëFotografi: AP

Vëzhguesit kanë kritikuar ditët e fundit Obamën për mungesë veprimi. Prandaj Obama theksoi në fjalimin e tij, se ai nuk druhet as të ecë i vetëm, në rast se rrezikohet siguria amerikane. Por në Afrikën e Veriut ai do ta ndajë barrën me aleatët, tha presidenti amerikan.

"Një udhëheqje e vërtetë krijon kushtet për koalicione, në mënyrë që të tjerët të bashkëpunojnë dhe se bashku me partnerët të mbahet një pjesë të ngarkesës dhe të shpenzimeve. "

Reagime të përziera

Obama kundërshtoi edhe kritikën se ka hezituar shumë. Është nevojitur një muaj për të ndërhyrë , tha ai, por..

"Në Bosnjë bashkësisë ndërkombëtare i është dashur më shumë se një vit, derisa ai mundi ta mbrojë popullsinë civile nga ajri."

Reagimet e para në SHBA ndaj fjalimit të Obamës ishin të përziera. Për republikanët senatori John McCain u shpreh:

"Pjesa e parë e fjalimit ishte e shkëlqyer, mënyra se si e përshkroi nevojën për të ndërhyrë. Pastaj ai bëri deklarata konfuze, kur tha se shkatërrimi regjimit me dhunë do të kishte qenë gabim. Kjo duhet t'i ketë pëlqyer Gadafit."

Të martën (29.3.) ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s mblidhen në Londër për të diskutuar për hapat e ardhshme në Libi; sepse që nga e mërkura (30.3.) ndërrohet komanda dhe NATO merr në dorë drejtimin e aksionit ushtarak.

Autor: Rüdiger Paulert/Angjelina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi