1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama kryeson, por fitorja është e pasigurtë

Ralph Sina/Bahri Cani5 Nëntor 2012

Sondazhet e fundit para zgjedhjeve presidenciale në SHBA e nxjerrin Barack Obamën në prag të rizgjedhjes postin e presidentit. Shtetet vendimtare për Obamën do të jenë Ohajo dhe Florida, ku Obama është në epërsi.

https://p.dw.com/p/16cp9
Fotografi: Reuters

Në fjalimin e tij të fundit javor në radio dhe internet në prag të zgjedhjeve, presidenti aktual Barack Obama ishte shumë konkret: "Secili që ka nevojë urgjente për ndihma mund t'i drejtohet autoriteteve për mbrojtje nga katastrofat (Fema). Mund të informohet edhe në faqen e internetit të qeverisë amerikane."

Obama është nën presion, sepse rreth 40 milionë njerëz që jetojnë në bregdetin lindor ende janë pa energji elektrike. Ndërkohë që temperturat kanë rënë gati nën zero. "Këtë fundjavë me miliona amerikanë ende po luftojnë me pasojat e një prej uraganeve më të tmerrshme në historinë e SHBA-së", tha presidenti.

Rindërtimi është një proces

Në shumë vende mungon edhe uji. Para pikave të furnizimit me karburant janë krijuar radhë të gjata, sepse mungojnë karburantet jo vetëm për automjetet, por edhe për ngrohjen. Guvernatori i Nju Xhersit Chris Christie ka vendosur që të ndërmerren masa të jashtëzakonshme në 12 qarqe të vendit. "Rindërtimi është një proces dhe ai do të jetë shumë i gjatë. Ky uragan ka lënë pasoja të jashtëzakonshme në këtë vend", pohon ai.

Rivali republikan i Obamës, Mitt Romney
Rivali republikan i Obamës, Mitt RomneyFotografi: EMMANUEL DUNAND/AFP/Getty Images

Republikani i njohur Chris Christie ka lënë përshtypje në opinion, sepse kohët e fundit disa herë ka lavdëruar shtabin e krizave të udhëhequr nga presidenti Barack Obama. Edhe presidenti Obama e përmendi republikanin në fjalimin e tij javor. Gjatë ditës së djeshme, presidenti ka pasur një konferencë telefonike me guvernatorët e Nju Xhersit, Konektikatit dhe Nju Jorkut. Ata diskutuan për problemet më të mëdha në këto vende pas uraganit. Shumë vendvotime janë shkatërruar ose kanë mbetur pa energji elektrike. Në vend të tyre do të vendosen kamionë të ushtrisë, në mënyrë që zgjedhësit të mund të votojnë.

Kush fiton Ohajon, fiton zgjedhjet

Obama dhe Romney po bëjnë hapat e fundit në fushatën e tyre zgjedhore. Në veçanti të rëndësishme paraqiten ato si Pensilvania apo Ohajo. Mit Romney pohon se "Ohajo do të më ndihmojë të bëhem president."

Dueli Obama-Romney
Dueli Obama-RomneyFotografi: AP

Fakt është që sipas sondazheve të fundit Romney në shumicën e vendeve që konsiderohen si vendimtare për zgjedhje është pas presidentit të tanishëm Obama - me 3 - 6 % të votave. Deri tani nuk ka ndodhur kurrë që ndonjë republikan të bëhet president i SHBA-së, nëse nuk i ka fituar zgjedhjet në Ohajo. Ndaj është krejt logjike që presidenti Obama do ta ketë Ohajon deri në zgjedhje si një lloj vendbanimi të dytë. Sipas motos: ai që fiton Ohajon, do t'i fitojë zgjedhjet.