1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama: Mobilizim ndërkombëtar kundër Boko Haram

mck (afp,rtr,dpa,kna,epd)7 Maj 2014

Prej vitesh ekstremistët e grupit Boko Haram sulmojnë me bomba dhe kryejnë vrasje për një shtet islamik në veri të Nigerisë. Me rrëmbimin e më shumë se 200 vajzave terrori ka arritur në përmasa të reja. Bota u shokua.

https://p.dw.com/p/1Bv2R
Nigeria në protestëFotografi: Reuters

Ky krim është „i neveritshëm“, tha presidenti amerikan Barack Obama për televizionin ABC. “Ne kemi dërguar një ekip me një kombinim forcash ushtarake, të cilët do të përpiqen të lokalizojnë zonën ku mbahen vajzat. Kjo është një ngjarje e tmerrshme ”. Ekipi përbëhet nga personel ushtarak, policë dhe nga organizma të tjera. Ai u shpreh se kjo ngjarje mund të nxisë ndërkombëtarët të ndërmarrin veprime ndaj terroristëve të Boko Haram. “Eshtë i nevojshëm një mobilizim ndërkombëtar kundër kësaj “organizate terroriste”, theksoi Obama. Edhe Britania e Madhe ndërkohë po ndihmon institucionet nigeriane në „aspektin praktik”. Qeveria gjermane kërkoi lirimin e menjëhershëm të të rrëmbyerve.

„Ne jemi të tronditur nga dhuna çnjerëzore e fanatikëve fetarë të sektit Boko Haram në veri të Nigerisë duke terrorizuar popullsinë në përmasa të tilla“, tha një zedhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin. E ngarkuara e BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton tha gjatë një vizite në Uashington se fati i vajzave ka tronditur gjithë botën.

Nigeria Terror Imam Abubakar Shekau von Boko Haram
Imami Abubakar Shekau i grupit terrorist Boko HaramFotografi: picture-alliance/AP

Militantët e Boko Haram në mes të prillit kishin hyrë me forcë në një shkollë vajzash në Chibok në shtetin federal nigerian Bomo dhe kishin rrëmbyer më shumë se 200 vajza nxënëse. Rajoni ku ndodhet shkolla është në kufi me Kamerunin. Rrëmbimi i fundit mendohet të ketë ndodhur gjatë ditës së djeshme. Militantët kanë marrë peng me dhunë edhe 11 vajza të tjera nga një fshat pranë bastionit të tyre në veri-lindje të Nigerisë. Një burim i policisë, i cili nuk u identifikua, tha se vajzat janë marrë me kamionë, së bashku me bagëti të grabitura dhe dru.

Lideri i Boko Haram, Abubakar Shekau, kërcënoi nëpërmjet një video të publikuar për mediat, gjatë së hënës, se do t'i shiste vajzat e rrëmbyera në treg. Pengmarrja nga islamikët, të cilët thonë se po luftojnë për vendosjen e një shteti islamik në Nigeri, kanë shokuar jo vetëm vendin e prekur gjatë prej dhunës, por mbarë opinioni botëror.

mck (afp,rtr,dpa,kna,epd)