1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama përpiqet të qetësojë Izraelin pas marrëveshjes me Iranin

Angelina Verbica (dpa, afp, rtre, ape)25 Nëntor 2013

Pas marrëveshjës bërthamore me Iranin presidenti amerikan Obama ndjehet i detyruar të qetësojë Izraelin. Ai deklaroi se SHBA qëndron edhe më tej me vendosmëri në anën e Izraelit.

https://p.dw.com/p/1ANa3
Presidenti i SHBA Barack Obama
Fotografi: Reuters

Presidenti Barack Obama e siguroi kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu se SHBA edhe pas marrëveshjes provizore me Iranin do qëndrojë me vendosmëri në krah të Izraelit. Muajt e ardhshëm do të shfrytëzohen për të gjetur një zgjidhje të përhershme të konfliktit bërthamor, që të heqë dyshimet e ndërkombëtarëve lidhur me programin bërthamor të Teheranit, deklaroi Obama në një telefonatë me Netanjahun të dielën, njoftoi Shtëpia e Bardhë në Uashington.

Obama është në gjendje të kuptojë skepticizmin e Netanjahut. Qëllimi i përbashkët mbetet mbajtja larg e Iranit nga armët bërthamore. Marrëveshja paraprake gjashtëmujore ështe një hap i parë i rëndësishëm drejt marrëveshjes së plotë, theksoi Obama në një deklaratë të parë nga Shtëpia e Bardhë, menjëherë pas sukseseve të para në negociatat në Gjenevë.

Izraeli po vetëizolohet

Ndërsa marrëveshja e arritur në orët e para të së dielës në Gjenevë u mirëprit në mbarë botën, Netanjahu e kritikoi marrëveshjen me Iranin si një "gabim historik", që e bën "botën më të rrezikshme", sepse regjimi më i rrezikshëm në botë i është afruar shumë më pranë posedimit të armës më të rrezikshme të botës."

Symbolbild USA Israel im Gespräch
Amerikanët sigurojnë Izraelin për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.Fotografi: Getty Images

Ai u ankua se Irani nuk ka bërë aspak koncesione, ndërsa negociatorët perëndimorë me heqjen e disa sanksioneve kanë zbutur presionin mbi Teheranin.

Ministri i jashtëm izraelit Avigdor Lieberman tha në faqen izraelite të lajmeve Ynet, se kjo është "fitorja më e madhe diplomatike e Iranit në vitet e fundit." Është e qartë, se marrëveshja i lejon Teheranit të vazhdojë pasurimin e uraniumit. Kjo do të nxiste garën e armatimit në rajon.

Izraeli, vetë fuqia e vetma atomike në rajon, e sheh veten prej vitesh të kërcenuar nga programi atomik iranian dhe ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë, për të vepruar ushtarakisht, nëse vihet në rrezik siguria e tij.

Pas përpjekjeve disavjeçare pesë fuqitë me të drejtë vetoje në OKB dhe Gjermania arritën një sukses të madh në negociatat me Iranin në Gjenevë. Marrëveshja paraprake gjashtëmujore duhet të çtensionojë konfliktin bërthamor dhe të fitojë kohë për marrëveshjen përfundimtare. Marrëveshja aktuale përfshin angazhimin e Teheranit për të shfuqizuar pjesë të programit të tij bërthamor dhe për të lejuar inspektimin e OKB-së. Në shenjë kompensimi do të zbuten sanksionet ekonomike, të cilat e kanë sjellë vendin në prag të kolapsit ekonomik.