1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama para një sprove të rëndësishme

18 Mars 2010

Në fundjavë pritet të miratohet projekti më i rëndësishëm i politikës së brendshme për presidentin amerikan Obama: reforma shëndetësore. Ajo do t'ju ofrojë një minimum sigurie disa milionë amerikanëve.

https://p.dw.com/p/MVoY
Barack ObamaFotografi: AP

Në Kaliforni infermieret e sjellin me këngë reformën shëndetësore. Dhe në Uashington presidenti Obama përballet me një intervistë jashtëzakonisht agresive në stacionin ultrakonservator të lajmeve Fox. Gjithçka me një synim të vetëm: për t'u miratuar reforma shëndetësore, që do t'ju sjellë 31 milionë amerikanëve sigurim shëndetësor dhe do të kufizojë fuqinë e shoqërive të sigurimeve shëndetësore. Obama nuk deshi të ndalej në çështje teknike të procedurës së votimit

"Çelësi qëndron në sigurimin e një votimi për atë nëse do të mbajmë gjendjen e tanishme apo do të reformojmë sistemin", tha ai.

Obama përveshë mëngët

Obama nach Gesprächen zur Gesundheitsreform
Konsultime të shumtaFotografi: AP

Është kjo një javë vendimtare. Presidenti Obama ka përveshur mëngët për të bindur rreth 30 deputetët e partisë së vet për një votim të suksesshëm. Disa i ka pritur në Shtëpinë e Bardhë, me të tjerët ka telefonuar. Tek deputeti demokrat Kucinich nga Ohio pati sukses. Disa muaj më parë ai votoi kundër. Tani ka ndryshuar mendim: "Pas bisedimesh të vështira me presidentin Obama kam vendosur të votojë në favor të reformës shëndetësore."

Kucinich e di që kjo mund të vërë në rrezik rizgjedhjen e tij në vjeshtë, pasi në refuzimin e reformës republikanët kanë me vete shumicën e amerikanëve dhe kërcënojnë tashmë me konsekuenca.

"Kjo do të jetë tema kyç në çdo rreth zgjedhor këtë vjeshtë", kërcënon udhëheqësi i fraksionit republikan në Senat, Mitch McConnel.

Milionat për reklama

Krahas tyre grupe interesi shpenzojnë përditë më shumë se një milion dollarë në rrethet zgjedhore me konkurrencë të fortë për reklama televizive , si për shembull Dhoma Amerikane e Tregtisë.

Proteste USA Gesundheitsreform
Protesta kundër reformësFotografi: AP

"Miliarda për taksa të reja për të sjellë me çdo kusht ligjin e tyre prej një bilion dollarësh në reformën shëndetësore. I thoni Kongresit ta ndalojë këtë ligj, për të cilin nuk mund të paguajmë", reklamojnë kundërshtarët.

Por as sindikatat amerikane si mbështetëse të reformës nuk mbeten prapa. "Shoqëritë e sigurimeve shëndetësore sapo kanë bërë të ditur se do t'i rrisin premiet me deri 75 për qind. I thoni Kongresit ta miratojë tani reformën shëndetësore", sugjerojnë ata.

Dhoma e Përfaqësuesve duhet të miratojë një variant të ligjit, që ka kaluar tashmë Senatin. Duke qenë se republikanët do të votojnë patjetër kundër, demokratët duhet të shtrëngojnë radhët, gjë që nuk është e lehtë. Edhe në radhët e tyre ka zëra kundër, ndoshta për arsye përmbajtësore, ndoshta nga frika për humbjen e mandatit.

Autor: Rüdiger Paulert/Elert Ajazaj

Redaktoi: Bahri Cani