1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama shpreson për një shans të dytë

Christina Bergmann / Pandeli Pani4 Shtator 2012

Rizgjedhja e Obamës nuk është patjetër e sigurt, sepse shumë amerikanë nuk janë më aq entuziastë sa para katër vjetësh.

https://p.dw.com/p/162xA
Presidenti Barack Obama
Fotografi: dapd

 Në vitin 2008 entuziazmi nuk njihte kufij. "Yes we can" ishte slogani me të cilin Obama karizmatik motivonte pasuesit e tij. Premtimin e tij: "Shpresë dhe Ndryshim" Barack Obama e shpjegonte në atë kohë me fjalët: "Unë e di se që nuk pata shumë kohë për të njohur me themel strukturat e pushtetit të Uashingtonit, por unë pata mjaft kohë për të marrë vesh se Uashingtoni duhet të ndryshojë." 

Katër vjet më vonë, optimizmi i ka lënë vendin objektivizmit. Barack Obamës i duhet të pranojë që: "Ne kemi ende shumë për të bërë." Pa pushim ai udhëton nga shteti në shtet duke kërkuar një mandat të dytë. Iowa, ku ai fitoi atëherë, çuditërisht, zgjedhjet paraprake të demokratëve dhe  korri një fitore në zgjedhjet presidenciale ndaj republikanit John McCain, është kthyer në një "shtet fushëbetejë", në të cilin presidenti Obama dhe sfidanti republikan Mitt Romney janë në një garë kokë më kokë.

Jo president perfekt

Gjatë një aktiviteti të fushatës zgjedhore në një shkollë në qytetin e vogël Marshalltown Obama tha "Unë kam thënë që në vitin 2008 se nuk jam i përsosur - për këtë mund të pyesni edhe [gruan time] Michelle - dhe se nuk do të jem një president i përkryer, kjo është e pamundur." Por, vazhdoi presidenti 51-vjeçar, ai do të luftojë çdo ditë për shqetësimet e votuesve - për shkak se duhen "ndërtuar akoma më shumë shkolla, duhen punësuar më shumë mësues, duhen sjellë më shumë ushtarë në shtëpi, duhen ndërtuar më shumë rrugë."

Presidenti premton që ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Kuota e papunësisë prej mbi tetë për qind është alarmante për standardet amerikane, dhe ekonomia amerikane po rimëkëmbet me ngadalë megjithë ndihmat financiare shtetërore në miliarda dollarë që miratoi Obama në fillim të vitit 2009. Edhe iniciativat e tjera legjislative, ose kanë mbetur në vend si p.sh. reforma e imigracionit ose po zbatohen vetëm me gjysmë zemër si reforma e Wall Street-it.

Luftë për pushtet me republikanët

Gjithësesi reforma në fushën e shëndetit, në të cilën qeveria e Obamës edhe u përqëndrua kryesisht hyri në fuqi mars 2010. Por aprovimi i kësaj reforme në Kongres, qe i vështirë pasi demokratët humbën në nëntor 2010 zgjedhjet e Kongresit pra shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve. Nga kjo kohë Presidenti dhe Kongresi bënin luftë për pushtet gjë që paralizoi procesin legjislativ dhe e çuan vendin në vitin 2011 në prag të falimentimit financiar.

Sipas anketimeve nga 68% e amerikanëve që ishin të kënaqur me Obamen në kohën kur erdhi në pushtet, sot të kënaqur janë vetëm 45%. Gjithësesi krahasuar me konkurrentin e tij Mitt Romney sipas anketimeve Obama ka simpatinë e 81% të amerikanëve, kurse Romney vetëm 64%.

Në kongresin e demokratëve në Karolinën Veriore ku partia e tij do ta përcaktojë Obamën zyrtarisht si kandidat për zgjedhjet e ardhëshme duket se Obama nuk do të ketë sërish shkëlqimin e katër viteve më parë. Edhe slogani elektoral nuk është aq karizmatik sa "Hope" und "Change" - "Shpresë dhe Ndryshim" Slogani i sivjetshëm është i thjeshtë: "Forward" - "Përpara".