1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ofensivë sharmante - Presidenti serb Tadiq kërkon në Berlin pranimin në BE

29 Qershor 2011

Në samitin e BE në Selanik në vitin 2003 Serbisë se bashku me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor iu ofrua një "perspektivë evropiane". Tani presidenti serb Boris Tadiq kërkoi në Berlin, që ky premtim të mbahet.

https://p.dw.com/p/11l2o
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq
Presidenti i Serbisë, Boris TadiqFotografi: AP

Nuk ishte rastësi, që presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, prezantoi idetë e tij për një bashkëjetesë paqësore në Ballkan në fondacionin Friedrich-Ebert. Sepse këtu ai ndjehet "në mesin e miqve", siç theksoi disa herë presidenti dhe kujtoi se e ka vlerësuar angazhimin e fondacionit në Serbi që në kohën, kur ka qenë politikan i opozitës.

Thirrja për pajtimin ndërmjet ish palëve në konflikt në Ballkan përshkoi si një fill i kuq të gjithë fjalën e tij. „Pajtimi është detyrimi ynë për brezat e ardhshëm", tha presidenti. Me dorëzimin e kriminelit serb të luftës Ratko Mladiq Serbia ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim. Edhe krimineli i luftës Goran Hagjiq do të dorëzohet.

Vitet e fundit Tadiqi ka bërë shpesh gjeste pajtimi ndaj fqinjëve të tij: Ndër të tjera ai inicioi në mars të 2010-ës një deklaratë për Srebrenicën në parlamentin serb, në të cilin u dënuan krimet ndaj muslimanëve të Bosnjës në vitin 1995. Tani presidenti serb pret që edhe palet e tjera ndërluftuese të dorëzojnë kriminelët e dyshuar të luftës. „Askush nuk duhet të ngrihet mbi ligjin dhe të gjithë kriminelët duhet të dorëzohen", kërkoi ai dhe lidhur me akuzat e ngritura nga Këshilli i Evropës për trafikimin e dyshuar me organe në Kosovë, tha se pret që Këshilli i Sigurimit të OKB-së të urdhërojë një hetim të pavarur, që të shqyrtojë akuzat.

Boris Tadiq duke përkujtuar Srebrenicën
Boris Tadiq duke përkujtuar SrebrenicënFotografi: AP

Dorëzimi i Mladiqit nuk ka qenë llogari politike

Tadiq kundërshtoi me forcë se dorëzimi i Ratko Mladiqit në tribunalin e krimeve të luftës ka qenë një llogari politike, për të avancuar pranimin e Serbisë në BE. Serbia e ka mbajtur fjalën, tashti e ka rradhën BE të mbajë premtimin për një perspektivë të vërtetë anëtarësimi. Tadiq bëri të qartë se Serbia nuk e sheh veten si aplikuese, që duhet trajtuar me doreza. BE duhet ta mbajë fjalën e vet dhe të vlerësojë përpjekjet e Serbisë në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar, si dhe përpjekjet për reforma ekonomike dhe politike. Ai i kupton shqetësimet e kundërshtarëve të zgjerimit në BE, por është në interesin e bashkësisë që t'i mbajë premtimet. Sepse në qoftë se pengohen përpjekjet e integrimit në Balkan, kjo mund të shkaktojë tensione të reja në rajon, paralajmëroi presidenti serb.

Kufinjtë nuk duhen ndryshuar

Boris Tadiq me të ngarkuarën e BE për Punët e Jashtme, Kathrin Ashton, në Bruksel
Boris Tadiq me të ngarkuarën e BE për Punët e Jashtme, Kathrin Ashton, në BrukselFotografi: Marina Maksimovic

Tadiq theksoi se Serbia është një vend kyç në rajon dhe ka ndikim stabilizues tek fqinjët. Në lidhje me tendencat për shkëputje të republikës Srpska në Bosnjë-Hercegovinë të populluar kryesisht nga serbë, ai theksoi se qeveria e tij është kundër çdo ndryshimi të kufijve ekzistues dhe mbështet një Bosnjë-Hercegovinë unike. As Shqipëria e madhe dhe as Serbia në madhe nuk vijnë në konsideratë.

Njohjen e pavarësisë së Kosovës Tadiq e përjashtoi kategorikisht, po iu referua dialogut në vazhdim ndërmjet Beogradit dhe Kosovës, që drejtohet aktualisht nga BE në Bruksel. Ai përfshin zgjidhjen e problemeve të rëndësishme të përditshme si liria e lëvizjes dhe telekomunikacioni. Por ai e ka të qartë se duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme, për të dy shtetet. Një shembull është marrëveshja gjermano-gjermane e vitit 1972, e cila u mundësoi atëherë të dy shteteve anëtarësimin në OKB.

Presidenti serb u tregua optimist: Pasi pranimi i Kroacisë në BE është praktikisht një çështje e mbyllur, as Serbia nuk do të duhet të presë gjatë. Afro pesë vjet do të zgjasë, derisa Serbia të mund të bëhet anëtare. Gjermania, shpreson ai, do ta mbështesë Serbinë politikisht në këtë rrugë.

Autor: Verica Spasovska / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti