1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ofensiva e ministres së Mbrotjes Ursula von der Leyen

Sven Pöhle / Pandeli Pani15 Janar 2014

Ministrja gjermane e Mbrojtjes i ka vënë vetes një detyrë të madhe, reformimin e Bundeswehrit sipas motos balancë mes shërbimit ushtarak dhe familjes.

https://p.dw.com/p/1AqY7
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Ne duam të jetë një punëdhënës tërheqës" - ministrja e Mbrojtjes Ursula von der Leyen përcaktoi që në javët e para në detyrë një linjë të qartë. Sipas saj ushtria gjermane Bundeswehri duhet t'u krijojë kushte më të mira për t'u kujdesur për familjen ushtarëve dhe ushtareve. Në një intervistë me ARD (13.01.14) ajo tha se masat e para për këtë është ngritja e qendrave për përkujdesje ndaj fëmijëve në kazerma dhe orare fleksibël pune për ata që kanë familje.

Probleme me rekrutimin, shkurtimet dhe mbylljet e kazermave

Sipas ministres së Mbrojtjes në të ardhmen ushtaret dhe ushtarët mund të punojnë me orar të reduktuar kur kanë fëmijë të vegjël, ose të mos ketë shumë transferime nga një qytet në tjetrin. Von der Leyen tha se "ushtaret dhe ushtarët kanë nevojë për një balancë mes shërbimit ushtarak dhe familjes."

Ministrja dallohet në këtë mënyrë mjaft prej paraardhësit të saj Thomas de Maizière, i cili nuk kishte shumë mirëkuptim për frustrimin në radhët e ushtarëve për shkak të reformave në ushtri që nisën në vitin 2010 dhe qe e lidhur me heqjen e shërbimit të detyruar ushtarak dhe reduktimin e trupave nga 250.000 në rreth 175.000 ushtarë profesionistë dhe rreth 8.800 vullnetarë. Po ashtu në kuadër të reformave deri në vitin 2017 do të mbyllen 32 reparte të Bundeswehrit dhe 90 të tjera do të zvogëlohen.

Amtsübergabe Ursula von der Leyen Verteidigungsministerin
Von der Leyen dhe paraardhësi i saj Thomas de MaizièreFotografi: Getty Images

Valë ankesash nga ushtarët

Reformat e Bundeswehrit shkaktuan një valë ankesash tek i Ngarkuari i Bundestagut për Mbrojtjen, Hellmuth Kënigshaus. Numri i tyre arriti në 5061, shifra më e lartë kjo nga viti 1959.

Shoqata e Forcave të Armatosura, e cila mbron interesat e ushtarëve gjermanë, kritikon sidomos ritmin e reformave: "Vendimi për transformimin nga një ushtri me rekrutë në një ushtri vullnetare u mor vërtetë shpejt, por ende nuk ka ndryshime të kushteve sociale për të arritur në epokën e ushtrisë vullnetare," tha kryetari i shoqatës, André Wüstner për DW. "Tani është koha që njerëzit të vihen në qendër dhe këtë zonja von der Leyen e ka kuptuar dhe për këtë arsye shumë njerëz në Bundeswehr kanë sërish shpresa ."

Tërheqës megjithë masat e kursimit

Eksperti i Bundeswehr-it Berthold Meyer tha për DW se "nuk ka profesion më të vështirë që mund të kombinohet me jetën familjare , se sa ai i ushtarakëve." Ai i quan të mira planet e ministres, sepse problematik për Bundeswehrin është fakti se duke u kthyer në një ushtri me ushtarakë vullnetarë dhe jo ushtri me shërbim të detyruar, Bundeswehri si punëdhënës është në konkurrencë me punëdhënës të tjerë, "të cilët jo vetëm që mund të paguajnë më mirë, por edhe pa qenë e nevojshme që punonjësit ta vënë jetën në rrezik si ushtarët."

Von der Leyen ne Afaganistan
Fotografi: picture-alliance/dpa

Por planet e von der Leyen nuk ndeshin vetëm në pengesa strukturore. "Zbatimi i masave do të kushtojë shumë të holla, të cilat deri tani nuk janë të parashikuara në buxhetin e mbrojtjes," - tha politikani i gjelbër Tobias Lindner për gazetën "Handelsblatt". Ngritja e qendrave ditore për fëmijët do të kushtojë disa milionë euro shumës dhe përveç tyre duhet punësuar edhe personel shtesë.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes tha e pyetur nga DW, se masat që parashikon ministrja von der Leyen do të financohen nga buxheti ekzistues të mbrojtjes. Për këtë fillimisht do të bëhet një inventar i nevojave dhe pastaj do të merren masa konkrete.