1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Oketa: Çështja e municioneve të tepërta është mbarëkombëtare

Anila Shuka29 Maj 2008

Në një intervistë ekskluzive me DW, ministri shqiptar i mbrojtjes, Gazmend Oketa, shprehet i bindur se Shqipëria i ka plotësuar standardet e duhura për anëtarësim në Nato.

https://p.dw.com/p/E8Hl
Oketa me Jung të mërkurën 28 maj 2008Fotografi: Bundeswehr/Bienert

DW: Zoti Ministër, ju u takuat me ministrin gjerman të mbrojtjes Franc Jozef Jung (Franz-Josef Jung). Cili ishte mesazhi i këtij takimi?

Oketa: Ishte një takim ku mesazhi kryesor ishte ai i bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi patur gjatë gjithë këtyre viteve midis dy qeverive dhe ministrive përkatëse, midis forcave të armatasura të Gjermanisë dhe Shqipërisë. Iu shpreh falenderimi qeverisë gjermane e ministrisë së mbrojtjes për mbështetjen që i dhanë Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësimin në Nato siç edhe u shpreh mbështetja nga ana ministrisë së mbrojtjes gjermane për vazhdimin e procesit të bashkëpunimit, jo vetëm për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato, por edhe më gjerë.

DW: A ju tha ministri Jung se kur mund ta ratifikojë parlamenti gjerman vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato?

Oketa: Shqipëria do ta nënshkruajë protokollin e anëtarësimit në NATO në fillim të muajit korrik dhe besoj se të gjitha vendet anëtare të Nato-s do të bëjnë përpjekjet maksimale për ratifikimin brenda një kohe sa më të shkurtër të kësaj marrëveshjeje në parlamentet e tyre. Natyrisht ministri Jung shprehu vullnetin e tij por nuk mund të japë zoti Jung garanci, pasi kuptohet që ratifikimi bëhet në parlamentin përkatës, por zoti Jung dha mbështetjen e tij personale dhe besoj se do të bëjë të gjitha përpjekjet që kjo marrëveshje të ratifikohet sa më shpejt në mënyrë që në samitin e ardhshëm Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota.

DW: Para se të hynte Shqipëria në Nato nga shumë analistë u vu në dukje, se Shqipëria nuk i plotëson standardet e Natos. Çfarë po bën Shqipëria për t'i plotësuar këto standarde.

Oketa: Së pari, nuk mendoj se kanë qenë shumë analistë ata të cilët e kanë thënë këtë, megjithatë mendoj se pak rëndësi ka numri. Përgjigja ime do të ishte kjo: Në rast se Aleanca e Atlantikut të Veriut do të pranonte në gjirin e saj vende të cilat nuk përmbushin standardet atëherë në radhë të parë do të vihej në pikëpyetje serioziteti i kësaj aleance. Nato është një aleancë serioze, e cila vitin tjetër feston 60 vjetorin e themelimit të saj, një aleancë e vendeve ne demokraci të konsoliduar, me shtet ligjor dhe ekonomi tregu funksionale. Unë ju garantoj se Shqipëria e ka merituar ftesën për anëtarësim në Nato.

Deutschland Albanien Franz Josef Jung empfängt Gazmend Oketa
Jung e pret Oketën me nderime ushtarakeFotografi: Bundeswehr/Bienert

DW: Banorët e Gërdecit vazhdojnë të jenë të pakënaqur me nivelin e shpërblimit apo dhe me pastrimin e zonës. Si e komentoni ju këtë?

Oketa: Në pozicionin e zëvendëskryeministrit kam drejtuar komitetin ndërministror që është marrë me menaxhimin e situatës pas tragjedisë. Janë ngritur grupe pune me ekspertë të institucioneve të ndryshme dhe në bazë të legjislacionit shqiptar, besoj se është bërë një punë e lavdërueshme, korrekte dhe serioze. Çmimet e referencës që janë përdorur për vlerësimet e dëmshpërblimit mendoj se janë korrekte, janë krijuar për të gjitha hapësirat dhe të gjitha mundësitë që rastet e ankesave të shqyrtohen rast pas rasti. Nuk besoj se disa rate të veçanta mund të përcaktojnë të gjithë fatin e kësaj çështjeje. Gjithsesi, qeveria shqiptare është e vendosur të dëmshpërblejë realisht në atë çfarë i takon të gjithë qytetarët e dëmtuar.

DW: A garantoni ju, si ministër i mbrojtjes që nuk do të ketë një Gërdec të dytë?

Oketa: Unë garantoj se një Gërdec të dytë në Shqipëri nuk mund dhe nuk do të ketë. Natyrisht, ministri i mbrojtjes nuk mund të jetë i vetmi garant i kësaj çështjeje. Çështja e municioneve të tepërta në Shqipëri është një çështje mbarëkombëtare, e cila duhet analizuar me kujdes, ajo kërkon kujdesin dhe vëmendjen e të gjithë qytetarëve, pushtetarëve vendorë e qendrorë e të gjithë atyre, të cilët kanë në dorë të ndikojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Ministria e mbrojtjes është e angazhuar që të japë kontributin e saj në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje, dhe natyrisht beson se edhe faktorët e tjerë, duke filluar nga qeveria shqiptare, nga të zgjedhurit vendorë, nga vetë qytetarët do të japin kontributin e tyre për zgjidhjen e këtij problemi.