Oliver Ivanoviq: Nga bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit varet stabiliteti i tërë Ballkanit
17 Tetor 2010DW: Qysh nga dita e premte (15.10) është e qartë se në Kosovë do të ketë zgjedhje të reja - të parakohshme apo të jashtëzakonshme. Cili është qëndrimi i Beogradit ndaj këtyre zgjedhjeve?
Ivanoviq: Kjo situatë na ka befasur pak. Sikur të kishim më shumë kohë, çështjen do ta shqyrtonim më mirë. Në këtë situatë dyshoj se do të ndryshojë qëndrimi i Beogradit sa i përket pjesëmarrjes në institucione. Koha është tepër e shkurtër për të marrë ndonjë vendim, i cili do të ishte i kundërt me atë të deritanishmin.
DW: Do të thotë kjo, se Serbia sërish do të bëjë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve?
Ivanoviq: Fatkeqësisht koha është tepër e shkurtër për ndonjë analizë serioze të gjendjes dhe për ndonjë vendim tjetër. Përderisa nuk ke kohë për këto gjëra është më mirë t'i përmbahesh qëndrimit të mëparshëm.
DW: Si do të ndikojë kjo krizë institucionale në bisedimet e ardhshme mes Prishtinës dhe Beogradit?
Ivanoviq: Kjo krizë në Kosovë mund të ndikojë, por nuk është e thënë se do të ndikojë në bisedime. Nevoja për bisedime është e madhe. Kjo ëshë kuptuar në Beograd e më duket edhe në Bruksel dhe në Uashington. Vetëm shqiptarët e Kosovës kanë mendim tjetër, sepse nuk e kanë kuptuar seriozitetin e situatës dhe pasojat e mundshme. Instabiliteti politik ka nisur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, të cilën e kanë njohur shumë vende, por jo edhe Serbia, e cila ka theksuar se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj. Në këtë situatë shumë pak po merremi me standardin e jetës. Evropa e ka kuptuar seriozitetin dhe ka nisur një ofensvië, gjë që e dëshmojnë edhe takimet e fundit të Catherine Ashton me përfaqësuesit e Serbisë, të Kosovës dhe të SHBA-së. Edhe shqiptarët do ta kuptojnë se duhet të futen në negociata me Serbinë dhe se duhet të jenë konstruktivë. Por koha e fushatës parazgjedhore është koha më e keqe për negociata serioze dhe konstruktive.
DW: Ju keni thënë se fillimisht do të bisedohet për çështjet e jetës së përditshme në Kosovë e më vonë - pas konstituimit të parlamentit dhe qeverisë së re - edhe për "çështjet serioze". Cilat janë këto "çështje serioze" dhe a do të thotë kjo se Beogradi nuk do të heqë dorë nga negociatat për statusin e Kosovës?
Ivanoviq: Për këtë çështje nuk duhet të flitet shumë, por mendoj se kjo është një temë e pashmangshme. Bisedimet për çështjet teknike në hapin e dytë do të na sjellin tek çështja për të cilën shqiptarët mendojnë se është zgjidhur, e serbët pohojnë të kundërtën. Temat kundërthënëse nuk duhet të vihen në rend të parë, sepse e tërheqin vëmendjen nga çështjet e rëndësishme të jetës së përditshme, që mund të zgjidhen. Me rëndësi është që negociatat të fillojnë dhe që palët të respektojnë njëra - tjetrën. Paqja dhe stabiliteti në Ballkan varen prej këtyre negociatave dhe prej marrëveshjes mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan.
DW: Zoti Ivanoviq, unë ju kuptoj që Ju duhet të flisni me një gjuhë diplomatike, por unë si gazetar jo. Pra edhe një herë: a keni hequr dorë nga negociatat për çështjen e statusit, apo do të insistoni në hapjen e kësaj teme?
Ivanoviq: Serbia nuk e njeh pavarësinë e njëanshme të Kosovës, që do të thotë se kjo çështje për ne nuk është e zgjidhur. Por Serbia nuk do të insistojë që kjo të jetë tema numër një dhe që që ajo të dominojë mbi çështjet që mund të përmirësojnë kushtet e jetës së përditshme.
Intervistoi Bahri Cani
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora