1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opinioni ndërkombëtar duhet të alarmohet

17 Mars 2008

Trazirat e përgjakshme në Tibet komentohen sot nga shumë gazeta gjermane.

https://p.dw.com/p/DQHL
http://www.kadfly.blogspot.com/
http://www.kadfly.blogspot.com/

Kështu, në gazetën NÜRNBERGER NACHRICHTEN ndër të tjera lexojmë: "Pamjet nga Tibeti i sjellin në kujtesë opinionit botëror në një mënyrë dramatike një konflikt të spostuar. Dhe ato minojnë që në krye përpjekjen e komunistëve të Pekinit për t'i shpërdoruar në mënyrë propagandistike Lojërat Olimpike të verës 2008. Pamja e një Kine që përparon ekonomikisht dhe që është stabile në pikëpamje sociale dhe politike, e cila synohej t'u përcillej vizitorëve të të gjitha vendeve më pak se 20 vjet pas masakrës në Sheshin e Paqes Qiellore, pesë muaj para hapjes së spektaklit sportiv ka marrë njolla të shëmtuara."

OSTTHÜRINGER ZEITUNG, që del në Gera kujton: "Të bie në sy që edhe tibetianët, të cilët deri njiheshin në botë si natyra të qeta, kur vjen puna e humbasin vetëpërmbajtjen. Pamjet nga televizioni kinez tregojnë se në përleshje kanë marrë pjesë madje edhe murgjit. Pamjet janë të censuruara, tanket dhe forcat e sigurisë të Kinës që rrihnin, të cilat sipas dëshmitarëve shkaktuan gjithashtu dhunë në kryeqytetin Lasa, nuk u treguan. Në diskutimin e nxehur ka disa që bëjnë tani thirrje për bojkotimin e Lojërave Olimpike në Pekin. Sikur të mos kishin mësuar gjë nga Moska dhe Los Anxheles. Mjetet e gabuara nuk të ndihmojnë: as pavarësinë e Tibetit dhe as një sport të pastër."

Ja edhe mendimi i analistit të NÜRNBERGER ZEITUNG: "Opinioni ndërkombëtar duhet të jetë i alarmuar, sepse nga Tibeti detyruan të largohen të gjithë përfaqësuesit e organizata joqeveritare. Kjo mund të lërë të kuptohet se Pekini nuk dëshiron të ketë më dëshmitarë, kur të shtypë ditët e ardhshme me të gjithë ashpërsinë kryengritjen. Në ritmin e shpejtë të ngjarjeve ndërkombëtare, deri në fillimin e Lojërave Olimpike pasojat do të jenë harruar."

Së fundi edhe WESTDEUTSCHE ZEITUNG: "Udhëheqja kineze ka shpallur luftë popullore kundër separatizmit. Kjo bën të qartë vendosmërinë e saj për ta shtypur me të gjitha pasojat kryengritjen e tibetianëve. Në asnjë rajon tjetër të Kinës nuk duhet të ndihen minoritetet të thirrura për të luftuar për të drejtat e tyre. Kështu që Lojërat Olimpike, me të cilat shumë kishin lidhur shpresën e një hapjeje të Kinës, tani po kthehen në bumerang. Sepse udhëheqja kineze nuk druhet nga asgjë më tepër, se sa që minoritetet dhe opozitarët të shfrytëzojnë opinionin ndërkombëtar për të tërhequr vëmendjen tek vetja."