1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita kritikon sulmin në Kundus

12 Gusht 2011

Vendimi ka qenë vendimi i një ushtaraku gjerman, me pasojat më të rënda deri tani në luftën e Afganistanit. Më shumë se 100 vetë, mes të cilëve edhe civilë ranë viktimë e bombardimit të një cisterne në shtator 2009.

https://p.dw.com/p/12FKg
Kundus, bombardimi i një cisterne pati pasoja të rënda
Kundus, bombardimi i një cisterne pati pasoja të rëndaFotografi: AP

Sipas pikëpamjes së opozitës në parlamentin gjerman, ky aksion ushtarak ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Në këtë përfundim kanë ardhur socialdemokratët, Të majtët dhe Të gjelbërit në një raport përfundimtar. Një vit e gjysmë ka punuar komisioni hetimor i parlamentit, i cili ka marrë në pyetje 40 dëshmitarë për të sqaruar a ka qenë sulmi i drejtë dhe çfarë roli ka luajtur politika.

Hedhja e bombës mbi cisternën e rrëmbyer ka qenë "e gabuar si politikisht ashtu edhe nga pikëpamja strategjike", kritikon eksperti socialdemokrat për çështjet e mbrojtjes, Rainer Arnold. Edhe nga pikëpamja ligjore ai mund të jetë i diskutueshëm: "Rregullat e Nato-s, nuk janë zbatuar. Nëse këto rregulla nuk do të ishin shkelur atëherë nuk do të kishte patur bombardim, sepse komandanti nuk do të kishte patur legjitimitetin për të dhënë urdhërin e bombardimit."

Eksperti socialdemokrat për çështjet e mbrojtjes, Rainer Arnold.
Eksperti socialdemokrat për çështjet e mbrojtjes, Rainer Arnold.Fotografi: presse

Urdhëri për këtë aksion të kryer më 4 shtator 2009 e pati dhënë koloneli gjerman Georg Klein. Prej bombardimit humbën jetën 142 vetë. Numri i viktimave ka mbetur ende i diskutueshëm. Aleanca Veriatlantike, qeveria afgane dhe qeveria gjermane kanë ardhur në përfundime të ndryshme për numrin e viktimave. Megjithatë kërkush nuk e diskuton, që mes viktimave ka patur edhe fëmijë që kanë humbur jetën.

Megjithëse pak kohë pas zhvillimit të aksionit ushtarak, ka patur njoftime për numrin e civilëve të vrarë dhe dyshime për mënyrën e veprimit të komandantit gjerman, ministri i atëhershëm gjerman i Mbrojtjes Franz-Josef Jung e justifikoi bombardimin. Edhe pasardhësi i tij, Karl -Theodor zu Guttenberg mbeti tek këto vlerësime në fillim, për më vonë e korrigjoi veten. Vlerësimin se bombardimi ka qenë "i papërshtatshëm", zu Guttenberg e argumentoi me marrjen e informacioneve që nuk i zotëronte më parë. Inspektori i Përgjithshëm i ushtrisë Schneiderhan humbi postin, po ashtu si Sekretari i shtetit në ministrinë e Mbrojtjes, Peter Wichert.

Ndërkohë edhe ministri e ka humbur postin, megjithëse jo për shkak të aferës së Kundusit. Megjithatë opozita e pati kritikuar edhe atë gjatë kohës që ndodhej në post se me shkarkimin e bashkëpunëtorëve të lartë, ka dashur të tërheqë vëmendjen nga gabimet e veta.

Ish ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg para komisionit hetimor
Ish ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg para komisionit hetimorFotografi: AP

Socialdemokratët kritikojnë edhe kancelaren. Pas aksionit ushtarak në Kundus ajo duhet të përdorte kompetencat e saj si kryetare e qeverisë. Sqarimi i bombardimeve të cilin ajo e premtoi, nuk ndodhi kurrë, thotë eksperti socialdemokrat Arnold:

"Për këtë aksion në Afganistan duhet të përgjigjet maja e politikës dhe për të duhet komunikuar në mënyrën përkatëse. Ne do të donim që zonja Merkel të kishte një mendim të vetin për këtë bombardim. Nuk mjafton të thuash se ekzistojnë mendime të ndryshme. Ajo mund të japë vetëm një pikëpamje, atë të kancelares."

Autor: Marcel Fürstenau / Aida Cama

Redaktoi: EsatAhmeti