1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita në Ukrainë proteston kundër aleancës me Rusinë

afpe, rtre, dpa/Angjelina Verbica8 Dhjetor 2013

Opozita properëndimore në Ukrainë kërcënon me protesta edhe më të mëdha, nëse qeveria do të vazhdojë afrimin me Rusinë. Presidenti Janukoviç ka negociuar në Soçi me shefin e Kremlinit Putin.

https://p.dw.com/p/1AUqO
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për “shitje Rusisë","përçarje të vendit", madje edhe për "tradhëti" të interesave kombëtare e akuzon opozita ukrainase presidentin e vendit Viktor Janukoviç dhe qeverinë e tij. Të dielën udhëheqësit pro-evropianë të protestës shprehën në kryeqyteti e vendit Kiev “rezistencën e tyre totale” kundër afrimit të vendit të tyre me Rusinë, tha Arseni Jazenjuk i partisë së ish-kryeministres së burgosur Julia Timoshenko. Ish-ministri i brendshëm Juri Luzenko foli për një "ditë vendimtare".

Beteja më e vështirë e Vitali Kliçkos, kriza ukrainase

Edhe kryetari i partisë dhe kampioni i botës në boks Vitali Klitçko foli për një "udhëkryq historik", në të cilin ndodhet tani Ukraina. "Ne duam të bëhemi një vend evropian, sepse ne jemi evropianë me historinë tonë, mentalitetin tonë dhe gjeografinë tonë", tha Klitçko në një intervistë për Deutsche Welle. "Ukraina jeton prej 22 vjetësh me shpresën për t'u bërë një vend demokratik dhe modern. Kjo nuk ka ndodhur."

Megjithë borën dhe akullin protestat në Kiev vazhdojnë.
Megjithë borën dhe akullin protestat në Kiev vazhdojnë.Fotografi: picture-alliance/dpa

Opozita, e cila prej disa ditësh po proteston kundër kursit prorus të qeverisë, ka frikë se mos vendi i saj i dorëzohet vendit të madh fqinj në lindje. Shkak janë bërë bisedimet e fundit midis qeverisë ruse dhe partnerëve të saj ukrainas, të cilat po zhvillohen që nga e premtja në Soçi në Detin e Zi. Ato u organizuan papritur dhe pa paralajmërim

Një marrëveshje e fshehtë, apo vetëm spekullime?

Qarkullonin ndërkohë njoftime se kryetarët e shteteve Janukoviç dhe Putin kanë nënshkruar një marrëveshje, në të cilën është rënë dakord për futjen e Ukrainës në bashkimin doganor të Rusisë, Kazakistanit dhe Bjellorusisë. Se Janukoviç rrugës nga Kina ka bërë një ndalesë në Soçi. Por nënshkrimi i një marrëveshjeje është mohuar zyrtarisht.

Gjatë bisedimeve është shtruar çështja e energjisë, por megjithatë ende nuk ekziston asnjë marrëveshje, theksuan zëdhënësit rusë të shtypit dhe homologët e tyre ukrainas: "Deri tani nuk është nënshkruar asgjë", nuk ka rezultate të prekshme. Të dyja palët kanë biseduar megjithatë për një marrëveshje të gjerë partneriteti. Negociatat do të vazhdojnë gjatë ditëve të ardhshme, më 17 dhjetor është planifikuar një takim midis dy qeverive.

Pozitë e pafavorshme e Ukrainës në negociata

Presidenti Janukowitschnuk e nënshkroi para pak kohe marrëveshjen tregtare me BE. Tani ai ndodhet para rusëve dhe vendi i tij nuk ka pozitë shumë të favorshme negociuese. Ukrainës për vitin e ardhshëm i nevojiten 17 miliardë dollarë për importin e gazit dhe për shlyerjen e borxheve të saj. Kjo i korrespondon totalit të rezervave valutore të Bankës Qendrore të Ukrainës.

Ukraine Proteste
Fotografi: DW/L. Rzheutskaja

Për këtë arsye Ukraina nuk ka shumë hapësirë lëvizjeje ndaj Rusisë. Rusët janë në dijeni të dobësive të fqinjëve të tyre dhe këmbëngulin për bashkimin doganor. Gazi natyror duhet të rrjedhë me gjysmën e çmimit.
Opozita ukrainase ka frikë se Janukoviç luan vetëm me kohën. Atij i nevojiten paratë në rradhë të parë për mbijetesën e regjimit të tij, pohon politikani Jazenjuk: "Janukoviç është i interesuar në fund të fundit vetëm për fatin e tij."