1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita siriane nis konsolidimin kundër Assadit

Autor: Alexander Adrejev/ Amarildo Topi30 Maj 2012

Në një deklaratë të paraqitur nga opozita siriane kërkohet mbrojtja e civilëve dhe përfundimi i mizorive të regjimit të Assad-it. Takimi historik u mbajt në Bullgari, thotë ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Mladenov.

https://p.dw.com/p/1546B
Nikolai Mladenov
Nikolai MladenovFotografi: AP

Në një deklaratë të paraqitur nga opozita siriane kërkohet mbrojtja e civilëve dhe përfundimi i mizorive të regjimit të Assad-it. Takimi historik u mbajt në Bullgari. Për këtë flet ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Mladenov.

Deutsche Welle: Zoti Mladenov, cili ishte rezultati i këtij takimi?

Nikolai Mladenov: Rezultati më i rëndësishëm i takimit ishte një hap shumë i rëndësishëm drejt forcimit të mëtjeshëm të opozitës në Siri dhe vizionit të saj për të ardhmen e vendit, që duhet të bazohet në vlerat demokratike dhe bashkjetesa në paqe mes grupeve të ndryshme etnike dhe religjoneve.

Deutsche Welle: Cilat parti politike ishin të përfshira?

Nikolai Mladenov: Këshilli Kombëtar i Sirisë, që është organizata ombrellë e opozitës siriane. Gjithashtu ishin edhe përfaqësues nga Këshilli Kombëtar Kurd, me të cilët u diskutua më hollësisht rreth sfidave rreth të komunitetit kurd në Siri. Unë dua t'u kujtoj të gjithëve se nën regjimin aktual kurdët janë privuar nga të drejtat e tyre themelore. Edhe pse Assad-i është përpjekur së fundmi të bëjë për vete kurdët me disa oferta, ata kanë zgjedhur të jenë në krah të popullit sirian që kërkon rrëzimin e qeverisë aktuale. Grupi i tretë pjesëmarrës ishte Blloku Nacionalist, i cili përfshin përfaqësues nga fise të ndryshme në Siri dhe ka një informacion të qartë se çfarë ndodh me të vërtetë në vend. Kjo ishte pak a shumë një mundësi historike për t'u ulur dhe rënë dakort se si të gjithë duhet të koordinojnë veprimet e tyre për një shtet të ri demokratik.

Cili është plani i opozitës për më tej? Cfarë do të bëjnë tani që Plani Annan dështoi?

Nikolai Mladenov: Unë mendoj se është herët të thuhet se Plani Annan ka dështuar. Ashtu si shumë të tjerë, unë shpresoj të shoh raportet e zotit Annan pas takimeve të zhvilluara në Damsak. Situata ka ndryshuar pas masakrës së ndodhur në qytetin Houla. Kemi parë që edhe vende që hezitonin tani po lëkunden në opinionin e tyre. Është e rëndësishme për opozitën që në këtë unitet që u shfaq në takim, të vazhdojnë ta konsolidojnë për të ardhmen e vendit, ndërsa për komunitetin ndërkombëtar është detyra e shtimit të presionit ndaj regjimit sirian për të pranuar Planin Annan. Jo vetëm të ndalojë luftimet, por të gjitha pikat e planit, duke përfshirë edhe ato në procesin politik. Unë mendoj se një vit pasi nisën ngjarjet në Siri kanë humbur jetën në mënyrë brutale nga regjimi më shumë njerëz se sa në ngjarjet në Libi dhe ne nuk mund të lëjojmë që kjo masakër të vazhdojë.

Pse u zhvillua në Bullgari ky takim? Ka vendi juaj ndonjë rol të veçantë në marrdhëniet me Sirinë?

Nikolai Mladenov: Ka një lidhje të fortë me njerëzit në Siri. Bullgarët dhe sirianët kanë jetuar dhe studiuar sëbashku për vite të tëra. Ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi. Ne duam që gjithashtu jo vetëm të gjitha ata që duan të ndërtojnë një Siri të lirë dhe demokratike, por gjithashtu të japim eksperiencën tonë që kemi kaluar në kohën e tranzicionit. Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka një nismë speciale të quajtur Platforma e Sofies, që është një urë lidhëse mes Europës dhe Lindjes së Mesme. Ne po punojmë më Egjiptin, Tunizinë, Libinë dhe disa vende të tjera që kanë hyrë në rrugën e demokracisë. Unë shpresoj që shumë shpejt populli sirian do të jetë në gjendie të votojë në liri, të zgjidhë qeverinë që do dhe të vendosë për të ardhmen e vendit.