1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Për 2 korrikun flitet më shumë në Gjermani se në Shqipëri"

Arben Muka2 Korrik 2015

Bashkim Xhani: "Shoqëria gjermane është një mjedis shumë i hapur dhe nxitës për integrimin e të huajve. Ndihem me fat që në korrik 1990 u bëra pjesë mes shqiptarëve që hynë në Ambasadën e RFGJ në Tiranë."

https://p.dw.com/p/1Frlc
Albanien - Bashkim Xhan in Tirana
Fotografi: privat

Çdo 2 korrik Bashkim Xhani e konsideron si një ditë pushimi, me dëshirën për të takuar dhe thirrur në telefon sa më shumë shokë e miq. Sidomos nga ata me të cilët përjetoi momentet që nuk do ti harrojë kurrë: kur hyri në Ambasadën e Gjermanisë në Tiranë 25 vite më parë. Ai ka hyrë më 6 korrik 1990, të tjerë kanë hyrë më parë ose më pas, por simbolika e atyre ngjarjeve të papërsëritshme për kryeqytetin dhe gjithë Shqipërinë ka qenë 2 korriku.

Telefonatën nga Tirana e pret me shumë mirënjohje. Ka shumë për të treguar mbi ngjarjet e ambasadave, ka histori me detaje jetësore, por bisedën me Deutsche Welle-n e nis me një kritikë për autoritetet në Shqipëri.

Ngjarjet në ambasada hoqën tullat e poshtme të ngrehinës qeverisëse

“Duhet të jenë më të vëmendshëm për atë që ndodhi në korrik të vitit 1990. Unë kam parë në televizion qeveritarë dhe politikanë që shkojnë në ngjarje përkujtimore të ndryshme. Mirë bëjnë, se çdo popull ka kujtesën e tij. Por për 2 korrikun 1990 nuk kujtohet njeri. Më shumë flitet në Gjermani se sa në Shqipëri. Nuk dua të ekzagjeroj asgjë. Nuk e them këtë ngaqë unë kam qenë njëri prej tyre që kundërshtuan regjimin për liri dhe një jetë më të mirë. Por është e faktuar se ngjarjet në Ambasada hoqën tullat e poshtme nga ngrehina e copë copë e qeverisjes së atëhershme. Ishin zhvillime që u dhanë zemër njerëzve, sidomos të rinjve, në një vend shumë të izoluar dhe shumë të vuajtur”.

Për Bashkimin sjellja e qytetarëve në korrik të vitit 1990 ka qenë një revoltë krejt e pabarabartë me pushtetin. Qytetarët nuk kishin armë e mjete të tjera sulmuese, por ishin të armatosur me urrejtje për regjimin dhe shpresë për të ardhmen. “Nuk mund të harrohen ngjarje të tilla. Një qeveri demokratike një shoqëri e emancipuar duhet të kujtojë ngjarje të tilla, që simbolizojnë lirinë dhe i thonë jo çdo lloj forme të diktaturës.”

Flash-Galerie Albanien Wende 1990
Fotografi: Werner Daum

Shfrytëzimi i hapësirave për integrimin në komunitet

Në korrik të '90-s Bashkimi ishte 30 vjeç. Statusi i beqarit atë kohë nuk i dha shumë hezitime për të hyrë dhe ai në amabasadat e huaja. Bekimin kryesor për t'u larguar nga Shqiëria ja dha i ati, i cili me insiktin prindëror, nuk donte që historia e tij t'i përsëritej të birit, më pas nipave dhe mbesave.

“Mua vështirësitë e atyre ditëve që ndejtëm brenda Ambasadës Gjermane nuk më bënë përshtypje. Ndoshta mosha, por dhe karakteri i fortë. Nga ana tjetër unë dhe shokët e mi vlonim nga padurimi për të ikur sa më shpejt dhe sa më larg nga varfëria dhe mungesa e lirisë. Për një mekanik, që lexonte shumë, ekzistonin dhe ca hapësira virtuale që duheshin prekur. Mbërritja në Gjermani në mes të korrikut 1990 ishte një shans që nuk e neglizhova dhe nuk do e neglizhoj kurrë.”

Bashkimi aktualisht është menaxher në një restorat të njohur në Mynih, por deri këtu ka ardhur gradualisht, duke ofruar punën, duke mësuar nga stili gjerman: precizionin dhe korrektesën.

“Unë jam nga ata që e kam provuar vetë, ndaj dhe e them me bindje: shoqëria gjermane është një mjedis shumë i hapur, është nxitës për integrimin e të huajve. Por këtë hapësirë, dhe këtë dimension lirie duhet ta shfrytëzosh dhe mirëadministrosh. Duhet dhe vullnet nga individi, të lexojë, të marrë njohuri sa më shumë, të jetë aktiv në komunitet, sepse kështu gjenden dhe rrugë të hapura, gjendet mbështetje nga njerëzit që ke përrreth.”