1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për ACTA debaton edhe PE

28 Shkurt 2012

Me marrëveshjen tregtare ndërkombëtare ACTA, duhet të luftohen falsifikimet e produkteve dhe të mbrohen të drejtat e autorit. Por për detajet e saj po zhvillohet një debat i nxehtë. Tani për këtë çështje debaton edhe PE

https://p.dw.com/p/14BSb
Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTA
Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTAFotografi: dapd

Pasi demostrimit të dhjetëra mijëra vetëve në mbarë Evropën kundër marrëveshjes ACTA, politika e kuptoi rëndësinë e kësaj çështjeje. Disa shtete, në mesin e tyre edhe Gjermania kanë pezulluar ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Ministrja gjermane e Drejtësisë Sabine Leutheusser-Schnarrenberger (FDP), foli " për çështje ende të hapura". Edhe në Bruksel pati reagime. Komisioni Evropian ka kërkuar nga Gjykata Evropiane të shqyrtojë nëse traktati është në përputhje me ligjet e BE-së. Tani me këtë çështje po mirret edhe Parlamenti Evropian.

Debati i parë publik në Bruksel

Marrëveshja, për të cilën është negociuar tre vite me radhë, mund të hyjë në fuqi vetëm kur të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe të miratoeht edhe nga Parlamenti i BE-së. Megjithatë, qeveritë kombëtare aktualisht janë të rezervuara në diskutimet e tyre. Ato siç duket duan që marrjen e vendimit të pakëndshëm dhe të diskutueshëm, t'ia lënë Brukselit. "Ata kanë bërë thirrje për një marrëveshje të tillë për vite të tëra dhe e kanë shoqëruar atë. Disa prej këtyre vendeve ishin edhe motor të saj. Dhe tani që shoqëria civile diskuton me të drejtë, ata thonë: "tani është koha që të vendosë Evropa ", thotë eurodeputeti socialdemokrat, Bernd Lange për Deutsche Wellen. Në parim, ai e mirëpret diskutimin në Parlamentin Evropian.

Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTA
Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTAFotografi: dapd

Këtë të mërkurë (29.02.2012) në mbledhjen e Komisionit për Tregti në Parlamentin Evropian do të debatohet për herë të parë publikisht për ACTA-n. Edhe komisione të tjera parlamentare do të duhet të sqarojnë qëndrimet e tyre. Pas debateve, votimeve dhe seancave dëgjimore të ekspertëve nëpër komisione, Asambleja plenare e Parlamentit Evropian do të votojë për marrëveshjen.

Fillimisht ACTA (Marrëveshja Tregtare Kundër Falsifikimit) kishte një mbështetje të madhe. Marrëveshja u negociua nga BE, SHBA, Australia, Kanadaja, Japonia, Meksika si dhe Maroku, Zelanda e Re, Singapori, Korea e Jugut dhe Zvicra. Pasi marrëveshja të hyjë në fuqi, çdo anëtar i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) mund të aplikojë për pranimin e marrëveshjes. Qëllimi është që të përmirësohet mbrojtja e pronës intelektuale në ekonominë e mallrave dhe në internet. Ndër të tjera bëhet fjalë për shkarkimet e paligjshme të videove dhe klipeve muzikore si dhe forcimin e kontrolleve doganore, veçanërisht për mallërat e falsifikuara nga Azia Lindore.

Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTA
Dhjetëra mijëra vetë në mbarë Evropën demostrojnë kundër marrëveshjes ACTAFotografi: dapd

Aktivistët e internet u druhen kufizimeve

Nga ACTA do të përfitonin të parat vendet e industrializuara. Ato vuajnë nga falsifikimi i markave të mallrave dhe shkeljet e tjera të pronësisë intelektuale. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, çdo vit në Evropë shkaktohen tetë miliardë euro humbje përmes falsifikimit të produkteve. Me synimin e parandalimit të piraterisë, bien dakord në parim të gjitha palët. Por debati nxehet shumë kur diskutohet për detajet, sidomos sepse nga pasazhet e ACTA-s mund të interpretohen në mënyra të ndryshme. Kundërshtime të mëdha vijnë sidomos nga përdoruesit e internetit në Evropë. Ata shfaqin frikën se ofruesit e faqeve në internet mund të vëzhgojnë më të përqëndruar aktivitetet online dhe autorët e të drejtave në rast të ndonjë shkelje mund të kërkojnë zhdëmtime tepër të larta.

Deputeti ekologjist gjerman, Jan-Philipp Albrecht ishte një nga kundërshtarët e parë të marrëveshjes. Ai e sheh marrëveshje si të kaluar nga koha. Përveç kësaj, persona të gabuar mund të bien në shënjestër të hetimeve të mundshme: "Në vend që para përgjegjësisë të nxirren përdoruesit e internetit do të duhej që të ndiqen penalisht më fort ata që ofrojnë në internet materiale të cilat shkelin të drejtën e autorit", kërkon Albrecht.

Një varg çështjesh ligjore

Kur dhe nëse ACTA do të kthehet në ligj në Evropë, nuk dihet. Për vendimin e Parlamentit Evropian nuk ekziston ndonjë afat të caktuar. Meqenëse marrëveshja ngre shumë pyetje ligjore, Komisioni Evropian pret mendimin e Gjykatës Evropiane. Kjo do të zgjaste me javë ndoshta edhe me muaj. Deri atëherë, eurodeputeti Albrecht pret beteja të ashpra verbale në Bruksel "sepse frontet janë ngurtësuar". Në rast se parlamenti miraton marrëveshjen Këshilli i BE-së mund ta shpall atë të detyrueshëm për zbatim nga ana ligjore. Në rast se parlamentarët e BE-së e refuzojnë atë, atëherë marrëveshja ACTA nuk do të ketë asnjë vlerë. Versioni aktual i marrëveshjes do të largohej përfundimisht nga tavolina dhe në rast interesimi do të duhej të rinegociohej në mënyrë të detajuar. Deri tani, Parlamenti Evropian ka hedhur poshtë dy marrëveshje: Marrëveshjen SWIFT, (për përcjelljen e të dhënave konfidenciale financiare të BE-së tek autoritetet amerikane) dhe një marrëveshje për peshkim me Marokun.

Autorë: Ralf Bosen / Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama