1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për ata që duan ta kuptojnë Rusinë disi më ndryshe

Roman Goncharenko17 Shtator 2015

Kush dëshiron të informohet mbi Rusinë nga burimet origjinale, ka mundësi të reja. Në Dekoder.org ofrohen përkthime të mediave ruse.

https://p.dw.com/p/1GXS3
Gjithnjë e më shpesh njerëzit në Moskë demonstrojnë kundër censurës
Fotografi: DW/A. Khan

Imagjinoni një faqe interneti thuajse fare pa pamje. Vetëm sipër dhe në mes dy paragrafeve me tekst mund të shihet nën një qiell me yje një qytet me dëborë. Prej një kamioni merret vesh se është Rusia. Projekti i internetit Dekoder.org, i nisur në fillim të shtatorit, u drejtohet me sa duket njerëzve, të cilët vijnë në këtë faqe qëllimisht për të lexuar. Dhe pikërisht atë, që nuk e gjejnë diku tjetër.

Nuk është antipropagandë

Portali publikon përkthime të veta në gjuhën gjermane, pjesë që përkthyesit e tij i mbajnë si pjesët më të mira të gazetarisë ruse. Janë artikuj të mediave online, si Colta.ru ose Slon.ru. Ka edhe emra të njohur nga shtypi, si "New Times The", "Novaya Gazeta" dhe "Kommersant". Përzgjedhja bëhet me mediat ruse, që nuk "janë as pronë e shtetit dhe as nuk financohen nga oligarkët e afërt me shtetin", thotë publicisti nga Berlini dhe themeluesi i projektit Martin Krohs në një intervistë për DW. Parimi bazë është: "jo shtetëror, liberal, demokratik".

Ballina e portalit të internetit dekoder.org
Ballina e portalit të internetit dekoder.orgFotografi: Dekoder.org

Shkas për "Dekoder" ka qenë "një polarizim shumë i fortë dhe emocionalizim i debatit". Krohs thotë se "në mënyrë të veçantë është shqetësues fakti që në Rusi ka ndërhyrje masive nga ana e mediave shtetërore." Si shembuj ai përmend RT (Russia Today) dhe disa media të shtypura. "Përhapen mesazhe politike." Por edhe në Perëndim ndonjëherë "nuk bëhet raportim i diferencuar siç duhet" në lidhje me Rusinë, vë në dukje publicisti.

Prandaj "Dekoder" është "një lloj makine, që e bën të dëgjohet, atë që nuk dëgjohet dot këtu". Këtu Krohs nuk është i interesuar për një konfrontim me median shtetërore ruse. "Ne nuk e shohim këtë si një kundërpropagandë", thotë ai.

Një formë hibride e publicistikës

Projekti, i cili financohet nga donacionet, vihet në jetë nga pesë punonjës dhe disa bashkëpunëtorë të lirë. Përkthimet publikohen me miratimin e autorëve dhe mediave origjinale. Temat politike dominojnë. Fjala është për shembull, për propaganduesit në televizionin rus, për parashikimet për një shpërbërje të mundshme të Rusisë, apo edhe për reportazhe, si për shembull për një kamp rus me të burgosur. Ndërsa artikuj mbi kulturën ka më pak, thotë me keqardhje bashkëpunëtori i projektit Leonid Klimov, një studiues i kulturës nga Rusia. Është e vështirë për të gjetur produkte të mira mbi kulturën në mediat në rusisht, që të mund të kuptohen edhe në Gjermani.

Një karakteristikë e veçantë e projektit janë tekstet, që u shpjegojnë lexuesve gjermanë realitetet ruse. Artikujt janë të pajisur me hyperlinks. Aty mëson se rakia e prodhuar vetë në Rusi quhet "samogon" dhe mëson terma nënçmues për policët - "menty". Në tekste të shkurtra të ngjashme me enciklopeditë mëson për gazetarë me ndikim, si Dimitri Kisseljov i agjencisë shtetërore të lajmeve "Rossija sevodnja" apo "shiritin e bardhë", si simbol i protestave të opozitës 2011/2012.

Shkrime të tilla të shkruara nga ekspertët quhen në "Dekoder" gnoza. "Jo prognoza, as diagnoza, por thjesht shkurtimisht: gnoza. Nga greqishtja gnosis (njohuri, perceptim)", thuhet lidhur me këtë në faqen e internetit. Prandaj Krohs e quan projektin e tij "diçka hibride", një përzierje e gazetarisë dhe e një portali shpjegues.

Të lexosh ndërmjet rreshtave

Krohs gëzohet që projekti rreth një javë pas fillimit të tij ka "ecur shumë mirë" duke i tejkaluar pritjet. "Në fillim kemi pasur brenda 24 orëve 500 likes në facebook", thotë themeluesi i projektit. Janë ende kryesisht profesionistë, ato që interesohen për Rusinë dhe Evropën Lindore. Por ne duam të arrijmë një audiencë më të gjerë, thotë Leonid Klimov. "Grupi që ne synojmë, janë njerëz, që ne i quajmë mes nesh "lexues të revistës Spiegel", njerëz që duan të kuptojnë sfondin dhe nuk janë të interesuar vetëm për shpjegime sipërfaqësore", thotë Klimov.

Themeluesi i projektit Krohs kujton në këtë kontekst klishenë e vjetër se "Rusia është e vështirë për t'u kuptuar për evropianët." "Dekoder" është një mjet, me të cilin lexuesit në Gjermani "mund të mësojnë ta kuptojnë vetë "Rusinë". Gnozat janë mjeti më i rëndësishëm për këtë.