1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për Obamën Amerika ndodhet në udhëkryq

Christina Bergmann / Elert Ajazaj7 Shtator 2012

Presidenti Obama paralajmëroi në fjalimin e tij prej pasojave të një zhvendosjeje djathtas në politikën ekonomiko-sociale, në rast se republikanët fitojnë në zgjedhjet e nëntorit.

https://p.dw.com/p/164rF
Presidenti Obama me familjen përshëndet delegatët në kongresin e demokratëve
Fotografi: Reuters

"Edhe katër vite të tjera" theksuan me ritëm delegatët në arenën e sportit në Charlotte. Ata ishin të entuziazmuar prej fjalimit të presidentit. Sharon Steckman-it nga Mason City Iowa, ai iu duk "fantastk": "M'u duk e shkëlqyeshme se si foli për vizionin e tij, si mund ta arrijmë po të punojmë të gjithë së bashku", shpjegon ajo. Sandy Opstvedt nga i njëjti shtet federal, i cili i solli Obamës në 2008-n fitoren e papritur, tha se fjalimi ishte "shumë frymëzues dhe nxitës". Shpresa është ende gjallë, plotësoi ajo.

Të enjten në mbrëmje vonë presidenti Barack Obama pranoi emërimin si kandidat për president. Dhe njëlloj si folësit para tij ai i paraqiti zgjedhjet e ardhshme si udhëkryq: nuk bëhet fjalë për dy kandidatë apo për dy parti (shpjegoi ai), po për vendimin "midis dy rrugëve të ndryshme për Amerikën", për dy "vizione për të ardhmen që ndryshojnë rrënjësisht".

"Shpresë dhe Ndryshim" ka nevojë për më shumë kohë

Kjo, sepse për vitet e ardhshme janë parashikuar vendime të rëndësishme në Uashington: mbi politikën fiskal-ekonomike, atë energjetike dhe të mbrojtjes, tha presidenti. Dhe në të gjitha fushat demokratët mbrojnë një politikë rrënjësisht tjetër nga ajo e republikanëve. Vendimi se në çfarë drejtimi shkon vendi është tërësisht në dorë të zgjedhëseve dhe të zgjedhësve, shtoi ai. Obama u bëri atyre thirrje: "Mblidhuni pas këtyre synimeve për vendin tuaj - synime në prodhim, në sektorin energjetik, në arsim, në politikën e sigurisë dhe në zvogëlimin e deficitit". Plani im është i realizueshëm, tha Obama, dhe ka për të krijuar më shumë vende pune duke e vendosur ekonominë mbi një bazë më të qëndrueshme.

Kongresi i demokratëve në Charlotte, North Carolina.
Kongresi i demokratëve në Charlotte, North Carolina.Fotografi: Reuters

Te objektivat bëjnë pjesë ndër të tjera krijimi deri në fund të 2016-s i një milion vendeve të reja të punës në sektorin e prodhimit, dyfishimi i eksporteve deri në 2014-n dhe përgjysmimi i importeve të naftës deri në 2020-ën. Në fjalimin e tij Obama nuk dha hollësi se si ka ndër mend ta arrijë këtë. Më saktë, ai i luti përkrahësit e tij për durim, pasi ndryshimi që kam premtuar (tha) nuk bëhet brenda natës. Në vend që, siç pritej, të përqendrohej te papunësia e lartë, te deficiti buxhetor dhe te borxhet e mëdha të shtetit, ai theksoi sukseset e veta në trajtimin e barabartë të grave dhe të homoseksualëve, foli për arsimin dhe për mbrojtjen e mjedisit.

Temat sociale në qendër të vëmendjes

Këto tema mirëpriten nga delegatët në sallë. Obama pati bërë fushatë kundër republikanëve katër vite më parë me çështjen e reformës shëndetësore. Dorrick Nurse nga Marion County, Florida, tërheq vëmendjen te ish-presidenti Bill Clinton: "Clinton ka thënë,", shprehet Nurse, "që asnjë president tjetër nuk ka trashëguar probleme kaq të mëdha si presidenti Obama dhe se asnjë president tjetër nuk do të kishte qenë në gjendje që t'i zgjidhte këto probleme për katër vjet."

Në sondazhe, Obama gjendet kokë më kokë me sfiduesin e tij republikan Mitt Romney dhe ndër të tjera te të rinjtë dhe te latinot nuk po gjen më të njëjtin miratim si katër vite më parë.