1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për zgjedhjet e Serbisë votohet edhe në Kosovë

Bekim Shehu15 Mars 2014

Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar Serbinë që të organizojë zgjedhjet edhe në Kosovë. Mirëpo, për votimin e qytetarëve serb të Kosovës kujdeset OSBE-ja.

https://p.dw.com/p/1BQEt
Fotografi: picture alliance / dpa

Qytetarët serb të Kosovës mund të votojnë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë që mbahen të dielën me 16 mars. Këtë e mundëson parimi i dyshtetësisë. Qeveria e Kosovës nuk i ka lejuar autoritet e Serbisë që të organizojnë zgjedhjet edhe në Kosovë, mirëpo, për votimin e qytetarëve serb të Kosovës kujdeset Organizata Për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE. Zëdhënësi i kësaj organizate në Kosovë Nikolla Gaon, ka thënë se “OSBE-ja ka pasur konsultime me të dyja qeveritë atë të Kosovës dhe Sebisë dhe të dy palët janë dakoduar që OSBE-ja të përfshihet në atë që quhet operacioni i grumbullimit të votave, ku do të jenë 50 degë grumbullimi”.

Në Kosovë jo qendra votimi, por pika grumbullimi

“Në këtë operacion OSBE-ja do të ketë 400 pjesëtarë të saj në terren. Një pjesë e tyre do të jenë nga radhët e punonjësve të rregullt, ndërsa pjesa tjetër do të jenë personel i përfshirë për këtë operacion”, thotë zëdhënësi Nikolla Gaon. OSBE-ja pas përfundimit të votimit të serbëve të Kosovës që do të zgjasë nga ora shtatë e mengjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes do të mbledhë votat dhe do t'i dërgojë në dy qytete në Serbi në Rashkë dhe Vranje. Mirëpo, OSBE-ja, nuk do të përfshihet në procesin e numërimit të tyre.

Qeveria e Sebisë thotë se në Kosovë mund të votojnë mbi 100 mijë serb

Zëvendëssekretari i Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë, Velko Odalloviq, ka deklaruar për mediat serbe se “në Kosovë janë regjistruar 107.958 votues dhe ata mund të votojnë në 17 komuna”.

OSZE Logo

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile që vazhdimisht monitorojnë proceset zgjedhore në Kosovë thonë se “përfshirja e OSBE-së, qoftë edhe në rolin e lehtësuesit për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë është e jashtëligjshme”. Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, i tha DW-së se këtë nuk e lejon as kushtetuta e Kosovës.

Kushtetuta nuk e lejon OSBE-në që të ndihmojë në Kosovë zgjedhjet e Serbisë

“Në të gjitha fazat, nuk duhet lejuar OSBE-ja as të ndihmojë në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe as t'i organizojë, sepse, po flasim për zgjedhje nacionale të një shteti tjetër”, thotë Driton Selmanaj.

Zyrtarë të OSBE-së në Kosovë kanë deklaruar se për sigurinë e operacionit të OSBE-së kur do të mund të votojnë qytetarët serb të Kosovës kujdesen Policia e Kosovës të mbështetura edhe nga policia e misionit EULEX dhe forcat paqerujatëse të KFOR-it.

Zgjedhjet e përgjithshme të Serbisë janë mbajtur edhe në vitin 2012 në Kosovë me përfshirjen siç thuhej në rolin e lehtësuesit të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, OSBE.