1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përgjegjësia politike dhe çështja e dorëheqjes pas 21. Janarit

26 Shkurt 2011

Ngjarja e 21 janarit në Tiranë dhe zhvillimet pasuese po hetohen prej prokurorisë shqiptare. Prej asaj date e pranishme është edhe pyetja e përgjegjësisë politike. Një perspektivë gjermane mmbi çështjen.

https://p.dw.com/p/10PxX
Pamje nga protestat e 21 JanaritFotografi: DW/Muka

Dr. Judith Hoffmann është njohëse e vendit në sajë të punës së saj në Shqipëri dhe të kërkimeve të zhvilluara atje në fushën e shkencave shoqërore. Nëse për një demokraci perëndimore është e përfytyrueshme, që pas një bilanci tragjik me katër të vrarë dhe shumë të plagosur të mos regjistrohen dorëheqje politike, Hoffmann thotë se kjo është një pyetje relativisht e vështirë dhe se rrethana që ka pasur të vrarë është tejet dramatike. Megjithatë për të është krejtësisht e qartë që përgjegjësi politike duhet marrë kur ndodh që në përplasje të tilla të ketë të vrarë.

"Krejtësisht e qartë është edhe që duhet të ketë një urdhër për të shtënë edhe në situata të tilla. Përndryshe thuhet, se nuk i ke nën kontroll njësitë e tua policore përkatëse, kur papritur shtihet pa pasur një urdhër për këtë veprim. Pra ka hierarki dhe struktura të urdhrit krejtësisht të qarta. Prandaj është e domosdoshme, që kjo të sqarohet, pra se çfarë ndodhi saktësisht dhe duhet marrë përsipër përgjegjësi politike. Kjo me çdo kusht. Sikur diçka e tillë të kishte ngjarë në Berlin, atëherë kjo (...marrje përgjegjësie) me siguri do të kishte ndodhur më shpejt. Por thjesht është e vështirë që kontekstet të krahasohen 1:1 me njëri me tjetrin."

Edi Rama albanischer Politiker und Künstler
Kryetari i PS-së RamaFotografi: DW/A.Ruci

Ende punë për zbatimin praktik të demokracisë në Shqipëri

Ekspertja gjermane flet edhe mbi çështjen e refuzimit të policisë për ditë me radhë të ndalonte gardistët e kërkuar nga prokuroria. Judith Hoffmann është e mendimit se ky ka qenë natyrisht një vendim shumë i vështirë ose një vendim, i cili shkaktoi shumë irritime dhe rezistencë. "Bashkësia ndërkombëtare u bë këtu e dukshme dhe e pranishme nëpërmjet kanaleve diplomatike. Mendoj, se kjo tregon mjaft fort, që duhet kërkuar respektimi me çdo kusht i kritereve të shtetit ligjor dhe normave e vlerave të tjera. Mendoj, se ishte një qëndrim shumë befasues, të thoje: Nuk do t'i ndjekim këto kritere dhe, si të thuash, në fund nuk duam ta zbardhim ngjarjen. Besoj, se ky ishte një vendim shumë problematik, i cili është marrë ndërkohë mbrapsht. Tani po zhvillohen hetime. Mendoj, se pikërisht në këtë pikë dallohet, që mbetet të hidhen themelet e një sërë elementeve të praktikës demokratike."

Kriza e zgjedhjeve të 2009-s vazhdon

Nga njëra anë opozita shqiptare në përgjithësi vlerëson se vendi gjendet në krizë dhe se rrugëdalja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme. Nga ana tjetër këshilla e BE-së dhe SHBA-së është që të mbahen zgjedhjet lokale të radhës. Lidhur me këtë ekspertja Hoffmann vlerëson se: "Zgjedhjet parlamentare të 2009-ës janë në atë masë diskutueshme që prej rezultatit, saqë opozita u shpreh kundër tyre dhe filloi të bojkotonte parlamentin. Pra kjo është një krizë, që vlon për kohë të gjatë ose një përballje që zhvillohet prej shumë kohësh.

Proteste Tirana Albanien
Opozita nderon në marsh përkujtimor viktimat e 21 janaritFotografi: DW

Në raportin e saj mbi vëzhgimin e zgjedhjeve, OSBE-ja shprehet, se pati përmirësime, veçanërisht në proceset zgjedhore, që zgjedhjet nuk u zhvilluan ende në përputhje të plotë me normat ndërkombëtare, por përgjithësisht u tha: Mirë, le t'i përmbahemi rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Ky ishte reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj zgjedhjeve të 2009-ës. Prandaj do të ishte e habitshme sikur BE-ja, SHBA-ja dhe diplomatë të tjerë të kërkonin zgjedhje të reja. Pra prej këtij këndvështrimi është konsekuente të thuhet: Do të ndjekim hapat normalë, të parashikuar duke hyrë në zgjedhje lokale.

Pyetja e madhe dhe vendimtare për eksperten Hoffmann është nëse nën shenjën e kësaj krize, zgjedhjet lokale do të arrijnë të krijojnë më shumë besim në sistemin politik. Zërat janë të ndarë, mendon ajo. Ka nga ata që thonë: Jo, klima është dramatizuar në atë mënyrë ose aq e acaruar, saqë as zgjedhjet lokale nuk mund të shpien detyrimisht në reduktimin e kësaj krize. "Por kjo është shpresa e bashkësisë ndërkombëtare: U përmbahemi hapave normalë, të planifikuar në procesin politik në Shqipëri, dhe të shpresojmë që me zgjedhje lokale të pastra të krijohet më shumë qetësi dhe të zgjidhet kriza."

Wahlen in Albanien
Zgjedhjet e 2009-s u konstestuan nga opozitaFotografi: AP

Hoffmann: Parimet dhe normat për të zhvilluar zgjedhje të tilla të lira dhe të drejta ekzistojnë

Ndërkohë opozita po kërkon garanci, që zgjedhjet të jenë të rregullta. Lidhur me kontributin që mund të japin ndërkombëtarët, ekspertja Hoffmann thotë se bashkësia ndërkombëtare i vëzhgon zgjedhjet në Shqipëri prej një kohe mjaft të gjatë dhe nxjerr vazhdimisht raporte mbi zgjedhjet. Natyrisht që prej vitesh ka edhe vëzhgues vendorë të zgjedhjeve të përfshirë në proces, OJQ shqiptare, pra nuk është vetëm bashkësia ndërkombëtare, që i vëzhgon zgjedhjet.

"Natyrisht, që vëzhgimi i zgjedhjeve të tilla është diçka e vështirë. Duhet të jesh i aftësuar mjaft mirë për të pasur parasysh gjithë procesin dhe për të parë se ç'ndodh. Bashkësia ndërkombëtare dhe SHBA-ja e kanë këshilluar prej vitesh këtë proces dhe kanë propozuar ose kërkuar vazhdimisht, që sistemi zgjedhor të rishikohet, që ai të përshtatet dhe këto hapa edhe janë hedhur vitet e fundit. Pati edhe mendime dhe vendime për ta ndryshuar krejtësisht sistemin zgjedhor, pra nga një sistem miks në një proporcional, duke besuar se kësisoj arrihen zgjedhje më të mira. Besoj, se zgjedhjet e 2009-ës treguan që kalimi nga një sistem zgjedhor te tjetri varet nga praktika, nga zbatimi i ligjit dhe i sistemit elektoral.

Nuk mund të thuhet, që një sistem zgjedhor është më i mirë sesa një tjetër. Për këtë arsye ka rëndësi, që njerëzit përgjegjës në politikë të kenë vullnetin dhe interesin, që zgjedhjet të kryhen në përputhje me ligjin dhe sistemin zgjedhor ekzistues. Reforma e ligjit zgjedhor u miratua në rrafshin ndërkombëtar. Pra, parimet dhe normat për të zhvilluar zgjedhje të tilla të lira dhe të drejta ekzistojnë."

Autor: Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi