Përmbytjet me pasoja më të rënda se cunami
10 Gusht 2010Kjo katastrofë është më e tmerrshme se tërmeti në vitin 2005 në Pakistan, u shpreh Mauricio Giuliano, zëdhënësi i zyrës së OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare.
Giuliano: "Përmasat e katastrofës janë të jashtëzakonshme, shifrat për shtëpi të shkatërruara dhe njerëz të prekur janë shumë më të larta se ato të tërmetit në Haiti, vitin e shkuar, se sa cunami në vitin 2004 dhe tërmeti në vitin 2005 në Pakistan. Ndoshta njerëzit nuk e kuptojnë aq përmasën e shkatërrimit, sepse kanë vdekur shumë më pak njerëz, por në kuptimin e ndihmës humanitare, kjo katastrofë është shumë më e tmerrshme."
Deri më tani janë prekur 13,8 milionë vetë nga katastrofa e përmbytjes në Pakistan.
Presidenti pakistanez, Asif Ali Zardari është kthyer nga një udhëtim jashtë vendit në Pakistan dhe do të vizitojë zonat e prekura nga katastrofa. Këtë e bënë të ditur përfaqësues qeveritarë në Islamabad. Zardari u vu në shënjestër të kritikave, pasi megjithë përmbytjet më të rënda në Pakistanm që prej 80 vitesh, ai kishte vazhduar vizitën e tij në Britaninë e Madhe dhe Francë. Të prekurit akuzojnë presidentin se i ka lënë në baltë.
(LA/aca)