1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përparim domethënës por pa zgjidhje përfundimtare

Marina Maksimoviq / Angjelina Verbica21 Shkurt 2013

Sipas pritjeve raundi më kyç dhe sipas pjesëmarrësve raundi më i vështirë i dialogut Beograd Prishtinë përfundoi me bërjen e një hapi përpara, por pa zgjidhje përfundimtare për institucionet e serbëve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/17iYi
Fotografi: Christos Dogas/ European Commission

Dy ditët e bisedimeve të kryeministrave të Serbisë dhe Kosovës në Bruksel u zhvilluan vetëm për një temë të vetme, por të madhe dhe të vështirë, temën e institucioneve paralele. Temë, që është me rëndësi substanciale, si për procesin e integrimeve evropiane të të dyja palëve, ashtu edhe për rrjedhën e mëtejshme të dialogut. Edhe Beogradi, edhe Prishtina, edhe Brukseli thonë se janë të kënaqur ”me përparimin domethënës”, por zgjidhja përfundimtare ende pritet. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se zgjidhjen e kërkon në kuadrin e kushtetutës së Kosovës, ndërsa kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, thotë se askush nuk tregon më moskuptim për idenë e bashkësisë së komunave serbe.”

“Nëse arrijmë marrëveshje në këtë çështje, nëse me të vërtetë ngrihet bashkësia e komunave serbe, aty ku serbët përbëjnë shumicën në Kosovë, pra jo vetëm në veri, dhe nëse kjo bashkësi ka për të patur pjesë të rëndësishme në jetën politike të Kosovës, përgjegjësi të rëndësishme dhe do të mundësojë krijimin e vetëqeverisjes serbe në Kosovë dhe Metohi, atëherë me këtë do të zgjidheshin edhe probleme të tjera praktike, që janë tema e këtyre bisedimeve. Në bazë të kësaj marrëveshjeje të plotë politike do të arrihen zgjidhjet e të gjitha çështjeve të tjera”, thotë Daçiq.

Si do të jetë bashkësia e komunave serbe në Kosovë?

Ajo që pritet, është përkufizimi se çfarë nënkupton në të vërtetë një bashkësi e tillë. Grupet e ekspertëve në javët e ardhshme duhet të përpilojnë konceptin, se si duhet të jetë bashkësia e komunave serbe në Kosovë, çfarë organesh dhe çfarë juridiksioni do të ketë, si do të zgjidhen delegatët, çfarë marrëdhënie do të ketë me Beogradin dhe Prishtinën. Këto detaje do të duhet të jenë gati për më pak se dy javë, me 4 mars, kur është planifikuar raundi ri, i gjashtë, i dialogut në Bruksel. Dhe ndërsa kryeministri i Serbisë beson se marrëveshja për institucionet serbe në Kosovë mund të sjellë “zgjidhje më të qëndrueshme për konfrontimet politike, pavarësisht se nuk prekin çështjen e statusit”, kryeministri i Kosovës pret zgjidhjen e problemeve, që “janë grumbulluar në veri të Kosovës në 13 vitet e fundit”: "Strukturat e sigurisë do të shpërbëhen dhe do të gjenden mundësi të tjera, përsa i përket sistemit të arsimit, shëndetësisë, nëpunësve civilë, që të përshtaten, apo transformohen", tha Thaçi dhe theksoi nevojën e organizimit të zgjedhjeve të lira në katër komuna në veri të Kosovës gjatë këtij viti.

Të vetëdijshëm për pasojat dhe përgjegjësitë

Po të ishte e mundur, që për dy ditë të zgjidhet problemi disa shekujsh në marrëdhëniet ndërmjet popullit serb dhe shqiptar, besoj se do ta kishte bërë dikush tjetër para meje”, thotë kryeministri serb pas dy ditë bisedimesh në Bruksel dhe shton se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është i “ngarkuar me data”, duke patur parasysh raportin mbi progresin edhe të Serbisë, edhe të Kosovës, që Komisioni Evropian duhet t'ia paraqesë vendeve anëtare të BE deri në me stë prillit, me qëllim që në qershor të vendoset eventualisht për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë dhe negociatat për marrëveshjen e stabilizimit dhe asociimit me Kosovën.

“Javët dhe muajt e ardhshëm do të kemi një aktivitet të fortë ndërkombëtar, por gjithçka do të varet nga dialogu. Kushte të reja nuk ka, por të vjetrat janë mjaft të vështira, për të bërë probleme të mëdha. Duhet të bëhemi të vetëdijshëm për pasojat e të gjitha vendimeve, pranimit ose mospranimit, marrjes apo refuzimit të datës. Kjo nuk është çështje vetëm e qeverisë, por edhe e gjithë Serbisë", tha Daçiç, duke njoftuar konsultime të reja të udhëheqjes shtetërore në Beograd lidhur me rrjedhën e mëtejshme të bisedimeve me Prishtinën. Takimi i ri i kryeministrave është planifikuar të mbahet me 4 mars.