1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Pa rroga një vit!" - Keqpërdorimi i gazetarëve në Ballkan

21 Prill 2011

Me përkrahje të fondacionit Friedrich Ebert, Lidhja e Sindikatave të Gazetarëve në Maqedoni ka organizuar një tryezë të rrumbullakët në Shkup, ku është diskutuar për një organizim më cilësor të sindikatave të gazetarëve.

https://p.dw.com/p/111lq
Pamje simbolikeFotografi: Picture-Alliance / ASA

Ata që punojnë në media janë një forcë e kualifikuar që aktivizohet shpesh mbi bazën e profesionit të lirë. Kjo keqpërdoret jo rrallë nga pronarët e mediave. Të këtij mendimi janë në sindikatën e gazetarëve të Serbisë. Në këtë shtet, sindikata është formuar në vitin 2002, por ende ajo nuk ka forcën e duhur për t'i mbrojtur të drejtat e të punësuarve në media, thotë Dragana Çabarkapa, kryetare e sindikatës së gazetarëve në Serbi.

E palejueshme: Gazetarët në dy televizione serbe pa rroga një vit

Në dy mediume private në Serbi , TV5 në Nish dhe në “Svetlost” në Kragujevc, të punësuarit nuk kanë marrë rrogat për një vit, ata janë në grevë. Pronarët nuk i respektojnë ligjet dhe nuk u lejojnë të zhvillojnë grevën. Nuk ka gazetari në profesion lirë pa gazetarë, të cilët nuk kanë guxim të pyesin për rrogat e tyre, kjo është e pakuptimtë, thotë Çabarkapa. Për problemet në media ata kanë informuar edhe federatën evropiane të gazetarëve. “Të organizohemi bashkarisht pët të kërkuar ndihmë, trajnim, të shohim mundësitë e organizimit, sepse me te vërtetë ballafaqohemi me probleme të njëjta. Nuk ka vende demokratike me gazetari të këtillë”, thotë Dragana Çabarkapa.

Serbische Tageszeitung Blic
Gazetat ditore serbe në shitje: Në qendër "Blic"Fotografi: picture-alliance/dpa/dpaweb

Gjendja e të punësuarve në media në Maqedoni

Në Maqedoni të punësuarit në media në vazhdimësi janë në shënjestër, ndërsa vendet e punës gjithnjë e më shumë po bëhen të pasigurta, një numër i konsiderueshëm i tyre janë të paditur edhe në gjyq.“ Tamara Çausidis kryetare e sindikatave të mediave në Maqedoni, këmbëngul: "Sindikata jemi të gjithë ne. Nuk është sindikata ndonjë ministri, e cila do t'i trokasë në derë punësdhënësit." Armend Ibrahimi gazetar në televizionin shtetëror TVM, mendon se sindikata e fortë është ajo sindikatë, e cila prapa saj ka anëtarësi besnike. Një riorganizim i sindikatave të gazetarëve është domosdoshmëri e kohës, sipas tij, kjo për shkak të pavarësisë finansiare, por edhe njëkohësisht për shkak të rritjes së cilësisë së punës dhe shërbimeve që i kryejnë gazetarët.

Gjendja në Kroaci më shpresëdhënëse

Në Kroaci gjendja me të punësuarit në media është pjesërisht më e mirë, për të drejtat tyre mund të luftojë sindikata, e cila ekziston më se njëzet vite. Por, kriza ekonomike i ka nxjerrë prapë në sipërfaqe problemet e të së kaluarës. “Punëtorëve nuk u paguhen kontributet për sigurim të detyrueshëm ose nuk u paguhen të ardhurat mujore, ne këto probleme mes tjerash i tejkalojmë me ndihmën e gjyqit. Kemi ankesa në gjyq për mos respektimin elementar të gazaterëve dhe njerëzve të medias dhe lirshëm mund të them se 99% e të ankesave i kemi fituar në gjyq”, thotë Marinka Bolkovac nga sindikata e gazetarëve të Kroacisë. Bashkëpunimi dhe organizimi i sindikatave të vendeve të rajonit do të ishte kuptimplotë sepse pothuajse të gjitha vendet përballen me probleme te natyrave të njejta. “Një bashkëpunim i sindikatave mes shteteve të rajonit do të ishte më se i nevojshëm për një rritje të cilësisë së punës edhe në këtë pjesë të Evropës “, shprehet Armend Ibrahimi.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Lindita Arapi