1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pacient në gjendje të rënduar - Diplomacia europiane dhe trojka në Athinë

16 Janar 2012

Trojka europiane nis sot turin e bisedimeve për programin e ri për shpëtimin e Greqisë. Ndërsa në vizitën e tij të shkurtër në Greqi, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle siguroi grekët për përkrahjen gjermane.

https://p.dw.com/p/13kGw
Dy ministrat e Jashtëm - Stavros Dimas dhe Guido Westerwelle
Dy ministrat e Jashtëm - Stavros Dimas dhe Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Greqia dhe Evropa i përkasin njëra tjetrës, tha ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle pas një takimi në Athinë me kolegun grek, Stavros Dimas, duke dhënë edhe një mesazh inkurajimi: Ajo që ka bërë populli grek deri tani meriton respekt. Reformat janë të ashpra, por të domosdoshme. Njëkohësisht Westerwelle siguroi se Gjermania dhe Evropa duan ta ndihmojnë Greqinë në përballimin e problemeve. "Ne duam t`i përballojmë problemet së bashku," tha ministri i Jashtëm gjerman. Por Athina duhet të vazhdojë rrugën e reformave. Vendi duhet të rrisë aftësinë konkurruese.

"Më të fortë nga kriza"

Dimas shprehu kënaqësinë dhe deklaroi se angazhimi i Gjermanisë për t`i mbajtur anën Greqisë, është "shumë i rëndësishëm". Ministri i Jashtëm grek shtoi se beson vendi i tij do të dalë më i fortë nga kriza. Në kuadër të vizitës së tij në Athinë, Westerwelle bisedoi me kryeministrin Lucas Papademos dhe me shefin e konservatorëve të Nea Dimokratia-s, Antonis Samaras.

Nea Dimokratia bën pjesë në qeverinë e bashkimit kombëtar, e cila përpiqet ta nxjerrë Greqinë nga kriza e borxheve nëpërmjet një programi të sforcuar kursimesh. Samaras shpreson që në zgjedhjet që do të mbahen në pranverë të ngjitet në krye të qeverisë. Duke patur parasysh zgjedhjet, Westerwelle tha se kursi reformator duhet të mbahet nga të gjithë.

Protesta para ardhjes së trojkës
Protesta para ardhjes së trojkësFotografi: picture-alliance/dpa

Të dy ministrat e Jashtëm treguan optimizëm të matur duke pasur parasysh bisedimet e bllokuara me kreditorët privatë për ristrukturimin e borxhit. Westerwelle tha: "Ne jemi duke punuar që bisedimet të kenë sukses". Por ai nuk dha detaje lidhur me bisedimet. Edhe Dimas tha paraprakisht se bisedimet do të vazhdojnë së shpejti dhe sigurisht që do të "kurorëzohen me sukses".

Bisedime të vështira

Greqia i ka bankave dhe investitorëve të tjerë privatë rreth 260 miliardë euro borxh. Bankat dhe fondet do të falin rreth 100 miliardë euro. Pika kryesore që shkakton fërkime ka të bëjë me kushtet të cilat duhet të plotësojë Greqia për të kthyer miliardat e mbetura. Bisedimet u ndërprenë ditën e premte, pas disa ditësh pokeri do të vazhdojë sërish. Arritja e një marrëveshjeje është kusht për të marrë ndihmat e tjera nga BE-ja, të cilat janë të domosdoshme për të penguar falimentimin e Greqisë. Nga ana tjetër, disa fonde do të kishin përfitime financiare nga dështimi i bisedimeve.

Trojka sërish në Athinë
Trojka sërish në AthinëFotografi: dapd

Të hënën (16.01) ekspertët e trojkës, nga Komisioni i BE-së, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar fillojnë bisedimet për programin e ri për shpëtimin e Greqisë. Ekipi duhet të kontrollojë zbatimin e reformave dhe të analizojë nëse ndihmat e planifikuara deri tani prej 130 miliardë eurosh nga vendet e BE-së dhe falja e 100 milionë eurove nga bankat dhe fondet mjaftojnë për të siguruar kapacitetet greke. Në mbrëmjen e së dielës në qendrën e Athinës pati sërish protesta kundër politikës së kursimeve të qeverisë.

Autor: Herbert Peckmann/ Aida Cama

Redaktoi: Lindita Arapi