1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakënaqësia ndaj Merkelit në CDU

Heiner Kiesel27 Tetor 2015

Qëndrimi i kancelares Angela Merkel në krizën e refugjatëve ka zemëruar shumë anëtarë të partisë së saj kristiandemokrate. Paralajmërimet për një përçarje të CDU po bëhen gjithnjë e më të forta.

https://p.dw.com/p/1Gud4
Fotografi: REUTERS/Francois Lenoir

Kritikat nuk kanë të ndalur. Kancelarja Angela Merkel (CDU), ka bërë që ligji i azilit të forcohet. Në çdo rast që i jepet, ajo thekson se sa i rëndësishëm është kthimi i shpejtë i azilkërkuesve të refuzuar. Përveç kësaj ajo thekson se me sa shumë milionë euro qeveria gjermane do të ndihmojë landet dhe komunat në krizën e refugjatëve. Por dyshimi, nëse kjo është e mjaftueshme, shtohet edhe në Bashkimin Kristian-Demokrat të Gjermanisë (CDU), partisë së Merkelit. "Ky është një test për zonjën Merkel, ajo po kritikohet në një mënyrë si kurrë më parë", konstaton Oskar Niedermayer në bisedë me DW. Politologu i njohur jep mësim Universitetin e lirë të Berlinit.

Prof. Dr. Oskar Niedermayer FU Berlin
Prof. Dr. Oskar Niedermayer FU BerlinFotografi: Freie Universität Berlin

Në takimet e partisë Angela Merkelit i duhet të lexojë parulla, që bëjnë thirrje për shkarkimin e saj. Sipas raporteve të medias, ministri i Financave, Wolfgang Schçuble, ka porositur të kihet kujdes nga "një atmosferë e keqe dhe dramatike" në CDU. E rrezikshme: shifrat e sondazheve tregojnë rënie. Sipas informatave nga qarqet pranë partisë shumë anëtarë të Unionit në jugperëndim të Gjermanisë kanë dorëzuar teserat e anëtarësimit në parti. Kreu i partisë motër CSU, Horst Seehofer shpejton të bëjë në këtë situatë paralajmërime: "Nëqoftëse politika e azilit nuk korrigjohet, atëherë rrezikohet ekzistenca e CDU dhe CSU", tha ai në fundjavë.

Nuk duket dritë në tunel

Fjalia humane e kancelares "Ne mund t'ia dalim!" i merret për të keq. Dhe pastaj selfie i Merkelit me refugjatët: Për shumëkënd në Unionin kjo ka qenë shumë naive. Ata mendojnë se Angela Merkel është bashkëfajtore që tani në Gjermani vijnë rreth 7.000 refugjatë në ditë: Një ftesë! Por tani ajo duhet të marrë drejtimin e kundërt!

"Ne tani presim një sinjal të fortë nga Angela Merkel, që të kërkojë që fluksi i refugjatëve të zvogëlohet me të vërtetë", thotë deputeti nga Baden-Württemberg, Axel E. Fischer. Ai e njeh pakënaqësinë në elektoratin e tij në Karlsruhe-Land. "Atje zien", thotë politikani i CDU në një intervistë për DW. Njerëzit kanë ndjenjën se po vijnë gjithnjë e më shumë refugjatë dhe kjo nuk ka të ndalur: "Kjo është një ndjenjë, sikur të udhëtosh nëpër një tunel të errët dhe thjesht nuk shfaqet asnjë dritë."

Selfie e Merkelit me refugjatë
Selfie e Merkelit me refugjatëFotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Sigurisht që në parti ka edhe nga ato, që mendojnë se çdo gjë me Merkelin dhe nga Merkeli është në rrugën e duhur. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, është shprehur kështu në media. Dhe koordinatori i kancelares gjermane për përballimin e krizës së refugjatëve, Peter Altmaier (CDU), sheh më shumë pranim se refuzim. "Askush nuk beson se dikush tjetër mund ta përballojë më mirë këtë problem se Angela Merkel", tha ai plot besim në emisionin e mëngjesit në kanalin televiziv ZDF. Ky besim te kancelarja është natyrisht pjesë e detyrës së tij. Sa më në jug të shkosh, pra më afër zonave të mbërritjes së refugjatëve, dhe të flasësh me popullin atje, aq më pak ndjehet nga ky besim.

"Komunikimi nuk funksionon më"

Nuk është se Angela Merkel nuk përpiqet të sjellë në popull mesazhin e ndryshimit të drejtimit në politikën për refugjatët. Duket sikur mesazhi nuk arrin më. "Zonja Merkel është duke bërë me të vërtetë gjithçka, që mundet", vëren politologu Niedermayer. Politologut i duket gati e frikshme që komunikimi nuk funksionon mirë as brenda partisë së saj. "CDU është po aq shumë e ndarë në çështjen e refugjatëve sa dhe pjesa tjetër e shoqërisë", thotë ai me keqardhje. Në këtë situatë fjalët nuk mund të sjellin më lehtësim. "Tani është e rëndësishme që masat e reja të jenë efektive."

Pakënaqësinë brenda partisë e përforcon edhe fakti se vitin e ardhshëm priten një serë zgjedhjesh në lande. Këtu i kushtohet vëmendje zërave të elektoratit dhe merret seriozisht çdo lëkundje e vogël në sondazhet e opinionit. Edhe pse - siç ndodhi kohët e fundit në dy revista lajmesh - raportohet se po i sharrohen këmbët karriges së Merkelit: ajo nuk duhet të ketë frikë. Sepse në Bashkimin Kristiandemokrat nuk ka një alternativë të besueshme për të marrë përsipër detyrën e kancelarit.