1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakicat bashkohen kundër Asadit

13 Prill 2012

Në Siri pakicat e ndara deri tani artificialisht bashkohen kundër regjimit të Asadit. Një politikë e mençur do t'i bente ata aleatë të përhershëm.

https://p.dw.com/p/14cZb
Fotografi: AP

Në Sirinë e ndodhur në kufirin midis zonës kulturore arabe dhe turke janë vendosur gjatë mijëvjeçarëve grupe të ndryshme etnike. Shumica janë muslimanë, të cilët i bashkon feja, por në të njëjtën kohë edhe i ndan. Sepse edhe feja islame është e shumëllojshme. Pjesa më e madhe e sirianëve janë sunitë. Rreth një e dhjeta, duke përfshirë edhe familjen e Asadit, i takon alavitëve shiitë. Pastaj ka konfesione të tjera islame, ose të dala nga islami: druzët, ismailitët, alevitët dhe shiitë dymbëdhjetësh. Ata të gjithë përbëjnë rreth shtatë për qind.

Krahas muslimanëve janë edhe të krishterët. Ata gjithashtu janë një grup i përzier: ortodoksë grekë, ortodoksë katolikë dhe ortodoksë siriane, maronitë, melkitë, të krishterë apostolikë armenë, katolikë sirianë dhe katolikë grekë dhe anëtarë të kishës kaldeike. Ata të gjithë përbëjnë rreth 15 për qind të rreth 21 milionë sirianëve.

Përveç feve janë edhe pakicat minoritetet etnike: kurdë, turkmenë, çerkezë, arameas dhe asirianët. Në vitet dhe dekadat e e fundit në Siri kanë ardhur edhe rreth 600.000 refugjatë palestinezë dhe irakianë.

Përberja fetare

Vajza siriane duke festuar pashkët
Vajza siriane duke festuar pashkëtFotografi: AP

Siria nuk është një shoqëri, në të cilën grupet e ndryshme përzihen në një komb të tipit të ri. Por nuk është as kazan, që rrezikon të pëlcasë nga presioni etnik-kulturor. Shkrimtari sirian, Rafiq Shami, që jeton prej 40 vjetësh në Gjermani, thotë se për një kohë të gjatë pakicat e ndryshme nuk kanë patur probleme as me njëra-tjetërn dhe as me popullatën shumicë sunite. Gjatë fëmijërisë së tij, thotë Shami, ai ka patur një shok të krishterë, i cili për vite me rradhë nuk e ka ditur, se ai ishte musliman. "Kjo nuk ishte as e nevojshme," thotë Shami, "sepse luanim së bashku. Për më shumë nuk kishim nevojë."

Për më shumë nuk kishte nevojë, sepse kufijtë, që ndanin sirianët, kalonin diku tjetër, jo në linjat fetare, apo kulturore. Popullsia ndahej kryesisht në bazë të faktorëve gjeografikë dhe sociografikë: Popullsi qyteti dhe fshati, banorë të maleve dhe të shkretëtirës, apo të bregdetit. Në kohët e mëparshme nomadët kishin një mënyrë jetese të ndryshme nga ata, që ishin të ngulur në një vend. Njerëzit ndryshonin edhe në stilin e jetesës: Një pjesë bënte një jetë të hapur, metropolitane. Të tjerët preferonin të qëndronin në rrethin e vet. Rajonet dhe qytetet nga ana e tyre dallonin shtresa të kamura dhe më pak të kamura, të arsimuara dhe të paarsimuara. Siria ka qenë për një kohë të gjatë një biotop i larmishëm.

Megjithatë të gjitha grupet kishin qendrat e tyre: Alavitët i tërhiqnin kryesisht malet Nusayri, si dhe Homsi dhe Hama. Ismailitët jetojnë tradicionalisht në malet përgjatë bregdetit, ndërsa të krishterët grekë ortodoksë dhe grekë katolikë preferonin të banonin sidomos në Damask, Latakia dhe zonat bregdetare pranë tyre. Kurdët janë të vendosur kryesisht në Malet Taurus dhe përgjatë kufirit siriano-turk, si dhe në "Hay al-Akrad" në "lagjen kurde" në Damask.

Identitetet konkurruese

Grupet e ndryshme etnike janë të shpërndara në të gjithë territorin
Grupet e ndryshme etnike janë të shpërndara në të gjithë territorinFotografi: DW

Siria moderne u krijua gjatë kolonializimit evropian. Ndërsa rajoni i madh "Balad al-Shams" nën sundimin e osmanëve përfshinte ende territoret e shteteve të sotme të Izraelit, Libanit dhe Sirisë dhe territoret palestineze, britanikët dhe francezët e ndanë rajonin që nga viti 1918 në krahina, nga të cilat u krijuan pastaj shtetet e sotme. Në atë kohë filloi ndarja kulturore e në rradhë të parë fetare e grupeve etnike, që jetonin deri atëherë në paqe krah njëri-tjetrit. Franca rekrutoi për ushtrinë e saj, të ashtuquajturat "Troupes Speciales du Levant", kryesisht anëtarë të pakicave fetare. Qëllimisht francezët përdorën një taktikë, që i vuri minoritetet në konfrontacion me shumicën sunite. Trikun për të nxitur grupet e ndryshme etnike e përvetësoi Hafiz al Asadi, babai i Basharit, i cili u emërua presidenti pas grushtit të shtetit në vitin 1970.

"Assadi", thotë shkrimtari Rafiq Shami, "u shpërndante favore dhe poste njerëzve, që ishin besnikë të tij dhe atyre, që ishin pjesëtarë të grupit të tij të Alavitëve. Në këtë mënyrë ai krijoi një regjim konfesional, që sirianët nuk e kishin njohur më parë parë. Në të njëjtën kohë Asadët morën edhe anëtarë të shtresave të tjera, edhe të elitës ekonomike sunite. Privilegjet e fituara nga këto lidhje, bënë që shumë prej tyre të pozicionoheshin në fillim të trazirave në anën e regjimit Asad. "Shumë sunitë," thotë Rafik Shami, "u bënë të pasur në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë. Prandaj ata pëkrashin Asadin. Dhe ata do të presin lidhjen me të, nëse lidhja me të keqësohet."

Të bashkuar në rezistencën ndaj Asadit

Meqënëse sirianët kanë njohur vetëm anën autoritare të regjimit, rezistenca kundër qeverisë së Bashar al-Asadit rekruton nga të gjitha grupet e popullatës, thotë Ferhad Ahma, anëtar i Këshillit Kombëtar sirian. "Pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike e fetare, shumica e sirianëve duan një ndryshim demokratik."Por kjo nuk do të thotë se pas viteve të gjata të konkurrencës fetare dhe etnike, të nxitur me vetëdije, ata e kanë tejkaluar mosbesimin kundër njëri-tjetrit dhe sidomos kundër shumicës sunite. "Pakicat këmbëngulin që të drejtat e tyre në Sirinë e ardhshme të përcaktohen qartë. Në këtë drejtim janë me të drejtë mjaft të shqetësuar. Sepse ata shohin se në disa vende fqinje, si Iraku dhe Turqia, qëndrimi ndaj grupeve numerikisht të vogla nuk është aspak në rregull."

Peshkopi i Damaskut, Gregorios III. Lutfi Laham, në festën e pashkëve
Peshkopi i Damaskut, Gregorios III. Lutfi Laham, në festën e pashkëveFotografi: SANA

Megjithatë edhe shumë alavitë janë të frikësuar, thotë Rafik Shami. Sepse jo të gjithë kanë mbështetur gjithë regjimin e Asadit. Prandaj ata nuk duhet të akuzohen kolektivisht, apo të shtyhen që të distancohen publikisht nga qeveria. "Alavitët janë të kujdesshëm. Kjo duhet respektuar. Pastaj ata flasin hapur dhe atëherë duket, nëse një alavit është mbështetës i regjimit, apo jo. Por nuk duhet të tërhiqen vazhdimisht para mikrofonave dhe t'u kërkohet që të japin deklarata kundër Asadit. Sidomos jashtë vendit nuk duhet bërë kjo. Sepse alavitët kanë të afërm në Siri dhe ato janë pengje të regjimit."

Një kushtetutë për të gjitha grupet etnike

Kështu të gjitha grupet janë të përfshira në rezistencën kundër Asadit, thotë Ferhad Asmah. Sigurisht ka edhe shqetësime në lidhje me të ardhmen. Por opozita siriane është në rrugën e mirë për të zgjidhur problemet. "Tani është duke u negociuar me përfaqësuesit e pakicave, në mënyrë që të krijohen koncepte dhe teza të qarta për të sanksionuar rolin e pakiave dhe të drejtat e tyre në Kushtetutë - dhe jo vetëm në legjislacionin e zakonshëm - në mënyrë që në të ardhmen të ketë garanci për to. "Assadët kanë kontribuar shumë për të përçarë artificialisht shtresat e popullsisë siriane. Tani këto grupe po lidhen përsëri me njëri-tjetrin nga rezistenca kundër regjimit. Tani për tani ata janë aleatë të përkohshëm. Një politikë e mençur do të bente, që ata të mbeten aleatë për një kohë të gjatë.

Autor: Kersten Knipp/Angjelina Verbica

Redaktoi: Elert Ajazaj