1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistani ende larg normalitetit

Christof Heinzle9 Nëntor 2007

Benazir Buto vendoset nën arrest shtëpiak. Autoritetet e Pakistanit kanë paralajmëruar se do të ndalojnë manifestimin e planifikuar të protestës.

https://p.dw.com/p/C5zc
Ish-kryeministrja, Benazir Buto u vendos në arrest shtëpiakFotografi: AP

Disa herë patën bërë të ditur ditët e fundit autoritetet e Pakistanit se do ta ndalonin manifestimin e planifikuar të protestës në qytetin fqinj me Islamabadin, Ravalpindi. Tani ata po i vënë në jetë deklaratat e tyre- e kjo është gjithcka tjetër po jo e papritur.

Të premten, forcat e sigurisë e vendosën udhëheqësen e opozitës Benazir Buto faktikisht nën arrest shtëpiak. Shtëpia e saj në Islamabad u rrethua nga policia, Bhuton e penguan të largohet nga shtëpia. U tha se kjo vlen hë për hë për një ditë, për ta penguar Buton që të mbajë një fjalim në një manifestim kundër gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk ka urdhër zyrtar për këtë, tha ministri i informacionit Tarik Aziz. Por ai shtoi se nuk do t'i lejojë asnjë politikani një manifestim. E drejta është njësoj për të gjithë. Ai që vepron kundër saj, trajtohet në mënyrën përkatëse, tha Azizi.

Vazhdojnë arrestimet

Manifestimet janë të ndaluara nën gjendjen e jashtëzakonshme. Vetëm në Ravalpindi janë angazhuar më shumë se 7 mijë policë. Ata e rrethuan territorin ku do të mbahet manifestimi dhe bllokuan hyrjet për në qytetin me miliona banorë. Edhe në Islamabad u bllokuan rrugët. Në këto kushte protestat nuk janë të përfytyrueshme, thanë vëzhgues në Ravalpindi, të paktën si gjest simbolik i opozitës. Sipas të dhënave të Partisë Popullore të Butos, policia arrestoi natën duke u gdhirë e premtja 5 mijë mbështetës të kësaj partie.

Kritika megjithë lëshimet e Musharafit

Benazir Buto i përmbahet kritikës së saj, megjithë lëshimet që i ka bërë Musharafi. Të enjten, pas presionit nga SHBA, presidenti caktoi një afat kohor për zgjedhjet parlamentare: "Zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne i kemi mbyllur reflektimet tona. Zgjedhjet në Pakistan duhet të mbahen deri më 15 shkurt 2008"

Me këtë, zgjedhjet do të shtyheshin me rreth një muaj në krahasim me afatin e mëparshëm. Ende mbetet e hapur se përsa kohë do të qendrojë në fuqi gjendja e jashtëzakonshme. Premtimi i dytë i Musharafit: ai dëshiron të heqë dorë nga posti i shefit të ushtrisë. Kjo megjithatë do të ndodhë vetëm atëherë, kur rizgjedhja e tij si president më 6 tetor të deklarohet e ligjshme.

Premtim i Musharafit

"Kjo është faza e tretë e kalimit në demokraci dhe unë duhet ta zhvesh uniformën. Gjykata e Lartë duhet të vendosë tani, kur duhet të shpallet rizgjedhja ime si president. Nëse Gjykata do ta lejojë deklarimin, atëherë unë mund ta zhvesh uniformën. Këtë unë e kam thënë që para dy muajsh."

Por Benazir Buto kërkon që Musharafi të japë dorëheqje si shefi i ushtrisë brenda një jave. Një vendim i Gjykatës së Lartë për rizgjedhjen e tij do të pranohet vetëm atëherë, kur të rimerren në punë gjykatësit e shkarkuar. Për javën e ardhshme është parashikuar si protestë një marshim i gjatë, që nga Lahore për në Islamabad.