1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Panetta i kërkon falje popullit afgan

19 Prill 2012

Ushtarët amerikanë në Afganistan janë përfshirë për herë të katërt brenda këtij viti në një skandal. Gazeta "Los Angeles Times" publikoi fotografi të pjesëtarëve të një baze ushtarake me pjesë kufomash të kryengritësve.

https://p.dw.com/p/14gwU
Ministri i Mbrojtjes i SHBA, Leon Panetta
Ministri i Mbrojtjes i SHBA, Leon PanettaFotografi: Reuters

18 fotografitë e bëra në vitin 2010 i janë dërguar gazetës nga një ushtar amerikan. "Me këtë ai ka dashur të tregoj të metat e zinxjirit komandues, por edhe mungesën totale të disiplinës", thuhet në artikullin e gazetës 'Los Angelos Times'. Për këtë rast është shprehur edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta. "Ne e dënojmë ashpër atë çfarë kemi parë në këto fotografi. Sjellja që shprehet në ato fotografi shkel absolutisht rregullat tona dhe ajo çfarë është më e rëndësishmja, vlerat tona kryesore. Kjo nuk jemi ne dhe kjo me siguri që nuk pasqyron atë që përfaqësojnë pjesa më e madhe e burrave dhe grave në uniformë, të cilët janë duke shërbyer atje", tha Panetta.

Amerikanët paralajmërojnë hetime

Panetta shtoi se bëhet fjalë për një dukuri, e cila ka rënë ndjeshëm. "Por kjo nuk do të thotë se ky rast, i cili ka ndodhur në vitin 2010 nuk do të hetohet në hollësi dhe se nuk do të kërkohet dënimi i duhur i atyre që janë përgjegjës", tha sekretari amerikan i Mbrojtjes dhe shtoi:

"Më lejoni të them edhe këtë: Në Afganistan kemi luftë. Lufta ka anën e saj të shëmtuar dhe sjell dhunë. Po ashtu unë e di se ndonjëherë ushtarët humbasin kontrollin dhe ndodh që ata të veprojnë gabimisht. Nuk po mundohem të justifikoj sjelljen e tyre, por unë nuk dua që një imazh i tillë në të ardhmen të jetë me pasoja për trupat tona, as nuk dua të rrezikojë marrëdhëniet tona me popullin afgan".

Ushtarë amerikanë në Afganistan
Ushtarë amerikanë në AfganistanFotografi: Reuters

Panetta: I kërkojmë falje popullit afgan

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta tha se fotografitë e tilla rëndojnë shumë marrëdhëniet mes ushtrisë amerikane dhe popullit të Afganistanit. Kështu ai vuri në dukje dëmin që ka shkaktuar publikimi i tyre në gazetë. Panetta deklaroi se ai është përpjekur për të ndaluar publikimin e këtyre fotografive: "Kemi kërkuar nga gazeta 'Los Angeles Times' që të mos i publikojë këto pamje. Arsyeja për këtë është se skandalet e tilla më së tepërmi përdoren nga armiqët tanë për të shkaktuar dhunë që çon në humbjen e jetës së njerëzve. Prandaj na vjen shumë keq që fotografitë janë botuar".

Në fund, sekretari amerikan i Mbrojtjes në emër të ministrisë së tij dhe qeverisë amerikane i ka kërkuar falje popullit afgan.

Autor: dpa/ E. Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi