1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa Benedikti i XVI shpreh respekt të thellë për fenë islame në Aman

9 Maj 2009

Në hapje të vizitës së tij në Jordani Benedikti XVI. theksoi dëshirën për paqe dhe harmoni në Lindjen e Afërme. Fjalë të qarta në Aman, ku megjithatë entuziazmi për vizitën e Papës ishte i kufizuar.

https://p.dw.com/p/HmbR
Mbreti i Jordanisë Abdullah II dhe mbretëresha Rania presin Papën Benedikt XVI në mbërritje në Aman.Fotografi: AP

Dje gjatë pasdites së vonë Benedikti XVI i bëri një vizitë kortezie çiftit mbretëror. Me një gjest të veçantë mbretëresha Rania dhe mbreti Abdullah II-të e pritën mysafirin nga Vatikani që në aeroport. Se çfarë pret ai prej vizitës së Papës, këtë mbreti e bëri të qartë që në fjalën e tij përshëndetëse:


"Vlerat që ndajmë ne mund të japin një kontribut të rëndësishëm për tokën e shenjtë. Këtu duhet të mënjanojmë së bashku hijen e konfliktit, që është krijuar prej politikës kolonizuese të planifikuar. Palestinezëve u duhet pranuar e drejta e lirisë dhe e sovranitetit, dhe izrealitëve siguria. Jeruzalemi është një problem i përbashkët për të gjithë ne. Duhet të garantojmë, që qyteti i shenjtë të mund të jetë një vend lutjeje për të gjithë."

Nevojitet një dialog i ri global i mirëkuptimit të ndërsjellë dhe i vullnetit të mirë, tha Abdullahu.

Papa thotë vazhdimisht se vjen si pelegrin në tokën e shenjtë dhe gjatë fluturimit të tij ai theksoi edhe një herë që kisha nuk është fuqi politike. Megjithatë vizita e tij është dydimensionale dhe aspekti politik, i vështirësuar prej aferës Williamson dhe fjalimit të Regensburgenit, përbën pjesën më të rëndësishme. Veç kësaj Benedikti XVI shpreson, që vizita e tij t'i japë impulse të reja dialogut ndërfetar.


"Vizita ime në Jordani më jep një mundësi të mirëpritur për të folur për respektin tim të thellë për bashkësinë myslimane dhe për të drejtuar mirënjohje kundrejt madhërisë së tij, mbretit, për nxitjen e një të kuptuari më të mirë të virtyteve të shpallura nga feja islame."


Benedikti është i treti Papë i kohës së re, që viziton Jordaninë. Së fundi paraardhësi i tij Gjon Pali II ishte këtu para nëntë vjetësh. Por në dallim nga ai Benedikti do të qëndrojë jo vetëm një, por katër ditë. Për të është udhëtimi i parë në një vend arab.Dje pasdite ai vizitoi një qendër kishtare për fëmijë me aftësi të kufizuara. Atje Papa u prit me entuziazëm me brohoritjet "Benedetto" nga besimtarë katolikë. Por në Jordani entuziazmi dallohet me vështirësi. Shumica e njerëzve janë indiferentë kundrejt vizitës së Papës, pasi të krishterët përbëjnë këtu vetëm një pakicë të vogël. Gjatë fjalës së tij para qendrës "Regina Pacis" Benedikti XVI preku edhe një herë procesin e paqes në Lindjen e Afërme. Do të lutem për të, tha ai:


"Paqe për të gjithë, për prindërit, për bashkësitë, për Jeruzalemin, për tokën e shenjtë, për rajonin, paqe për gjithë njerëzimin. Qoftë kjo paqe e gjatë, në drejtësi dhe integritet, e mbështetur prej dëshirës së thellë për të jetuar me njëri-tjetrin në harmoni."

Papstbesuch Naher Osten
Papa Benedikt XVI duke mbajtur një fjalë në bazilikën antike dhe në përkujtimoren e Moisiut në malin Nebo, ku sipas biblës Moisiu pa tokën e premtuar.Fotografi: AP

Sigurisht edhe një temë gjatë takimit të sotëm të Benediktit me klerikë dhe dijetarë të lartë myslimanë pas një vizite në një xhami të vendit arab. Shpresohet për fjalë të qarta të Papës. Kreu i Kishës Katolike do të vizitojë në Jordani edhe vendet e shenjta të krishtërimit, sot malin Nebo, prej nga Moisiu sipas biblës pa tokën e shenjtë dhe nesër vendin e supozuar të pagëzimit të Jezusit në lumin Jordan. Deri në vazhdimin e udhëtimit për në Izrael Papa e kalon natën në rezidencën e nuncit të Vatikanit.

Autor: Stefan Troendle / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani