1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

240908 Siemens AUB

Zimone Shylajn24 Shtator 2008

Aktorët në skandalin AUB-Zimensit (Siemens) duhet të përgjigjen para gjykatës së landit në Nyrnberg-Fyrt. Në bankën e të akuzuarve:ish-kryetari i bashkimit të sindikatave e ish-kryetari i bordit drejtues të Zimensit

https://p.dw.com/p/FO9v
Fotografi: AP

Pritet një proces i gjatë spektakolar. Me Johanes Feldmajerin në bankën e të akuzuarve ka zënë sot vend manaxheri i parë i lartë i ish-rrethit drejtues tek Zimensi. Ai akuzohet të ketë urdhëruar pagimin në harkun e disa viteve të më shumë se 30 milionë eurove ish-kryetarit të AUB-së në nivel vendi, Vilhelm Shelski. Pagesat e dyshimta janë përcaktuar në një kontratë të rremë, thotë zëdhënësi i drejtësisë në Nyremberg Andreas Kventin (Andreas Quentin):

"Në këtë kontratë Feldmajeri e detyron Zimensin t'i paguajë zotit Shelski shuma të konsiderueshme në mënyrë që Shelski në këmbim të këshillojë firmën Zimens. Të dy janë marrë vesh që ky këshillim të mos kryhej kurrë. Në vend të kësaj, paratë e paguara i akuzuari Shelski duhet t'i përdorte për të mbështetur sindikatën alternative AUB."

Në këtë mënyrë Zimensi donte të ndërtonte një sindikatë në sipërmarrje me qëndrim pro-punëdhënësve, një kundërpeshë kundrejt IG-Metalit. Fakti që tani personat përgjegjës po japin llogari para gjykatës, përbën sipas Kventinit një rast unik në historinë e pasluftës. Në këtë çështje prokuroria do ta vërë Johanes Feldmajerin para përgjegjësisë për mashtrim, sepse firma Zimens ka paguar për diçka që nuk i është dhënë.

Shelski i ka shpenzuar paratë për fletëvolante dhe reklama që në zgjedhjet për sindikatat në sipërmarrje të fitonin kandidatë të AUB-së. Sipas vlerësimit të prokurorisë, në këtë mënyrë Shelski ka bashkëpunuar në shpërdorim. Kësaj i shtohet evazioni fiskal me vlerë në miliona dhe mashtrimi. Hetimet kanë nxjerrë se me një pjesë të parave Shelski nuk ka mbështetur AUB-në, por klube sporti. Ai paguante rrogat e hendbollisteve të Nyrembergut dhe pagesat i zbriste nga taksat si shpenzime të firmës.

Për procesin janë parashikuar 24 seanca. Vendimi pritet të shpallet në fund të nëntorit. Në rast dënimi, pritet që të dy ta vuajnë dënimin në burg.