1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

041010 China Währung

5 Tetor 2010

Grindja që zien prej vitesh midis SHBA-së dhe Kinës rreth vlerësimit të duhur të monedhës kineze rrezikon të shkallëzohet. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projektligjin që mundëson dogana ndëshkuese mbi prodhimet kineze.

https://p.dw.com/p/PVYP
Pamje simbolike e monedhës kinezeFotografi: AP

Në një aspekt të caktuar marrëdhënia midis SHBA-së dhe Kinës i ngjan asaj të një narkomani me tregtarin e drogës. Kinezët shesin mallra të leverdisshme në SHBA dhe me paratë e nxjerra blejnë obligacione shtetërore amerikane. Në këtë mënyrë ata shmangin që vlera e monedhës së tyre renminbi kundrejt dollarit të rritet dhe krahas kësaj financojnë huatë e amerikanëve. Këta konsumojnë me zell prodhime "Made in China", shpenzojnë për këtë ato para, që praktikisht i kanë marrë hua prej kinezëve.

Deutschland Messe CeBIT China
Mallrat kineze kanë pöushtuar jo vetëm Amerikën. Një pamje nga stendat e Kinës në panairin elektronik në HanoverFotografi: AP

Shpresa për shtrenjtim të mallrave kinezë

Rezultati: Çdo katër vjet bilanci i deficitit tregtar të SHBA-së me Kinën dyfishohet. I dëshirueshëm dhe më mirë do të ishte një raport i baraspeshuar midis importeve dhe eksporteve. Qeveria amerikane kërkon një mbiçmim më të shpejtë të renminbisë (monedha kineze renminbi, e quajtur edhe juan), me shpresën se prodhimet kineze do të shtrenjtohen dhe kësisoj bie eksporti në SHBA. Kjo do ta ulte deficitin tregtar.

Por midis bilancit tregtar dhe vlerësimit të monedhës nuk ka kurrfarë lidhjeje, mendon Xu Hongcai i China Center for International Economic Exchanges: "Çmimet për lëndë të para dhe për punë në Kinë janë të ulëta, jo monedha. Koncernet ndërkombëtare, edhe ato amerikane, blejnë lëndë të para në rrafsh global, i përpunojnë në Kinë dhe prodhimet i shesin në mbarë botën. Nëpërmjet kësaj lind një tepri për Kinën. Kjo nuk ka të bëjë me monedhën."

USA Bildgalerie 100 Tage Barack Obama Wirtschaft
Fjalim i Obamës "Të bëjmë që Amerika të punojë". Konflikti monetar me Kinën ka sfond elektoral vlerësojnë ekspertët. Papunësia nuk po lëviz nga 10% dhe deficiti tregat mbetet i lartëFotografi: AP

Trysnia në SHBA i detyrohet zgjedhjeve të afërta për Kongresin, thotë më tej Xu. Papunësia nuk po lëviz nga niveli gati 10 për qind. Çështja e monedhës është pra një temë e mirëpritur për të larguar vëmendjen nga problemet e veta, mendon eksperti monetar kinez.

Renminbija - monedha popullore gëzon besimin e tregjeve

Veç kësaj, SHBA-ja shpresonte shumë prej paralajmërimit të Bankës Qendrore Kineze në qershor që të hiqte dorë nga fiksimi i renminbisë te dollari dhe ta bënte atë më të luhatshëm. Por që atëherë renminbija, që në kinezisht do të thotë monedhë popullore, është mbiçmuar vetëm me 1,8 për qind kundrejt dollarit.

Edhe ekspertë ekonomikë të tjerë mendojnë se amerikanët janë naivë në qoftë se besojnë se në një gjendje të pasigurt në ekonominë botërore Kina do t'i hyjë rrezikut të lejojë fleksibilitet më të madh monetar. Për arsye të mungesës së besimit te dollari renminbija luan që sot një rol të rëndësishëm si monedhë llogarie në hapësirën aziatike.

Autor: Zhang Danhong/Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi