1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Paraqitet në Berlin marrëveshja e koalicionit të ri qeveritar

24 Tetor 2009

Partitë e Unionit (CDU/CSU) dhe liberalët (FDP) përfunduan negociatat e tyre që zgjatën tri javë për krijimin e koalicionit qeveritar. Merkel, Westerwelle dhe Seehofer paraqitën në Berlin marrëveshjen për koalicion.

https://p.dw.com/p/KEQZ
Të kënaqur: Guido Westerwelle, Angela Merkel dhe Horst SeehoferFotografi: picture alliance/dpa

Negociatat kanë përfunduar dhe marrëveshja është arritur, bëri të ditur para gazetarëve në Berlin kancelarja Angela Merkel. Partitë kanë rënë dakord edhe për ndarjen e posteve ministrore: CDU-ja do të ketë tetë ministra, FDP-ja pesë dhe CSU-ja tre. Poashtu është rënë dakord edhe për emrat e ministrave, por ata do të zyrtarizohen për opinion pas konfirmimit të tyre prej kongreseve të partive. Liberalët e rafitikuan marrëveshjen njëzëri të shtunën. Ndërsa partitë e Unionit do takohen të dielën dhe të hënën. Megjithatë kancelarja Merkel theksoi se mund të konfirmojë të dhënat e bëra publike në media, po folur për emra.

Kush janë ministrat e ri?

Guido Westerwelle, FDP-Chef, künftiger Außenminister und Vizekanzler
Westerwelle, ministri i ri i JashtëmFotografi: AP

Sipas mediave gjermane, kabineti i ardhshëm i kancelares Merkel do të ketë 16 ministra. Tetë prej tyre do t'i takojnë CDU-së, 5 FDP-së dhe 3 CSU-së. Ministër i jashtëm i Gjermanisë dhe zëvendëskancelar në kabinetin e ri qeveritar do të jetë lideri i liberalëve, Guido Westerwelle. Befasia më e madhe është kalimi i ministrit të Brendshëm Wolfgang Shäuble në kabinetin e ministrit të Financave. Ministër i Brendshëm në kabinetin e ri do të jetë shefi i deritanishëm i zyrës së kancelares, Thomas de Maizière.

Deutschland Kabinett Wolfgang Schäuble CDU Finanzminister
Wolfgang Schäeuble, befasia më e madheFotografi: AP

Për shumë analistë befasi është edhe kalimi i ministrit Franz Josef Jung nga sektori i mbrojtjes në postin e minsitrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Vendin e tij në postin e minsitrit të Mbrojtjes do ta zë ministri i tanishëm i Ekonomisë Karl-Theodor zu Guttenberg. Ursula von der Leyen mbetet në postin e ministres për Familje. Peter Ramsauer do të jetë ministër i Komunikacionit. Ministër i Shëndetësisë do të jetë 36 - vjeçari Philipp Rösler. Sabine Leutheusser-Scharrenberg do të udhëheqë ministrinë e Drejtësisë. Norbert Röttgen do të jetë ministër i Ekologjisë.

Koalitionsverhandlungen in Berlin von der Leyen , Rösler
Philipp Rösler, më i riu në kabinet, dhe Ursula von der LeyenFotografi: picture-alliance/ dpa

Sekretari i deritanishëm i përgjithshëm i CDU-së, Ronald Pofalla njihet si një prej njerëzve më të besuar të kancelares Merkel. Prandaj nuk befason fakti që ai do të marrë postin e shefit të zyrës së kancelares dhe në nivelin e ministrit do të koordinojë punën e qeverisë. Në kabinetin qeveritar do të jenë edhe Dirk Niebel, si ministër i për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Ilse Aigner mbetet në postin e ministers së Bujqësisë. Ndërkohë që një prej ministrive më të rëndësishmme, siç u tha para gazetarëve në Berlin, ajo e Arsimit, mbetet në duart e Annette Schavan.

Lehtësimet tatimore ndër pikat më të diskutuara

Pika më e diskutuar kohët e fundit ishte ajo e uljes së tatimeve. Partnerët në koalicion kanë rënë dakord që tatimet në Gjermani të ulen gradualisht duke filluar prej filimit të vitit të ardhshëm. Pas negociatave të shumta, partitë e Unionit dhe liberalët u dakorduan që lehtësimet e përgjithshme tatimore të kapin një shumë prej 24 miliardë eurosh. Liberalët në fillim kanë kërkuar lehtësime deri në 35 miliardë. Kancelarja gjermane dhe kryetarja e CDU-së Angela Merkel, lideri i liberalëve Guido Westerwelle dhe kryetari i CSU-së Horst Seehofer u shprehën të bindur se marrëveshja e koalicionit i mundëson Gjermanisë rimëkëmbje ekonomike, ruajtjen e vendeve të punës, lehtësime tatimore...

Baden-württembergischer Ministerpräsident Günther Oettinger
Günther Oettinger kalon në BrukselFotografi: picture alliance/dpa

Partitë e koalicionit të ri kanë rënë dakord edhe për prezantimin e Gjermanisë në Bashkimin Evropian, por kancelarja Merkel as këtu nuk deshi të flas për emra. Sipas agjencive të lajmeve, postin e një komisioneri nga Gjermania në Bruksel do ta zë kryeministri i landit Baden-Vyrtenberg, Günther Oettinger.

Vlerësime të ndryshme të marrëveshjes

Marrëveshja e koalicionit ka shkaktuar reagime të ndryshme. Sindikata e Bashkuar e Shërbimeve ver.di e ka kritikuar këtë marrëveshje. Kryetari i saj Frank Bsirske tha se konservatorët dhe liberalët e vendosin fitimin para të mirës së përbashkët. Fjalë kritike kishte dhe drejtori i Institutit të Ekonomisë Gjermane në Këln, Michael Hüther. Përballë malit të borxheve në arkat publike ai i konsideron të pashmangshme shkurtimet në buxhetin social. Në fushën e politikës së mjedisit Lidhja për Mbrojtjen e Natyrës (NABU) kërkoi përmirësime të dukshme në marrëveshjen e koalicionit. Kryetari i NABU-t Olaf Tschimpke kritikoi pezullimin e planit për heqjen dorë nga energjia bërthamore. Lëvdata pati nga i ngarkuari i Parlamentit për mbrojtjen, Reinhold Robbe. Ai e konsideron në parim pozitiv shkurtimin e shërbimit ushtarak nga nëntë në gjashtë muaj.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama