1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti gjerman zgjat mandatin e trupës gjermane në Afganistan

28 Janar 2011

Parlamenti federal gjerman ka miratuar zgjatjen me një tjetër vit, të misionit të ushtrisë gjermane në Afganistan.

https://p.dw.com/p/106XI
Ushtar i Bundeswehr-it në AfganistanFotografi: AP

Kështu deri në shkurt të vitit 2012 mund të dërgohen në Hundukush, si pjesë e trupës ndërkombëtare mbrojtëse në Afganistan, ISAF jo më shumë se 5350 ushtarë gjermanë. Krahas deputetëve të partive të koalicionit konservatoro-liberal, për zgjatjen e misionit votoi me shumicë edhe grupi parlamentar i socialdemokratëve në opozitë.

Bundestag über das Isaf Mandat in Afghanistan
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Karl Theodor zu GuttenbergFotografi: picture alliance / dpa

Me mandatin e ri për vazhdimin e misionit të ushtrisë gjermane në Afganistan parlamenti kreu gjithashtu përgatitjen për tërheqjen e synuar. Me votat e partive qeveritare CDU/CSU dhe FDP si dhe të shumicës së deputetëve të Partisë Socialdemokrate parlamenti vendosi, që misioni nëntëvjeçar të zgjatet me një vit. Veç kësaj, me "fundin e 2011-ës" u sanksionua edhe koha e tërheqjes së mundshme. Por ajo do të nisë vetëm kur një gjë të tillë ta lejojë gjendja e sigurisë në Afganistan he kur ushtarët e mbetur të mos rrezikohen. Partia Socialdemokrate hezitoi gjatë në dhënien e pëlqimit, Të Gjelbërit u shprehën kundër mandatit. Partia e Majtë e refuzon parimisht misionin.

Sigmar Gabriel SPD Bundestag
Sigmar GabrielFotografi: picture alliance/dpa

Ja se si u shpreh kryetari i SPD-së, Sigmar Gabriel: "Ne e miratojmë sot me shumicë dërrmuese zgjatjen e mandatit, sepse e konsiderojmë të drejtë dhe premtues ndryshimin e strategjisë në Afganistan. Nuk e bëjmë këtë sepse na duken të drejta formulimet e kompromisit brenda koalicionit qeveritar në tekstin e mandatit." Aktualisht në kuadër të trupës mbrojtëse ndërkombëtare janë në Hindukush 4.900 ushtarë gjermanë. NATO-ja do t'i japë fund misionit ushtarak deri në fund të vitit 2014.

Autoren: DW/ Eliana Xhani/ Elert Ajazaj

Redaktoi: Aida Cama