1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti grek voton pro referendumit

AUD (dpa, afp)28 Qershor 2015

Parlamenti grek hapi rrugën për referendumin e propozuar nga kryeministri Cipras në grindjen për borxhet me kreditorët. Ciprasi bën thirrje për një "jo ultimatumit" të kreditorëve.

https://p.dw.com/p/1FoY4
Parlamenti i Athines
Fotografi: Reuters

Me 178 vota pro dhe 120 vota kundër deputetët votuan për mbajtjen e një referendumi, për propozimin e mëparshëm të masave të kursimit dhe të reformave, të propozuara nga kreditorët ndërkombëtarë. Në fillim u bë e ditur se pro referendumit kishin votuar 179 vetë, por pas një numërimi të ri, shifra u korrigjua. Partia Syriza e Tsiprasit ka shumicën në Parlament, prandaj aprovimi i Parlamentit në Athinë për referendumin konsiderohej i sigurtë.

Pavarësisht nëse partnerët duan apo jo

"Referendumi do të zhvillohet, pavarësisht nëse duan apo nuk duan partnerët", tha Ciprasi në Parlament.

Njëkohësisht ai theksoi se askush nuk mund ta nxjerrë Greqinë nga Eurozona. "Dita e së vërtetës do të vijë për kreditorët", deklaroi Cipras. Greqia nuk do të dorëzohet. Për referendumin e planifikuar për të dielën e ardhshme, grekët duhet të thonë një "jo të madhe për ultimatumin" e kreditorëve, kërkoi Cipras. Kryeministri u tregua njëkohësisht i bindur se përmes një "jo-je krenare", do të forcohej pozicioni i Greqisë përballë kreditorëve, megjithëse ata i refuzojnë të paktën për tani bisedimet e mëtejshme me Athinën.

Jo-ja është me pikëpyetje të madhe

Nëse grekët do të votojnë me të vërtetë me shumicë kundër kushteve të kreditorëve - siç pritet nga qeveria e Athinës - kjo është gjithçka tjetër po jo e qartë. Fakt është: në dy sondazhe, një shumicë e qartë e grekëve u shpreh pro gjetjes së një kompromisi me kreditorët. Sondazhet megjithatë u zhvilluan para deklaratës së papritur për një referendum, gjë që e ka futur Eurozonën në krizën më të rëndë që prej futjes së monedhës së përbashkët.

Opozita në Greqi e akuzon Ciprasin se fshihet pas popullit. Ai duhet të marrë vetë një vendim dhe ta mbrojë atë, tha ish-kryeministri Antonis Samaras. Për më tepër, referendumi nuk ka kuptim, sepse negociatat me donatorët gjithsesi kanë përfunduar.

Ciprasi e pati shpallur papritur referendumin natën duke gdhirë e shtuna. Pas kësaj, ministrat e Financave të Eurozonës vendosën t'ia mbyllin rubinetin e parave Greqisë dhe që deri në një vendim tjetër të mos e furnizojnë më me para ndihmë Greqinë. Në një takim të posaçëm në Bruksel, ata e refuzuan një zgjatje të programit të ndihmës për Athinën, që po përfundon.

Fillimi i fundit?

Me këtë duket i vulosur fati i vendit të zhytur në borxhe. Sepse pa ndihma të tjera financiare Greqia nuk do të jetë në gjendje t'ia kthejë të martën kredinë ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar në shumën prej 1,5 miliardë dollarësh, e me këtë kërcënon falimentimi.

Të shtunën klientët e bankave në Greqi tërhoqën në mënyrë të pazakontë shumë para nga bankomatët. Bankat e vendit megjithatë do të hapen të hënën si gjithmonë. Kontrolle të qarkullimit të kapitalit, qeveria e Athinës nuk planifikon të fusë. Megjithatë, ekspertët besojnë se ato do të jenë të nevojshme. Institutet greke janë shumë të varura nga ndihmat e emergjencës, të cilat duhet t'i miratojë Banka Qendrore Evropiane.