1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i BE-së: „Po, por...“ bisedimeve të antarësimit me Shqipërinë

Jannis Papadimitriou / Pandeli Pani13 Dhjetor 2012

Parlamenti Evropian rekomandon t'i jepet statusi i kandidatit Shqipërisë nëse përmbush kushtet. Retorika e kryeministrit shqiptar në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë perceptohet si nacionaliste nga eurodeputetët.

https://p.dw.com/p/17261
Strasbourg, France, 13/02/2012 - The European Parliament in Strasbourg, northern France, pictured on 13. February 2012. Photo: Francois Lafite/Wostok Press/Maxppp
Europäisches Parlament in Straßburg pixelFotografi: picture alliance / dpa

Në takimin e tyre të martën e kaluar ministrat e jashtëm të BE-së nuk i dhanë Shqipërisë statusin e kandidatit zyrtar, megjithëse perspektiva evropiane e vendit sipas Brukselit është e padiskutueshme. Me "Raportin e Progresit 2012 për Shqipërinë" Parlamenti Evropian nuk donte të ngrihej kundër Këshillit të Ministrave: Shqipëria duhet ta marrë vërtetë menjëherë statusin e kandidatit, por vetëm pasi të ketë përfunduar disa reforma të rëndësishme, deklaruan deputetët në një rezolutë të enjten (13.12.) në Strasburg.

Raportuesi përgjegjës i Parlamentit Evropian, Nikos Chountis, beson se raporti i progresit për Shqipërinë është shumë më dashamirës se përfundimet e diskutimeve të fundit të ministrave të Jashtëm të BE. "Ajo që ne vendosëm është në përputhje me vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, por është dukshëm më pozitive për Shqipërinë. Pika jonë e fillimit është si vijon: Nëse populli shqiptar do t'i bashkohet BE-së procesi i pranimit duhet të shërbejë dhe si një nxitje për të çuar përpara reformat e nevojshme, të tilla si në fushën e demokratizimit dhe mbrojtjen e minoriteteve. Ne duam të inkurajojmë shoqërinë shqiptare, t'i trajtojë këto probleme, sepse ato janë akute, dhe jo sepse këtë e kërkon BE-ja. " - tha eurodeputeti i majtë grek Nikos Chountis.

Sinjali adresuar politikës shqiptare

epa03220159 European Commissioner for Enlargement and European Neighbourhood Policy, Stefan Fule speaks during a press conference on the 2012 European Neighbourhood Policy Package, at the European Commission headquarters in Brussels, Belgium, 15 May 2012. EPA/JULIEN WARNAND +++(c) dpa - Bildfunk+++
Komisioneri i zgjerimit Stefan FüleFotografi: picture-alliance/dpa

Sipas Komisionit të BE-së Shqipëria duhet ta marrë statusin e kandidatit zyrtar. Këtë i propozoi komisioneri i zgjerimit Stefan Füle këshillit në fillim të tetorit kur u paraqiti raportin aktual të progresit të Komisionit Evropian rreth Shqipërisë. Por para Parlamentit Evropian Fülle u tregua disi më i rezervuar dhe u shpreh për një "rezolutë të balancuar" të deputetëve, e cila dërgon sinjalin e duhur për politikën shqiptare: "Nga njëra anë kjo rezolutë do të thotë pranim i punës së madhe që është bërë deri tani. Nga ana tjetër mbështetje e fortë e partive politike dhe e të gjitha palëve për t'u përqendruar në procesin e reformave dhe të integrimit në Evropë. Si dhe Parlamenti Evropian edhe ne e shohim të ardhmen e Shqipërisë në kuadër të Bashkimit Evropian dhe jemi gjithashtu të gatshëm të qëndrojmë tek rekomandimi ynë për t'i dhënë statusin e kandidatit. Por edhe Shqipëria duhet të tregojë se dhe ajo është e gatshme për këtë."

Duke përdorur tone diplomatike komisioneri i BE për Zgjerimin tha se liderët politikë në Shqipëri "nuk janë gjithmonë në gjendje që ta vënë integrimin në Bashkimin Europian në krye të axhendës së tyre politike."

Reagime ndaj retorikës së kryeministrit të Shqipërisë

Kurse disa eurodeputetë të tjerë u shprehen gjatë debatit për Shqipërinë në Strasburg duke përdorur formulimeve më të qarta, p.sh. deputetja e të Gjelbërve holandezja Marije Cornelissen: "Shqetësimi ynë më i madh ka të bëjë kryesisht me klimën politike në Shqipëri dhe mungesën e vullnetit të partive kryesore për të bashkëpunuar. Vitin e kaluar u duk se kjo po përmirësohej dhe se dalëngadalë parlamenti po funksiononte. Por sot unë nuk jam aq e sigurt për këtë. Në nëntor në parlament si rezultat i luftës për pushtet nuk u kaluan tre ligje, gjë që është krejtësisht e pakuptueshme. Përveç kësaj, kryeministri Berisha u shpreh se të gjithë shqiptarët etnikë mund të marrin pasaporta shqiptare. Ai e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo për rajonin."

Sidomos deklaratat e kryeministrit Berisha gjatë festimeve për 100 vjetorin e pavarësisë shkaktuan reagime të forta në radhët e deputetëve. Në momentin e fundit eurodeputetët miratuan në deklaratën e tyre një pasazh, në të cilin i bëjnë thirrje Berishës që të mos i përsërisë më deklarata të tilla. Madje dhe Bernd Posselt, politikan CSU-së, i cili është një përkrahës i zgjerimit të BE-së në drejtim të Ballkanit Perëndimor dhe përkrahës që Shqipërisë t'i jepet "sa më shpejt të jetë e mundur" statusi i kandidatit, e kritikoi deklaratën e kryeministrit shqiptar: "Unë e them se në vitin 1912 popullit shqiptar ju bë një padrejtësi e rëndë. Popullsia shqiptare u nda sipas interesave të Fuqive të Mëdha dhe kufijtë u caktuan në mënyrë artificiale. Por unë them megjithatë edhe se në kohën tonë as që mund të mendohet për ndryshim të kufijve. Rruga evropiane është që kufijtë të bëhen të parëndësishëm dhe jo që ata të ndryshohen. "