1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Maqedonisë debaton ndryshimin e Kushtetutës

Fatos Musliu22 Tetor 2008

Partitë shqiptare vlerësojne se ulja e censusit për zgjedhjen e Presidentit ka për motiv defaktorizimin e votës së elektoratit shqiptar

https://p.dw.com/p/Feiz
Pamje nga parlamenti i MaqedonisëFotografi: Petr Stojanovski

Parlamenti i Maqedonisë po debaton për ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit. Me ndryshimet e reja kushtetuese për zgjedhjen e presidentit vendoset që cenzusi të zvogëlohet nga 51 në 40 për qind.. Deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti, thotë se opozita dhe pozita maqedonase ka një qasje të gabuar me uljen e censusit për zgjidhjen e presidentit, sepse ata kanë motiv që ta defaktorizojnë votën e elektoratit shqiptar, gjë që nuk është në rregull. Qasja e gjithë spektrit politik në Maqedoni qoftë ai shqiptar apo maqedonas duhet të jetë në drejtim të motivimit të qytetarëve që sa më tepër të dalin në zgjedhje presidenciale. Me këtë rast presidenti i zgjedhur do të ketë legjitimitetet të plotë. Këtu qëndron defekti i politikës në Maqedoni.

“ Censusi do të ulet, por unë ju garantoj se përsëri shqiptarët do të jenë faktor që do ta përcaktojnë presidentin e ardhshëm, pasi shqiptarët janë qytetar të këtij vendi, vota e tyre do të jetë vendimtare, “ thotë deputeti Rafiz Aliti.

I një vlerësimi krejtësisht ndryshe është deputeti i opozitës maqedonase, Vllado Buçkovski. Ulja e censusit për zgjedhjen e kryetarit nuk është motivuar për çvlerësimin e faktorit shqiptar. Ky ndryshim në Kushtetutë ka për qëllim t´i pengojë manipulimet dhe mbushjen e kutive.

“ Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vititit 1999 tregojnë se vota e elektoratit shqiptar në mënyrë drastike është keqpërdorur. Ne dëshirojmë pa marrë parasysh a është kandidat i VMRO-DPMNE-së apo LSDM-së të mos ketë keqpërdorim të votave të elektoratit shqiptar,” vlerëson Buçkovski.

Partia Liberal Demokrate është e mendimit që fare të mos ketë census për dalje në zgjedhje presidenciale. Për ta 40%-shi nuk është faktor që determinon legjitimitetin e presidentit. Tito Petkovski thotë se me uljen e censusit për zgjedhjen e presidentit, degradohet dhe nënçmohet posti i presidentit në Maqedoni.

Këto ndryshime janë pjesë e marrëveshjes së liderëve të partive kryesore në Maqedoni, sipas së cilës presidenti i shtetit përsëri do të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta, por në rrethin e dytë do të hiqet cenzusi prej 51 për qind, që ishte i nevojshëm që zgjedhjet të jenë të suksesshme.



►◄