1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasiguri në prag të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë

Pandeli Pani (dpa, Reuters)23 Maj 2014

Separatistët pro rusë po mobilizojnë të gjitha forcat. Ndërkohë oligarku Poroshenko duket si fituesi i sigurt i zgjedhjeve.

https://p.dw.com/p/1C5GM
Fotografi: abaca/picture alliance

Krerët e separatistëve pro rusë në Ukrainë lindore kanë urdhëruar një lloj mobilizimi të përgjithshëm. Nga fusha e betejës ata madje kanë arritur suksese. Pak para zgjedhjeve presidenciale, ushtria qeveritare pësoi humbjet e saj më të rënda që nga fillimi i ofensivës ushtarake shumëjavore kundër milicëve pro Moskës.

Sipas shifrave zyrtare gjatë dy sulmesh të rënda janë vrarë të paktën 17 ushtarë. Shumë viktima ka pasur gjatë sulmeve me granata dhe me mortaja në afërsi të Volnovaha Donbas. Në Luhansk milicisë kanë pushtuar katër miniera qymyri, njoftoi Ministria e Energjisë.

Ostukraine Krise 20.05.2014 Kramatorsk
Fotografi: Viktor Drachev/AFP/Getty Images

Kryeministri Arseny Yatsenyuk kërkoi një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sepse Rusia po "nxit" konfliktin dhe po përpiqet të sabotojë zgjedhjet e së dielës. Kremlini e vë në parim në pikëpyetje legjitimitetin e zgjedhjeve presidenciale, por insiston se nuk dëshiron që t'i ndikojë me praninë e trupave pranë kufirit. NATO po vëzhgon"një aktivitet të kufizuar të trupave ruse" në kufi dhe e interpreton këtë si një tregues të mundshëm të tërheqjes të së paku disa njësive.

Merkel akuzon Moskën

Kancelarja gjermane Angela Merkel e akuzoi Rusinë se synon t'i refuzojë Ukrainës pavarësinë politike. Në gazetën ""Saarbrücker Zeitung" Merkel tha që udhëheqja e Moskës duket se e ka të vështirë "të pranojë se një vendi sovran si Ukraina ndjek rrugën për të cilën ka vendosur vetë". Ukraina duhet të jetë e lirë të vendosë atë që dëshiron, tha Merkel tduke iu referuar zgjedhjeve presidenciale. Kjo duhet të përfshijë edhe të drejtën për të hyrë në marrëveshje me BE-në. Presidentit Vladimir Putin Merkeli i bëri thirrje të njohë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, sipas vlerësimit të OSBE-së. Putini tha se Rusia do ta respektojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Denis Pushilin, një nga udhëheqësit më me ndikim në republikat e vetëshpallura në Ukrainë, përsëriti se luftëtarët e tij i konsiderojnë zgjedhjet si të paligjshme dhe të imponuara. Asnjë nga kandidatët nuk mund të pretedojë për veten e tij se flet për të gjithë ukrainasit. Për qeverinë kalimtare në Kiev, zgjedhjet janë "vendimtare" për fatin e vendit. Ajo dëshiron që në lindjen e vendit të marrin pjesë në votime sa më shumë votues.

Petro Poroschenko
Petro PoroshenkoFotografi: AFP/Getty Images

Poroshenko favorit kryesor

Si favorit i madh për zgjedhjet e së dielës konsiderohet biznesmeni shumë i pasur Petro Poroshenko. Por sipas sondazheve të fundit ai në raundin e parë të votimeve pritet të fitojë rreth 44 për qind të votave, pra jo shumicën absolute. Prandaj atij do t'i duhet të dalë në balotazh më 15 qershor.

Dy nga kandidatët e tjerë që i mbështet Bashkimi Evropian, do të fitojnë sipas anketuesve ukrainas pak vota. Për ish-kryeministren Julia Timoshenko dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Anatoly Gritsenko parashikohen dhjetë për qind, kurse për ish-bankierin Sergei Tigipko edhe më pak.

Sipërmarrësi Poroshenko ishte i vetmi oligark i Ukranës që iu bashkua që nga fillimi hapur lëvizjes pro-evropiane në Maidan, dhe ishte një nga donatorët e saj më të rëndësishëm.