1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pauzë - Ristartimi nuk përjashtohet

Christoph Hasselbach,/Pandeli Pani30 Nëntor 2013

Pas rezufimit të MSA nga Ukraina BE-ja dhe forcat demokratike në vendet e Partneritetit Lindor po përballen me një kaos.

https://p.dw.com/p/1AQqS
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ukraina dëshiron t'i ketë të gjitha: edhe marrëdhënie të mira me Rusinë edhe Bashkimin Evropian. Ajo nuk do të vendosë mes njërës anë dhe tjetrës. Kjo sigurisht është fillimisht e kuptueshme. Ekonomia e Ukrainës ka nevojë për Rusinë si treg dhe si burim energjie. Të paktën tani për tani ajo është më e varur nga Rusia se nga BE-ja. Edhe sa i përket kulturës dhe gjuhës shoqëria ukrainase është e ndarë në një pjesë me dominim perëndimor dhe një pjesë me dominim lindor.

Moska mendon me sfera influence

Për të gjitha këto BE-ja ka mirëkuptim. Dhe pa faktorin rus kjo nuk duhej të ishte asnjë problem. BE-ja nuk kërkon që Ukraina të ndërpresë të gjitha urat me Moskën dhe t'i përkushtohet deri në palcë Brukselit. Problemi është sidomos Rusia. Ajo e kërkon vërtet një vendim të tillë. Presidenti Putin mendon në kategoritë e vjetra gjeo-strategjike. Të gjitha shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik, që i bashkohen BE-së, janë për të fusha të humbura ndikimi. Ai kërcënon dhe josh, dhe bën pothuajse gjithçka për t'i mbajtur ato.

EU Gipfel Litauen Janukowitsch Barroso Van Rompuy 28.11.2013
Fotografi: picture-alliance/dpa

Partneriteti nuk është pazar

Një herë për një herë BE-ja nuk mund të bëjë gjë kundër kësaj. Ajo nuk mundet dhe nuk do që të përdorë mjete të ngjashme presioni, përndryshe BE-ja do të tradhtonte vlerat e saj. Por ajo nuk mund të pranojë gjithashtu as që të bëjë pazar për një mbështetje më të madhe. Dhe këtu merr fund mirëkuptimi për gjendjen e vështirë të presidentit ukrainas Janukoviç. Janukoviç u përpoq që të nxirrte nga nevoja një përfitim dhe t'i vinte kundër njëri-tjetrit BE-në dhe Rusinë që ato të bënin të dyja oferta më të mira.

Dashuri e zhgënjyer

Dhe këtu BE-ja u poshtërua disi. Në të njëjtën ditë që Janukoviç i ndërpreu përgatitjet për marrëveshjen e asocimit, komisioneri i BE-së për zgjerimin Füle i hipi avionit për në Kiev për t'i ndryshuar atij mendjen. BE-ja u soll për ditë me radhë si ndonjë njeri i dashuruar që thjesht nuk e pranon refuzimin që i bën pala tjetër dhe vazhdon ta ndjekë nga pas si lypësar. BE-ja thjesht nuk e ka të nevojshme një sjellje të tillë.

BE-ja dhe forcat demokratike në vendet e Partneritetit Lindor po përballen tani me një kaos. Jo vetëm Ukraina doli përkohësisht nga projekti i integrimit me Perëndimin. Edhe Armenia dhe Azerbajxhani janë larguar praktikisht dhe po e kërkojnë shpëtimin e tyre përsëri me forcë tek Moska. Bjellorusia nën presidentin autoritar Lukashenko nuk ka qenë kurrë pjesë e vërtetë e këtyre nismave. Vetëm Moldavia dhe Gjeorgjia lëvizën në drejtimin e dëshiruar, por ato janë shumë të vogla për të vënë vërtet diçka në lëvizje.

EU Gipfel Litauen 29.11.2013
Fotografi: Reuters

Lituania i di ende kohët e vjetra

Zhgënjyes është dështimi sidomos për vendet në kufirin lindor të BE-së, për shembull për vendin mikpritës të takimit Lituaninë. Partneriteti Lindor është kryesisht projekti i saj, për shkak se Lituania ishte vetë dikur pjesë e perandorisë sovjetike. Vilna gjendet më pak se 50 kilometra nga kufiri me Bjellorusinë, ku sundon diktatura e fundit e vërtetë në Evropë. Për lituanezët apo për polakët përbën një dallim të madh nëse shtetet e tyre që janë ende anëtarë të rinj të BE-së, janë të rrethuar nga demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi tregut apo nga kundërshtarë. Megjithatë, shumicës së shteteve në perëndim të BE-së nuk u ka interesuar shumë Partneriteti Lindor: Franca, Italia dhe Spanja shohin drejt jugut apo perëndimit, jo drejt lindjes. Projektit pra i mungonte edhe mbështetja nga vetë BE-ja.

Me Putinin dhe Janukoviçin s'ka kuptim

Çfarë duhet të bëni tani? Oferta e BE-së ndaj Ukrainës dhe shteteve të tjera në Lindje natyrisht duhet të mbetet në fuqi. Kjo është e padiskutueshme. Por BE-ja nuk duhet në asnjë rast të ndryshojë kushtet e saj, sepse në rast përmirësimi, pazari do të fillonte përsëri nga fillimi. BE-ja duhet patjetër të shpjegojë më tepër, edhe ndaj Moskës se partneriteti nuk drejtohet kundër askujt dhe të gjitha palët të kenë përfitim nga kjo, madje edhe Rusia. Megjithatë kjo ndoshta nuk do të jetë e mundur me presidentët Putin dhe Janukoviç. Por shoqëritë në Rusi dhe në Ukrainë po ndryshojnë, dhe madje jo vetëm nga ndikimi i BE-së, por mbi të gjitha nga zhvillimet e tyre të brendshme. Ndoshta për disa vjet situata do të jetë krejt ndryshe.