1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Petriç: Mladiçi në Hagë, fitore e rëndësishme për drejtësinë evropiane

3 Qershor 2011

Wolfgang Petriç, diplomat austriak, ekspert për EJL, e quan fitore të drejtësisë së Evropës arrestimin e Mladiçit, kërkon nga Serbia dialog të vërtetë me fqinjët dhe këmbëngul në kompromisin e Prishtinës e Beogradit

https://p.dw.com/p/11Tgj
European Union High Representative for Bosnia-Herzegovina Wolfgang Petritsch gestures while speaking during a media conference at the EU Council building in Brussels, Monday Feb. 18, 2002. Petritsch briefed EU foreign ministers on Monday regarding the current state of affairs in the region of Bosnia-Herzegovina. (AP Photo/Thierry Charlier)
Wolfgang PetritschFotografi: AP

DW: 15 vjet ka pritur Evropa për arrestimin e Ratko Mladiçit. Tani ai ndodhet në Hagë për tju përgjigjur akuzave të Tribunalit të OKB për krime luftë në ish Jugosllavi. E gjitha kjo zoti Petriç, a është një triumf i vonuar i drejtësisë ndërkombëtare?

Petriç: Sigurisht që kjo nuk është triumf. Por mullinjtë e drejtësisë bluajnë shume ngadalë, por ato e arrijnë qëllimin. Pra shprehur ndryshe, ky është një mesazh i rëndësishëm për të gjithë në Europë dhe më gjerë që krimet e luftës nuk hiqen nga rendi i ditës, pa dalë më parë kriminelët para gjyqit. Unë mendoj që kjo është e rëndësishme. Bashkësia ndërkombëtare, Europa ka vendosur që Bosnja, lufta në ish Jugosllavi, nuk mund të harrohen, për sa kohë që të gjithë përgjegjësit kryesorë nuk kanë dalë para drejtësisë. Dhe tani me arrestimin dhe dërgimin e Mladiçit në Hagë, kjo arriti pikën më të rëndësishme.

DW: Sot Mladiçit nga trupi gjykues i Tribunalit të Kombeve të Bashkuara iu lexua aktakuza. Ky lajm mund t'i krijojë lehtësim viktimave nga sulmet e përgjakshme. Çfarë shpresojnë ata dhe çfarë presin nga një proces para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Petriç: Unë gjatë kohës time si përgjegjës në Bosnjë kam marrë përsipër gjithçka që të mbijetuarit, të afërmit e viktimave të kuptojnë që ne nuk i kemi harruar ato, që krimet e kryera do të gjykohen. Unë mendoj se ky është një mesazh i rëndësishëm që pasqyron, si të themi, një nivel të lartë të qytetërimit në Evropë. Kjo tregon se Europa ka nxjerrë mësim nga tmerret e Luftës së Dytë Botërore. Në shumë raste Evropa ka dështuar në vitet 90‘, në Ballkan, në Jugosllavi, por unë tani besoj që këtu ka një mendim unik dhe pozicion të qartë, kjo nuk duhet harruar. Ne dëshirojmë që të arrihet drejtësia për viktimat.

DW: Për shumë serbë ish gjenerali është ende një hero. Shumë demonstrues kanë reaguar ashpër ndaj arrestimit të Mladiçit, A munden këta serbë radikalë ta pengojnë Serbinë që të shkëputet nga e kaluara dhe që vendi të zhvillohet si një vend modern dhe demokratik?

Petriç: Për Serbinë i tërë përpunimi i tragjedisë jugosllave natyrisht që është një detyrë shumë e vështirë. Por kur mendon se nga shumë milionë serbë, që ka, kanë demonstruar vetëm disa qindra ose një mijë. Megjithëse siç e dimë nga anketimet ka edhe shumë njerëz të tjerë, që kanë simpati për Mladiçin, ana pozitive është se shumica e serbëve e kanë kuptuar se ka qenë një rrugë në një gabim të madh fatal, që e ka dëmtuar shumë, shumë Serbinë, nga ana tjetër ka akoma shumë prej atyre, që nuk e kanë kuptuar ende. Edhe këtu do të jetë e domosdoshme, që shoqëria serbe me iniciativën e vet, politika, kultura intelektuale, mediat të bëjnë sqarime, të zgjedhin rrugën e dhimbshme të vetëdijësimit dhe me këtë të ndihmojnë veten.

DW: Zoti Petriç, a e ka afruar arrestimi i ish gjeneralit Mladiç Serbinë më pranë Bashkimit Evropian?

Petriç: Nuk ka dyshim që kjo ka shënuar një pikë kthese, arrestimi pa dyshim është një hap politik në drejtim të Europës, kur dihet që kjo për presidentin Tadiç sigurisht ka qenë shumë e vështirë, kundër rezistencës së një pjesë të konsiderueshmë të popullsisë, sidomos asaj të ushtarakëve, të marrë këtë vendim. Kjo ka zgjatur një kohë të gjatë, Europa këtu është treguar shumë e duruar, por unë besoj tani se u bë vërtet një hap i rëndësishëm, por shumë hapa të tjera duhet të pasojnë tani. Para së gjithash një ballafaqim me të kaluarën, një ballafaqim kritik dhe vetëkritik në Serbi, po ashtu në rajon që të angazhohet me fqinjët për një dialog, një dialog të vërtetë, një dialog të dhimbshëm që pastaj të arrihet të diskutohet për çështje të mëdha ekonomike dhe sociale, që të sjellë një reformë të vërtetë në Serbi, por edhe në vendet e tjera të ish Jugosllavisë dhe përreth saj.

DW: Presidenti Tadiç ka kërkuar pas arrestimit të Mladicit një hetim për akuzat e ngritura lidhur me tregtinë e organeve nga UCK-ja në Kosovë nga OKB-ja. Eshtë kjo e mundur zoti Petriç?

Petriç: Unë jam shqetësuar shumë, kur e kam lexuar këtë. Unë megjithatë jam shprehur kritik kundër këtij raporti, sepse ai thjesht nuk paraqet më të vertetë dëshmi, por indikacione, që ka pasur krime të tregëtisë së organeve. Që të nxjerrësh menjëherë përfundime politike, për mua ishte shumë pak. Unë mendoj që do të ishte e rëndësishme para së gjithash për Kosovën, për të gjithë të prekurit, ose të dyshuarit, që këtu të bëhet një sqarim i vërtetë. Nëse këtë e bën OKB, ose BE, kjo është e dorës së dytë, kjo nuk është shumë e rëndësishme. Por e rëndësishme është që Kosova, udhëheqja kosovare, Thaçi etj duhet po ashtu të pranojnë që në këtë rast duhet të ecin sipas standarteve europiane, që do të thotë një hetim i pavarur, që bëhet nga Bashkësia Ndërkombëtare. Edhe një herë e përsëris: Për mua nuk është e rëndësishme, nëse është OKB, apo BE, por për çdo rast duhet një nga jashtë, në mënyrë që të sigurojë, se do të vlerësojë objektivisht, çfarë qëndron pas kësaj.

DW: Zoti Petriç, a mundet tani Serbia pas arrestimit të Mladiçit të pranohet në BE, edhe pa njohur Kosovën si shtet sovran?

Petriç: Kjo është një çështje tjetër e rëndësishme. Unë jam i mendimit se ka dy çështje kryesore, për të cilat Serbia duhet t'i dëshmojë, si të thuash, pjekuri Europës. Sigurisht që problemi më i vështirë është nga njëra anë Kosova. Duhet parë që nga të dyja palët të ketë afrim dhe që të përpiqen për të gjetur një kompromis në frymën europiane. Çështja e dytë është natyrisht Bosnja. Serbia duhet të tregohen vërtetë lojale ndaj shtetit të Bosnjës, si vend fqinj, por jo si shtet, që përzihet në problemet e brëndshme të Bosnjës. Të kthehemi tek Kosova, ku unë jam i mendimit se do të zgjasë ende, deri sa Serbia ta pranojë plotësisht që Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. Por duhet që në këtë drejtim të shkohet në mënyrë konstruktive, që të jemi para së gjithash shumë pragmatik për të gjetur zgjidhjet: Si është me një vend fqinj? Si do të organizohet jeta dhe si do të lehtësohet jeta e të gjithë njerëzve në rajon dhe në Kosovë në veçanti, natyrisht tani për, si të thuash, pakicën e re të serbëve edhe të romëve, për të gjitha pakicat në Kosovë. Duhet para së gjithash që edhe qeveria e Kosovës, shqiptarët në Kosovë të jenë shumë bujarë dhe vërtet të dëshmojnë që këtu ata dëshirojnë përsëri të jetojnë së bashku në frymën demokratike të Europës me serbët dhe kjo do të lërë një përshtypje të madhe në Beograd, që në fund të fundit, por kjo do të zgjasë shumë vite, të vihet në një kompromis.

Autor: Mimoza Kelmendi

Redaktoi: Angjelina Verbica