1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pjesëmarrja në zgjedhje do t`i ndihmojë serbët e Kosovës të përmirësojnë jetës e tyre

Bekim Shehu14 Shtator 2007

Udhëheqësit politikë shqiptarë të Kosovës u bëjnë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit.

https://p.dw.com/p/Bg2J
Serbe nga KosovaFotografi: dpa

Udhëheqësit politik shqiptarë të Kosovës u bëjnë thirrje pjestarëve të komunitetit serb, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit sepse pjesëmarrja e tyre thonë ata, do të ndihmojë vetë serbët e Kosovës.

Ata thonë se vendimi i fundit i autoriteteve të larta të Beogardit, të cilët u bëjnë thirrje serbëve që mos të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë, është një tregues i qartë se Serbia nuk interesohet fare për serbët e Kosovës dhe se ata vetëm i përdorë për interesa të saj politike. Qeveria e Serbisë konsideron se as pas tetë vjetësh që nga vendosja e administratës së KB në Kosovë, nuk janë siguruar kushtet elementare për jetë të sigurtë e të lirë të serbëve dhe të joshqiptarëve. Këtë vendim edhe njëri nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, e ka kritikuar ashpër duke e parë atë si thirrje për ndarjen e Kosovës. Oliver Ivanoviq, konsideron se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhje nuk ndikon për veriun e Kosovës, sa ndikon për pjesën qëndrore ku jetojnë serbët. Ai thotë se serbët e Kosovës varen shumë nga politika e Beogradit, duke nënvizuar se shpesh herë kur flitet për serbët flitet për territore dhe jo për njerëzit. Ai thotë se nga serbët e Kosovës kërkohet që të jenë të dëgjueshëm dhe të veprojnë pa menduar fare.

Këtë e ka provuar njëherë edhe Millosheviqi dhe kjo na ka kushtuar shtrenjë thotë Oliver Ivanoviq, duke shfaqur frikën se siç shprehet ai, në një mënyrë më të butë po shkohet në të njetën rrugë. Sipas tij, serbët edhe kësaj radhe janë sakrifikuar me thirrjet e fundit të Beogradit për bojkotimin e zgjedhjeve në Kosovë.

Nga ana tjetër presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se zgjedhjet janë testi i demokracisë dhe në këtë kuadër ai u bënë thirrje pjestarëve të pakicave që të marrin pjesë në zgjedhje dhe të integrohen në shoqërinë kosovare.

Sidoqoftë, afati për rëgjistrimin subjekteve politike përfundoi të merkurën në mesnatë dhe sipas zyrtarëve të KQZ-ve, janë gjithsej 65 subjekte politike që janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje. Ne mesin e tyre ka 8 subjekte politike serbe mirëpo ato cilësohen si grupime të vogla politike, ndërsa nuk është regjistruar partia më e madhe politike serbe, Lista serbe për Kosovën. Zyrtarë të KQZ-ve, thonë se nuk do të ketë ndonjë afat tjetër për regjistrim.

Mirëpo, bazuar në përvojat e të kaluarës me qëllim të përfshirjes së pjestarëve të komunitetit serb në institucinet kosovare është krijuar mundësia që ata të regjistrohen edhe pas afateve zyrtare. Subjektet politike të pakicave kombëtare kanë të rezervuara 20 vende në kuvendin e Kosovës, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës mirëpo, pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet në Kosovë do të mund të siguronte më shumë vende në parlament.