1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Platforma e Prishtinës në kuadër të Kushtetutës

Bekim Shehu / Prishtinë30 Tetor 2012

Prishtina zyrtare tashmë ka platformën e saj për bisedime politike me Serbinë. Detajet nuk do të publikohen, para se në Prishtinë të qëndrojnë Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton dhe Baronesha Kathrin Ashton.

https://p.dw.com/p/16ZUH
Pamje nga Prishtina
Fotografi: picture alliance / dpa

As Prishtina zyrtare e as Beogradi, akoma nuk kanë publikuar detajet e platformave për bisedime politike ndërmjet tyre, biseda këto të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar se ai personalisht e ka shkruar platformën për biseda me Prishtinën. Edhe qeveria e Kosovës nga ana e saj thotë se ka platformën e saj për biseda me Serbinë. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, nuk dëshiron të jap detaje të platformës, të paktën jo para së në Prishtinë të vijnë Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton dhe shefja e diplomacisë evropiane, Kathrin Ashton.

Kosova është e përgatitur për biseda me Serbinë

“Kosova nuk është e papërgatitur. Kosova tash e një kohë ka platformën e vet iniciale, por Kosova ka parasysh dy faktorë. Faktori i parë janë receptorët e kësaj platforme që janë BE-ja dhe SHBA-ja dhe nuk mund t'i vemi para aktit të kryer dhe tu themi se kjo është pozita jonë, kjo është pika e parë dhe pika e dytë nuk mund të shkojmë përtej. Dhe faktori i dytë është se në procesin e dialogimit përcaktohet minimumi dhe optimumi. Platforma e Kosovës nuk e kalon optimumin, pakon e Marti Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri Hajredin KuçiFotografi: DW

Parlamenti i Kosovës 10 ditë më parë miratoi një rezolutë ku mbështeti bisedimet me Serbinë, në funksion të normalizimit të marrëdhënieve, por edhe përcaktoi vijat e kuqe përtej të cilave nuk guxohet të shkohet. E ndër më kryesorët është që çdo marrëveshje me Serbinë duhet të jetë në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Vijat e kuqe, kryeministrit Hashim Thaçi, i cili do të udhëheqë bisedat me Serbinë, ia rikujtojnë partitë politike opozitare të cilat megjithatë mbështetën rezolutën e kuvendit të Kosovës. Ismet Beqiri, është shef i grupit parlamentar të LDK-së në opozitë.

Kuvendi nuk do të lejojë të anashkalohet Kushtetuta

“Nëse vendoset dicka që është kundër rezolutës dhe Kushtetutës së Kosovës, ne do të jemi ata që nuk do të pranojmë dicka të tillë, NE flas këtu ne të gjithë deputetët e kuvendit të Kosovës, sepse është shumë e qartë e përcaktuar në Kushtetutë cka nuk mund, apo cka nuk mund të vendoset në të mirën apo në dëmin e vendit”, thotë Ismet Beqiri.

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare tashmë u ka thënë po bisedave politike me Serbinë të cilat me gjasë do të fillojnë në muajin dhjetor. Analisti në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashti, nuk pret që në fazën e parë të bisedave politike të ketë ndonjë marrëveshje të rëndësisë shumë të madhe ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai thotë se fillimisht mund të flitet për çështje të karakterit teknik, por që kanë ndikim politik.

Në fillim të bisedimeve Kosovë-Serbi nuk pritet ndonjë marrëveshje

“Ne presim që i gjithë ky proces të përfundojë me zhvillimin e negociatave, por më thelbësore rreth çështjeve teknike, të cilat kanë ndikim politik, siç është marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit, Kosovë-Serbi, telekomunikacioni, energjetika, vendosja e disa zyrtarëve me leje reciproke, zyra apo zyrtarë ndërlidhës në Beograd dhe Prishtinë. Pas dhjetorit mund të shohim një proces të ri politik ku palët do të shtyhen për një traktat më të thellë të normalizimit të marrëdhënieve”, thotë Naim Rashiti, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

Përfaqësues nga kuvendi i Kosovës, thonë se legjislativi i vendit pret që çdo marrëveshje që mund të arrihet në dialogun me Serbinë, të ratifikohet në parlament. Se si do të jetë rrjedha e fillimit të dialogut politik me Serbinë, këtë do ta sqarojë këtë të enjte (01.11.) para deputetëve të kuvendit të Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi.