1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Po bie ora e sinqeritetit - Qeveria gjermane merr pjesë në misionin kundër piraterisë

Esat Ahmeti11 Dhjetor 2008

Operacioni me emrin "Atalanta" do të mbrojë anijet nga sulmet e piratëve në brigjet e Somalisë. Sot kjo është temë qendrore në të përditshmet gjermane.

https://p.dw.com/p/GDYj
Fregata gjermane Mecklenburg Vorpommern në Gjirin e Afrikës
Fregata gjermane Mecklenburg Vorpommern në Gjirin e AfrikësFotografi: DW/Ludger Schadomsky

Fillimisht në "Tagespiegel" e cila botohet në Berlin lexojmë:


"Neni 87 i kushtetutës gjermane thotë se federata vë në dispozicion forcat e armatosura për mbrojtje. Përveç mbrojtjes, forcat e armatosura mund të angazhohen vetëm në rastet kur lejohen qartë me kushtetutë. Dhe më saktë, këtu bëhet fjalë për më tepër saktësi. Detyrat kanë mbetur të pandryshuara që prej ribashkimit por a është e mundur kjo? A guxon të jetë kështu tani që bota ka ndryshuar aq shumë? Jo. Po bie ora e sinqeritetit. Për një debat përshembull për një vlerësim ushtarak të gjendjes dhe një përfundim: domethënë në Bundestag do të mirret vendimi për atë se me çfarë mjetesh Gjermania dhe qeveritë e saj të ardhshme do të shfrytëzojnë cilat interesa. Dhe pastaj konform tyre të ndryshohet edhe kushtetuta", thuhet ndër të tjera në komentin e gazetës 'Tagesspiegel'.

Ndërkaq nga 'Badische Neuste Nachrichten' po për të njëjtën temë shkëpusim:


"Misioni ushtarak përfundimisht lufton simptomat e jo shkaqet e vërteta të krizës. Një aksion i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare për stabilizimin e Somalisë, është në të vërtetë utopik, pas përvojës së Afganistanit bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme për një gjë të tillë. Kështu që në fund mbetet shija e një të vërtete të hidhur: disa pak shtete të copëtuara mjaftojnë ndërkohë për të mbajtur botën në frikë dhe tmerr", nënvizon 'Badische Neuste Nachrichten'.


Dhe në fund shfletojmë gazetën 'Volkstimme' e cila botohet në Magdeburg. Në numrin e saj të sotëm vërejmë:

"Marina gjermane duhet të luftojë në brigjet e Somalisë kundër piratëve modernë me një mandat robust. Vetëm me këtë formë ky mision do të kishte kuptim. Deri tani gjermanët guxojnë të përdorin armët si mjet të fundit. Në të vërtetë, që tani e tutje piratët do të duhet të mësojnë se çfarë është frika, në rast se nuk arrijnë t'ia mbathin. Përndryshe kjo do të paraqiste problem tjetër: nëse bllokohen piratët atëherë nuk është e qartë se çfarë do të ndodh me kusarët. Në kohët e kaluara dihet se çfarë ka ndodhur me piratët tani ata duhet të dërgohen në gjykatë. Por ku? Kjo është pika më delikate e mandatit. Lirimi i kusarëve thjesht në brigjet e Somalisë në rast se nuk do të gjindet asnjë vend për përndjekjen e tyre me siguri që do tu shtonte guximin piratëve për sulme të tjera," theksohet në komentin e gazetës 'Volkstimme'.