1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Po flisni gjermanisht!"

25 Gusht 2017

Jens Spahn është për konservatorët shpresa e së ardhmes, në partinë e Merkelit, CDU. Ai zemërohet kur në disa restorante në Gjermani flitet vetëm anglisht. Edhe më shumë e zemërojnë gjermanët që bëhen pjesë e lojës.

https://p.dw.com/p/2ir36
Deutschland CDU Bundesparteitag in Köln Jens Spahn
Fotografi: Reuters/W. Rattay

Kjo është me siguri "pak si tepër": Jens Spahn, 37 vjeç, politikan i CDU-së me pikëpamje të rrepta konservatore, kohët e fundit ka folur dendur për vëzhgimet e tij në lagjet në modë në Berlin. Atje sipas tij gjen gjithnjë e më shumë "hipster"(njerëz që njohin çdo gjë moderne, por që janë edhe mospërfillës për normat shoqërore), të cilët dallohen me ndërgjegje nga të tjerët, madje krijojnë pak a shumë "shoqëri paralele". Në artikullin e të ftuarit, Spahn shkroi për gazetën "Die Zeit" se ndërkohë nuk e ke më fare të mundur që të porositësh diçka në gjermanisht: "Të gjithë ata që nuk e ndjekin dot pas brezin easyJet, mbeten jashtë". Në disa restorante madje nuk e quajnë fare të nevojshme që të mbajnë meny në gjermanisht.

"Vetëxhuxhëzim provincial"

Dhe ajo që nuk duron fare Spahn është që disa gjermanë e luajnë këtë lojë, për të theksuar sa ndërkombëtarë janë. "Veçanërisht groteske është kur dëgjoj se si klienti dhe kamerieri flasin në një "Location" të preferuar anglisht - por kur tek të dy ndihet një theks i rëndë i gjermanishtes. Spahn e quan këtë "vetëxhuxhëzim provincial"- në mes të qytetit të madh. Përfundimi i tij: "Ne me të drejtë u kërkojmë migrantëve që të ndjekin kurset e gjermanishtes, për t'u integruar. Në të njëjtën kohë, "qytetet e mëdha zhvendosen me mospërfillje për të tjerët në anglisht, duke u izoluar kështu nga konsumatori normal."

Firma të vogla dhe të suksesshme në provincë

Hipster, kjo fjalë përdoret me kuptimin e kozmopolitëve të rinj, të suksesshëm, shpesh beqarë, që shumicën e herëve flasin shumë gjuhë. Por megjithatë, ata për Spahn-in nuk janë bartësit e suksesit ekonomik të Gjermanisë. Këta bartës janë firmat e vogla, jashtë qyteteve të mëdha: "Këtu gjen më tepër sipërmarrje solide, të mesme, por që janë shumë të suksesshme në botë".

"Jens Spahn would appreciate too!"

Kaq shumë gatishmëri luftarake për gjuhën gjermane nuk mbeti pa u komentuar në rrjetet sociale. Shumë nga ata që me sa duket e shohin veten si Hipster iu përgjigjën provokimeve të Spahn-it. "Unë fola sot me një moshatar timin në anglisht. Ishallah nuk më shan @jensspahn-i," lexon aty. Po me humor e pa këtë diskutim edhe ministria Federale e Financave, ku Spahn punon si sekretar shteti. "Hello Hipsters, come join us for our open day. Jensspahn would appreciate it too". E përkthyer "Ej, hipster hajdeni merrni pjesë në ditën tonë të dyerve të hapura. Këtë do të përshëndeste edhe Jens Spahn".

Spahn - në fakt është hipster vetë

Kjo nuk është e pamundur. Sepse Spahn është një i ri tepër konservator, që njeh pak frikëra. Para dy vjetësh ai ishte ndër të paktën politikanë të CDU-së, që e kritikoi hapur politikën e hapur ndaj refugjatëve të shefes së partisë së tij, Kancelares Angela Merkel. Nga ana tjetër, Spahnin madje mund ta quash edhe vetë hipster: ai vetë flet shumë mirë anglisht, ka dy grada akademike dhe ka përfunduar "Young Leader Programm" të American Council on Germany. Dhe nuk janë të paktë ata që mbështeten tek Spahn-i, kur CDU-së t'i duhet një ditë pas epokës së Merkelit ta rishpikë veten.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau