1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polakët sulmohen në Britani

Samira Schackle7 Shtator 2016

Tri ministra polakë do të bëjnë një vizitë urgjente në Londër, pas një vargu sulmesh të dhunshme ndaj shtetasve polakë që jetojnë në Britaninë e Madhe.

https://p.dw.com/p/1JwZz
Flowers are placed near the scene of an attack that resulted in the death of a Polish man, in Harlow, England, Tuesday, Aug. 30, 2016. British police have arrested six teenagers suspected of murdering a Polish man in a possible hate crime,
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/D. McCrudden

Në orët e para të së dielës, dy meshkuj polakë u rrahën nga një bandë në Harlow, në veri të Londrës. Ky është i njëjti qytet në Essex, ku një polak tjetër, Arkadiusz Jozwik, u rrah keq dhe u vra në 27 gusht. Gjashtë adoleshentë janë arrestuar në lidhje me vrasjen dhe për të po zhvillohen hetime si krim me motiv urrejtjen.

Të shtunën, në 3 shtator, një varg i heshtur prej qindra njerëzish marshoi përmes Harlow-it, për të kujtuar Jozwikun. Dy meshkujt e tjerë i sulmuan disa orë pas marshit përkujtimor. Njërës nga viktimat i thyen hundën dhe tjetrit i çanë kokën, kur i sulmuan jashtë një lokali. "Ishte një sulm brutal dhe i tmerrshëm. Megjithëse ne po e shqyrtojmë këtë rast si krim potencial me motiv urrejtjen, ai nuk ka lidhje me sulmin në The Stow të fundjavës së shkuar", deklaroi kryekomandanti i Policisë së Essexit, Trevor Roe, duke iu referuar vrasjes së Jozwikut.

Ky krim vjen pas një sërë sulmesh në Britaninë e Madhe të ndërmarra pas 23 qershorit, kur Britania votoi në favor të daljes nga BE. Në këto incidente u sulmua dhe dëmtua një qendër kulturore polake në Londrën perëndimore si dhe u shpërndanë letra me mbishkrimin "jo më parazitë polakë" në Cambridgeshire.

Të shtunën, përpara se dy meshkujt të sulmoheshin në Harlow, ministri i Jashtëm polak, Witold Waszczykowski i bëri thirrje publike Britanisë që të veprojë: "Ne i konsiderojmë qeverinë britanike dhe autoritetet britanike përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve britanikë dhe evropianë, duke përfshirë polakët, për të parandaluar aktet kundër të huajve që kemi parë kohët e fundit", tha Waszczykowski.

E ardhme e pasigurtë

Në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 800.000 polakë, që përfaqësojnë në këtë mënyrë njërin nga grupet më të mëdha minoritare në vend. Shumë prej tyre shkuan në Britaninë e Madhe pasi Polonia u bë anëtare e Bashkimit Evropian në vitin 2004. Por në Britani ka ekzistuar një komunitet i vjetër polak që shumë para kësaj date, të ardhur veçanërisht që pas Luftës së Dytë Botërore. Gjuha polake është gjuha e dytë më e folur në Angli.

"Ne polakët kemi qenë këtu prej shumë dekadash", thotë Jaroslaw Andrwski, i cili ka lindur në Anglinë veriore, pas iprindërit e tij migruan aty në vitet 1950. "Ajo që ndodhi në 23 qershor të bën të mendohesh për të ardhmen. Shumë vetë në komunitetin tonë janë përballur me sharje e edhe më keq, që prej votimit. Kur dëgjon lajme si këto është e pamundur që të mos frikësohesh: po sikur tjetri në radhë të jem unë, ose im bir."

Njerëzit shkuan nga të gjitha anët e vendit për të marrë pjesë në marshimin e heshtur në Harlow të shtunën. Janeta Krajewska erdhi që nga Londra, ku jeton. "Ne polakët kemi kontribuar shumë për ekonominë dhe kulturën britanike dhe unë e urrej kur shoh që edhe fëmijët përballen me këto fjalë pa shije të urrejtjes - dhe më keq."

Po më tej?

Autoritetet polake nuk e kanë specifikuar se kur do të udhëtojë delegacioni i tyre për në Britaninë e Madhe. Është bërë gjithashtu e ditur se kryeministrja polake Beata Szydlo dëshiron të flasë direkt me kryeministren Theresa May për sulmet. Policia e Harlow-it bëri të ditur se do të ketë "një numër më të madh patrullash të dukshme policie në Harlow, si për t'i përcjellë siguri komunitetit, ashtu edhe për ta mbrojtur atë."

Ndërkohë, qeveria britanike ka bërë të ditur se do të analizojë si i trajton policia krimet e urrejtjes në të gjithë vendin, në kuadër të shtimit të incidenteve pas mesit të qershorit. Kjo do të përfshijë edhe fonde shtesë për mbrojtjen e shesheve me rëndësi simbolike dhe një nxitje për grupet që kontaktohen me vështirësi, që ato t'i raportojnë sulmet me motive urrejtjeje.