1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Polenc: Të mos krijohet vakuum në Kosovë

Anlia Shuka15 Shkurt 2008

Gjermania do të jetë një nga vendet e para që do të njohë pavarësinë e Kosovës, së bashku me ShBA-të, Britaninë e Madhe, Francën dhe Italinë. Normalisht kjo ndodh me një vendim të qeverisë dhe një letër të presidentit

https://p.dw.com/p/D8Jx
Zyra e kancelarisë në BerlinFotografi: AP

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Martin Jager nuk pranoi të thoshte se a do ta njohë Gjermania Kosovën, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. "Nuk dua ta zë në gojë fjalën që fillon me A (Anerkennung, në shqip: Njohje), tha ai në konferencën e shtypit të së enjtes, por ju siguroj se jemi të përgatitur".


Kryetari i komisionit të jashtëm në parlamentin gjerman Rupreht Polenc (Ruprecht Polenz) i tha Deutsche Welles në një intervistë se Gjermania do ta njohë Kosovën relativisht shpejt mbas shpalljes së pavarësisë: "Ne nuk duam të krijojmë asnjë vakuum, vende te BE-së duhet të reagojnë shumë shpejt, dhe Gjermania do të jetë një ndër këto vende", i tha Polenc të premten Deutsche Welles.


Sipas qarqeve qeveritare në Berlin deklarata pro njohjes së Kosovës do të merret të hënën mbas takimit të ministrave të jashtëm të BE/së. Formalisht njohja e një shteti të ri nuk e përfshin parlamentin. Mjafton vetëm një vendim i kabinetit, i pasuar nga një letër e presidentit gjerman ndaj atij kosovar. Teknikisht kjo njohje nuk mund të ndodhë para të mërkurës, në mbledhjen e ardhshme të kabinetit qeveritar në Berlin.


Por për shkak të problemeve juridike dhe politike që implikohen me çështjen e Kosovës deputetët kanë shprehur dëshirën që ajo të trajtohet në një seancë parlamentare, e cila parashikohet të ndodh qysh të enjten ose të premten e kësaj jave. Parakusht është që Kosova të djelën të shpallë pavarësinë.


Njohja e pavarësisë së Kosovës në Bundestag mbështetet nga shumica dërrmuese e deputetëve. Përjashtim këtu bëjnë të majtët, të cilët ashtu si Beogradi dhe Moska janë për vazhdimin e negociatave. "Kosova do të bëhet një rast precedent. Gjermania nuk duhet ta marrë me kaq lehtësi këtë rast precedent, por të mendohet mirë, se çfarë do të thotë kjo për vlefshmërinë e të drejtës ndërkombëtare dhe për Evropën", ka argumentuar Knoche.


Fraksioni i të majtëve është i vetmi fraksion që e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Të tjerët janë të mendimit se Gjermania duhet ta njohë Kosovën menjëherë pas shpalljes së saj, mundësisht së bashku me vendet e BE/së. Kështu për shembull, eksperti i liberalëve për politikë të jashtme, Wolfgang Gerhardt, i tha Deutsche Welles: "Pres që këtë hap ta bëjnë shumica e vendeve të Bashkimit Evropian. Njohja e pavarësisë nuk ka të bëjë me çështjen se a duhet të shkëputet Kosova nga Serbia, por se a është në gjendje Kosova të krijojë një shtet në këtë zonë. Dhe ka shumë shtete që janë më të dobët se Kosova", thotë politikani opozitar.


Më problematik është për disa deputetë baza juridike e misionit të ri të BE/së në Kosovë. Uta Capf (Zapf) nga partia socialdemokrate e ministrit të jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer (Frank Walter Steinmeier) thotë se si bazë për misionin e ardhshëm do të shërbejë rezoluta 1244: "Natyrisht që ka disa që e shohin ndryshe. Por ne mendojmë, se rezoluta 1244 shërben si bazë për praninë e forcave të sigurisë në Kosovë dhe se ajo nuk preket nga shpallja e pavarësisë. "


Gerhardt ka në këtë pikë një mendim tjetër: "Ne aty po dërgojmë njerëz, të cilët mund të ndodhen në situata problematike. Prandaj duhet të jetë e qartë ana juridike, në mënyrë që ushtarët të jenë të stacionuar edhe në të ardhmen. Kjo është për ne një çështje vendimtare". Prandaj edhe liberalët presin që qeveria ta sqarojë në parlament bazën ligjore të misionit civil dhe të ushtarëve gjermanë atje.