1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

060709 Bulgarien Falsche Grenzpolizisten

8 Korrik 2009

Atyre që hyjnë në kufijtë e Bullgarisë po u kërkohen dëshmi mjekësore, për të vërtetuar se nuk vuajnë nga gripi i derrit. Në fakt një udhëzim i tillë nuk ekziston askund. Këtu duket se kemi të bëjmë me policë të rremë.

https://p.dw.com/p/IjWP
Automjete në rrugë
Policë të rremë janë shfaqur në kufinjtë bullgarë.Fotografi: George Papakotchev

Të dielën (05.07.) në Bullgari u zhvilluan zgjedhjet parlamentare - dhe kushdo mund ta merrte me mend, që në një periudhë të tillë edhe konsullata bullgare në Berlin ishte mjaft e ngarkuar me punë. Por në fakt intensiteti i punës në këto ditë në konsullatë s' kish të bënte aspak me zgjdhjet. Nëpunësit ishin në ethe të jashtëzakonshme pune prej telefonatave papushim.

"Mirësevini në Bullgari!" është e shkruar me gërma kapitale në kufirin serbo-bullgar, Kalotina. Por ditët e fundit "miqve të mirëseardhur" u duhej të prisnin deri në gjashtë orë në kufi - e vetëm kaq nuk mjaftonte. Disa prej tyre, kryesisht turq me targa gjermane, pretendojnë, se kanë rënë viktimë e një presioni të shëmtuar. Shumë prej tyre janë ankuar në konsullatën bullgare në Berlin. Telefonat nuk pushonin dhe nëpunësve konsullorë u duhej vazhdimisht të jepnin përgjigje për një pyetje absurde: "A është e vërtetë, që Bullgaria kërkon dëshmi mjekësore, për të vërtetuar që nuk je i infektuar nga gripi i derrit?"


Këtë e kërkojnë policët bullgarë të kufirit, ankohen turqit, që jetojnë në Gjermani dhe që në verë si zakonisht, shkojnë me makinat e tyre për në Turqi. Natyrisht që asnjëri prej tyre s' ka pasur dëshmi të tillë me vete, por policët bullgarë kanë përfituar si rrjedhojë gjobat herë 20 e herë 50 euro, për t' u mundësuar kalimin udhëtarëve tranzit. "Nuk ka ndonjë dekret të tillë," pretendojnë nëpunësit e policisë kufitare në Bullagri. Përveç kësaj deri tani pavarësisht shumë përpjekjeve dhe kontrolleve shtesë nuk janë gjetur turistët, të cilëve t' u jetë kërkuar ndonjë dëshmi mjekësore në kufi.

Komisar Saharin Penov, përgjegjës për pikë-kalimet kufitare bullgaro-serbe është i shtangur: "Ne jemi shqetësuar nga të dhënat e shumta që vijnë njëkohësisht lidhur me këtë. Kemi angazhuar të gjitha kapacitetet tona operative për zgjidhjen e këtij rasti. Ka një prani të shtuar të policisë, por deri tani ne nuk kemi zbuluar asgjë konkrete. Ne me sa duket kemi të bëjmë me një grup njerëzish, në të cilin përhapen shumë shpejt thashethemet," thotë komisar Penov duke pasur parasysh disporën turke në Perëndim. Për një gjë jemi të sigurtë: policët bullgarë në kufi nuk kanë kërkuar dëshmi mjekësore për shkak të gripit të derrit dhe as nuk kanë marrë gjoba.

Është e çuditshme, por në Ministrinë e Jashtme bullgare nëpunësit kanë arritur një hap më tutje. Në ministri e dinë që s' kemi të bëjmë me thashetheme, por pas këtij rasti fshihen policë të "rremë" që kryejnë biznese të dyshimta. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Dragovest Goranov sqaron: "Këta nuk janë persona të autorizuar nën uniformën e policisë. Ajo që ata kanë bërë ka vetëm një shpjegim: presion për të përfituar para. Ky është një krim. Ne kemi alarmuar policinë dhe na është premtuar, se do të arrestohen autorët," thotë mjaft i nervozuar zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bullgare. Ai e di që ky „action“, tashmë e ka spostuar vend-aktivitetin nga kufiri bullgaro-serb në atë bullgaro-turk.

Mos vallë policët e vërtetë do të kapin policët e rremë? Apo ndoshta keqbërësit do të dorëzohen vet? Askush nuk mund të thotë gjë për këtë. Përgjigja ndaj pyetjes, përse turqit, që në verë udhëtojnë përmes Bullgarisë për në Turqi, besojnë kaq lehtë në korruptimin e policisë bullgare, mund të meret lehtë me mend.

Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, siç kujton p.sh. berlinezja Insaf Elbi. Verën e kaluar me të hyrë në kufirin turko-bullgar ajo u ndalua prej policisë bullgare (nëse ishin këta policë të vërtetë apo të rremë, nuk e di askush). Atë e akuzuan, se kish kaluar kufizimin e shpejtësisë, gjë që policia nuk mund ta vërtetonte. Megjithatë policët donin të merrnin gjobë. Insaf Elbi kujton:"Unë u thashë, jo fillimisht dua të shënoj targën e makinës suaj dhe dua të shoh dokumentat tuaja. Në momentin që nxorra diçka nga makina për të shkruar, polici më tha: Ok. mund të vazhdosh rrugën!"

Ndërkohë turqit në kufirin serbo-bullgar paraqesin pa ia kërkuar askush një dëshmi nga mjeku i shtëpisë, që vërteton se nuk janë të infektuar nga gripi i derrit. Këtë dokument ata e kanë marrë nga mjeku i shtëpisë kundrejt pagesës së pesë eurove."

Autor : Marinela Liptcheva-Weiss /Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi : Aida Cama